“Vetëm Kuvendi i Kosovës mund të vendos për marrëveshjen me Serbinë”

Vetëm Kuvendi i Kosovës mund të aprovojë marrëveshje eventuale paqësore me Serbinë, u tha në tryezën e rrumbullakët në organizim të Grupit për studime juridike dhe politike në kuadër të një sërë diskutimesh në fazën finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Tema kryesore e tubimit të sotëm ishte shkëmbimi i mundshëm i territoreve dhe mundësia e mbajtjes së referendumit, ndërsa përveç ekspertëve ligjorë, panelistët do të jenë përfaqësues të shumicës së partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani sqaroi se Kosova është një demokraci parlamentare dhe sipas Kushtetutës presidenti i shtetit ka mandat të përfaqësojë shtetin jashtë vendit, por jo edhe të negociojë mbi sovranitetin territorial të vendit. Hasani theksoi se sipas Kushtetutës presidenti i shtetit nuk ka autorizim të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, meqë për atë nevojiten dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami vlerësoi se presidenti ka të drejtë të zhvillojë dialog me dikë të vendit tjetër, por se Kuvendi i Kosovës mund ta hedh poshtë marrëveshjen eventuale që ai e arrin.

“Të drejtën ekskluzive për t’i marrë vendimet finale për marrëveshje për paqe me Serbinë, për marrëveshje eventuale me të cilën krijohet një pajtim historik në mes të Kosovës dhe Serbisë e ka Kuvendi i Kosovës, natyrisht aktorët tjerë që kanë kompetenca kushtetuese, presidenti, qeveria apo cilido mekanizëm i formuar nga qeveria siç është tash komisioni i propozuar, ata i kanë të drejtat e veta por llogaridhënia bëhet në Parlamenti i cili ka të drejtë të refuzojë cilën do marrëveshje të nënshkruar nga presidenti dhe në këtë rast efekti juridik është fillimi nga pika zero”, tha Bajrami.

Ai konsideron se referendumi për marrëveshjen me Serbinë do të kalonte si referendumi në Maqedoni mbi marrëveshjen me Greqinë, meqë sërish në fund Kuvendi e jep fjalën e fundit.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se partia e tij angazhohet për dialog si rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve të hapura, por me mbështetje të BE-së dhe SHBA-ve. Hoti theksoi se LDK-ja është për atë që sa më parë të përfundojë procesi i dialogut me Serbinë, por jo në dëm të Kosovës dhe për këtë shkak duhet pasur njëfarë afati kohor. Ai tha se dialogun mund ta udhëheqin vetëm institucione të zgjedhura legjitime.

“Tema shumë e debatueshme, diskutimi për kufijtë unë dëshiroj të heq çfarë do dileme që ne jemi absolutisht kundër kësaj ideje. Unë kam dëgjuar zëra të ndryshëm edhe nga partitë politike që janë në koalicion, por sikur ka një hezitim që ato ta thonë qartë këtë çështje që janë kundër rishikimit të kufijve të Kosovës”, tha Hoti.

Megjithatë, Ahmet Isufi, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se qëndrimi i Qeverisë dhe kryeministrit Ramush Haradinaj nuk mund të bëhet më i qartë, ndërsa ai është se ndryshimi i kufijve do të thotë luftë.

Ndërsa Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, tha se kufijtë kanë qenë një element kyç për mbijetesën e shtetit dhe se partia e tij nuk e mbështet presidentin Thaçi në idenë e tij për korrigjimin e kufirit.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne