Rajoni

Vetëvendosje: Qeveria u formua pasi erdhi ‘leja’ nga Beogradi

Lëvizja Vetëvendosje, në një reagim pas votimit të Qeverisë Haradinaj, thotë se ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën, sot më në fund arritën ta formojnë një qeveri, pasi që erdhi “leja” nga Beogradi.

“Si e tillë, kjo qeveri kontrollohet nga Vuçiqi” thekson ky subjekt politik, në një postim në Facebook.

VV, po ashtu, ka drejtuar akuza në drejtim të kryetarit të Kuvendit, të cilin e quan kryetar i PAN, Kadri Veseli, se sot e shkeli rregulloren duke mos e votuar mocionin e opozitës. “Ndërkaq, PAN votoi që opozitës t’i hiqej mundësia për të diskutuar. Kjo tregon se ata nuk kanë asnjë respekt për opozitën, dhe se janë autokratë të pandreqshëm”.

Postimi i plotë:

QEVERI AUTOKRATËSH E KONTROLLUAR NGA VUÇIQI

Sot ata që e duan pushtetin më shumë se Kosovën, më në fund arritën ta formojnë një qeveri, pasi që erdhi “leja” nga Beogradi. Si e tillë, kjo qeveri kontrollohet nga Vuçiqi.

Ata thanë se po kërkojnë bashkëpunim me opozitën shqiptare, që të mos mbeten peng i Beogradit, por edhe kjo është rrenë. Sot kryetari i PAN, Kadri Veseli, shkeli rregulloren duke mos e votuar mocionin e opozitës. Ndërkaq
PAN votoi që opozitës t’i hiqej mundësia për të diskutuar. Kjo tregon se ata nuk kanë asnjë respekt për opozitën, dhe se janë autokratë të pandreqshëm.

Në parimet programore të paraqitura, nuk parashikohet asnjë instrument financiar apo ekonomik në ndihmë të zhvillimit. Ata aty thonë se do të vazhdojnë privatizimet. Pra programi i tyre është vazhdim i dështimit neoliberal që solli krizën në Kosovë e në botë.

Ne e dimë se kjo qeveri i ka punët pisk. Por u bëjmë thirrje, as mos t’u shkojë ndërmend të sillni në Kuvend “temat e mëdha”, Zajednicën, Demarkacionin, Kosovën C me një kthim shumëpërqindësh të garantuar për privatin, apo privatizimet. Ne i kemi ndalur këto kur ishim pak, tani ne jemi dyfish më të fortë e qeveria dyfish më e dobët. Mos i hapni telashe të reja vendit.

Ne do të mbështesim edhe me votë, çdo politikë e propozim që i ndihmon punësimit, mirëqenies, afrimit me Shqipërinë e shqiptarët në troje e mërgatë, çdo politikë që e bën Kosovën me ushtri, që rrit demokracinë e lufton korrupsionin. Pra nëse doni bashkëpunim, vetëm ajo është rruga.

E nëse jo, shumë shpejt keni për të mbetur dy herë më të dobët se në 11 qershor.

OPINIONE