Vetingu/ Bllokohen paratë e korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Procesi i vetingut ende nuk ka dhënë rezultate, ndërsa pritshmëritë janë të mëdha.

Bëhet e ditur se marsi është muaji ku do të dalin rezultatet për 93 emra, pas zvarritjeve që janë bërë nga njëri muaj në tjetrin.

Por ajo që vihet re është se procesi i verifikimit po has në mjaft vështirësi, edhe pse nga ana e komisionerëve po punohet me orë të zgjatura.

Përqendrimi më i madh i punës është tek pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gazeta “Sot” ka mësuar se janë rreth 500 llogari bankare që po verifikohen për emrat prioritarë. Pak kohë më parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por dhe institucione si ILDKP dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave kanë kërkuar të dhëna për 12 banka të nivelit të dytë, të cilat kanë dorëzuar me qindra dokumente mbi çdo llogari që disponojnë gjyqtarët, prokurorët dhe familjarët e tyre.

Burime pranë Sot” thanë se deri tani rezulton që çdo emër bashkë me familjen e tij të ketë mesatarisht 5 llogari bankare, disa të tjerë kanë 9-10 llogari, ku në secilën kanë vlera të larta parash.

Ligji i vetingut detyron bankat që të japin informacion për çdo emër të kërkuar dhe për këtë arsye KPK ka marr në dispozicion të dhëna për 93 emrat e parë dhe po shihen të gjithë bilancet se si kanë ndryshuar ndër vite llogaritë.

Rëndësi u janë kushtuar dhe transfertave jashtë vendit.

Shumë emra kanë bërë transferta jashtë dhe për këtë arsye kërkesa u janë bërë dhe disa bankave jashtë, atje ku gjyqtarët zotërojnë llogari.

Përveç KPK, të dhëna nga bankat po marrin dhe ILDKP dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave, të cilat po verifikojnë rreth 700 emrat e mbetur. Në total janë rreth 3.500 llogari bankare të deklaruara prej të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe secila po verifikohet.

Bëhet e ditur se të dhënat e para që do të dalin do jenë për Kryeprokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori dhe kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, gjatë vitit 2016 janë kryer 1.300 transferta të dyshimta jashtë vendit, të cilat janë bërë në kohën kur ka nisur reforma.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne