Vetingu/ Të shkarkuarit ankohen në Kolegj, 3 gjyqtarë dhe 1 prokurore kërkojnë të kthehen në detyrë

Tre gjyqtarë dhe një prokurore i kërkojnë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, organit më të lartë dhe fundor të Vetingut, që të konfirmohen në detyrë pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kryesisht për shkak të mosjustifikimit të pasurive.

Gjyqtari i Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe prokurorja pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër, kërkojnë rrëzimin e vendimeve të KPK kundër tyre.

Deri më tani, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shqyrtuar vetëm ankimimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, i shkarkuar nga detyra për shkak të mosjustifikimit të pasurisë. Kolegji i Apelimit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e KPK, duke rrëzuar pretendimet e Fatos Lulos.

Ndërkaq, Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK, i cili konfirmoi në detyrë anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Trupa gjykuese që do të vendosë për këtë çështje përbëhet nga Luan Daci, Sokol Çomo, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz.

Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Apelimit. edhe rrëzimin e vendimit të KPK për ndërprerjen e Vetingut për anëtaren e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, e cila dha dorëheqjen për t’i shpëtuar Vetingut. Trupa gjykuese për këtë çështje përbëhet nga Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo.

Ndërkaq, Komisioneri Publik ka ankimuar edhe vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Deri më tani, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka vendosur të rrëzojë dy ankesa të Komisionerit Publik, i cili ka kërkuar rrëzimin e vendimeve për ndërprerjen e Vetingut për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe prokurorin e Krujës, Sulejman Tola.

Ndërkaq, befasues ka qenë edhe vendimi i Komisionit të Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, Artur Malajn, i cili u ‘gozhdua’ me pyetje nga përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit, për shkak të problemeve me pasurinë. Mbetet për t’u parë nëse ky vendim do të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Burimi: Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne