Me një ndërhyrje të rrallë dhe të ashpër, kryeministri belg Bart De Wever duket se ka përmbysur përkohësisht zhvillimet në diskutimin europian lidhur me përdorimin e kapitaleve të ngrira ruse.
Në një moment kur Komisioni Europian po kërkon konsensus të qartë për aktivizimin e një mekanizmi të huadhënies në mbështetje të Kievit, De Wever ngriti “flamurin e kuq”, duke minuar planin e BE-së pikërisht në kohën kur të 27 shtetet anëtare shpresonin të kishin rrugën e hapur drejt zbatimit të këtij mekanizmi, i cili synon t’i ushtrojë presion Moskës.
Sipas Politico, letra e kryeministrit belg drejtuar Ursula von der Leyen, me ton të ashpër dhe paralajmërim të qartë, mbërriti vetëm pak orë para se Komisioni të prezantonte propozimin e rishikuar për 140 miliardë eurot e bllokuara në Euroclear.
Belgjika refuzon të marrë përsipër rrezikun juridik dhe financiar në rast se Moska padit BE-në, duke e cilësuar planin si “themelisht të gabuar” dhe potencialisht të rrezikshëm për stabilitetin financiar europian.
Frika e Belgjikës dhe çfarë pritet më pas
Qasja belge, edhe pse e ftohtë dhe pragmatike, është e qartë: nëse Rusia nuk del si “e mposhtur” në momentin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, do të kërkojë rikthimin e pasurive të saj. “Historia ka treguar,” thekson De Wever, “se shtetet e bëjnë një gjë të tillë” dhe BE do të ekspozohej seriozisht.
Kryeministri belg paralajmëron se nxitimi i BE-së mund të bllokojë një marrëveshje të ardhshme paqeje. Nga këndvështrimi i tij, asetet ruse ende kanë vlerë si mjet negociues; nëse BE-ja i “digjet” tani, Moska nuk do të ketë më arsye të ulet në tryezën e bisedimeve.
Ndërkohë, kryeqytetet europiane kërkojnë arritjen e konsensusit para samitit të dhjetorit. Komisioni po përgatit një propozim të ri dhe shumica e vendeve anëtare e mbështesin skemën. De Wever, megjithatë, mbetet i palëkundur dhe papritur Viktor Orbán duket se ka gjetur një “aleat”.
Përplasja mbi garancitë
De Wever nuk e ka fshehur asnjëherë kundërshtimin e tij. Ai e bazon “jo”-në në faktin se nuk mund të ketë “po” pa garanci të plota kompensimi nga shtetet anëtare, në rast se Rusia fiton gjyqësisht çështjen. Me fjalë të tjera, ai kërkon që fatura të mbulohet tani dhe plotësisht nga taksapaguesit europianë.
Në vend të mekanizmit të kapitaleve të ngrira, ai propozon një hua komunitare prej 45 miliardë eurosh për të mbuluar nevojat e Ukrainës në vitin 2026, një zgjidhje e vështirë për shumicën e kryeqyteteve europiane, të cilat duan të shmangin një tjetër emetim borxhi nga BE.
Eurogroupi dhe hijet pas bllokadës belge
Lëvizja belge nuk duket e rastësishme, dhe lidhet edhe me zhvillimet e afërta në një garë të rëndësishme europiane. Brenda pak javësh, 19 ministrat e financave të eurozonës do të zgjedhin kreun e ri të Eurogroup-it.
Në Bruksel qarkullon fort ideja se ashpërsimi i De Wever në çështjen e aseteve ruse nuk lidhet vetëm me Moskën, por edhe me lojën e madhe politike brenda BE-së. Sipas burimeve diplomatike, qeveria belge synon të rrisë peshën e saj negociuese para votimit.
Refuzimi belg shihet edhe si një sinjal force politike para një procesi kyç, ku Belgjika dhe Greqia përballen drejtpërdrejt edhe pse të dy kandidatët i përkasin të njëjtës familje politike europiane dhe të njëjtës gjeneratë.
Qëndrimi i De Wever dhe, në mënyrë të tërthortë, i Van Peteghem, jep një “parathënie” për atë se kush mund të jetë realisht në gjendje të kërkojë presidencën e Eurogroup-it, dhe çfarë do të nënkuptonte mungesa e mbështetjes për njërën anë./panorama


















