VIP-at e Tiranës, maskarenjtë që e kanë bërë shqiptarin të urrejë vendin e tij

Nga Kristo Zharkalli

Vitet e fundit dendur dëgjojmë dhe lexojmë për të ashtuquajturit VIP-at e Tiranës dhe të shqiptarëve kudo në botë. Shumë herë pyesim veten dhe të tjerët se ç’përfaqësojnë këta persona të rëndësishëm (dyshoj në se shumë nga ata që përdorin termin VIP njohin përmbajtjen e këtyre tre shkronja të mëdha!)

Kam vënë re se ky titull u jipet disa tipave që qarkullojnë dhe kapardisen në kryeqytet me automjete të shtrenjta dhe shpenzojnë shuma të mëdha të mëdha pa e ditur as pyetur askush se nga burojnë këto para, ky luks dhe ky qëndrim provokues.

Ja sot lexova në një gazetë tiranëse ankimin e një… këngëtareje që «bërtet» në mikrofon (gjoja është këngëtare moderne si shumë të tjerë) duke ekspozuar pjesët e trupit të saj, në skenë ose në televizion ose në aktivitete të ndryshme, ku ajo ankohej “se sa vështirë na qënka të jesh…VIP!” Dhe nuk e ka fajin ajo se kaq ja pret por ata që e lavdërojnë dhe e financojnë (!) të kapardiset se njeri me rëndësi të veçantë.

Pak ditë më pare u bë një “masakër” (kështu e përshkruajnë gazetarët tiranas) ku u vra dikush dhe u plagosën dy tre të tjerë. Gjëra të tilla ndodhin dhe në vende të tjera por këtu mësuam gjëra të pabesueshme: Një “këngëtare” na paska dashnor një “biznesmën” i cili për hir të syve të bukur (jo të zërit, të kuptohemi!) të këngëtares kishte shpenzuar dhjetra mijëra euro (jo lekë sigurisht!) dhe ajo si ishte e “natyrshme” ishte bërë dashnore e tij dhe…e “fejuara” e tij.

Ky “biznesmën” VIP ishte vetëm 31 (tridhjetë e një) vjeç dhe paraqitet kaq i pasur sa për një mbrëmje për hatër të këngëtares kishte paguar tridhjetë mijë euro dhe më tej njizet të tjera dhe kështu me radhë (që të mos flasim për makinën e bizhutë që kanë kushtuar kushedi sa mijra të tjerë!) Asnjeri nuk pyet veten ose dhe të tjerët se si u pasurua ky 31-vjeçar në Shqipërinë e varfër?

Megjithatë edhe ky edhe këngëtarja na qënkeshin VIP-a ashtu si shumë të tjerë të këtij lloji. Me një fjalë është krijuar një “aristokraci” rrugaçësh, mafiozësh, hajdutësh e prostitutash që quhen VIP-a!

Kemi edhe rastin e disa “këngëtarëve”. “Stresi” quhet dikush i cili krekoset se jo vetëm është kapur nga policia duke shkelur rregullat, por i është gjetur drogë dhe armë pa leje dhe kur e çuan në komisariat ky bandill “u arratis” duke mos i hyrë gjëmb në këmbë madje- madje krenohet se ja ka hedhur poilicisë dhe qeverisë meqënëse ai dhe i ati janë të përkëdhelurit e opozitës.  Një tjetër quhet Noizy (Zhurmë, e saktë!) edhe ky është VIP!

Lexova në një gazetë shqiptare për fejesat e pafat të disa femrave të njohura si VIP-e se si të gjitha këto ishin lidhur me burra mafjozë të cilët ose i kanë vrarë ose janë të burgosur ose akoma të zhdukur. Të gjitha këto femra “artiste të njohura”(domethënë VIP-e) i kanë zgjedhur këta mafiozë sepse ata kishin para dhe shpenzonin pa kursim që t’u plotësonin këtyre tekat!

Deformimi i të gjitha parimeve -kapitalizmi nga vetë natyra është një deformim klasor- të të ashtuquajturit kapitalizëm demokratik në Shqipëri ka arritur kulmin e shëmtimit. Çdo gjë mund të bëhet për hir të parasë. Nuk ka nder, nuk ka moral që nuk shitet e blihet në emër të parasë.

Kjo më kujton fjalët e një vajze që kishte ardhur në Athinë në fillim të shëmbjes komuniste. Ishte shumë e bukur dhe plot freski. Dikush i kishte vënë në vesh se po të punonte në ndonjë klub të natës do të bënte shumë shpejt para. Kur më pyeti për një punë të tillë i tërhoqa vëmëndjen se atje nuk bëhen punë të pastra për moralin e një vajze. Ajo m’u përgjigj: “Dhe kush pyet për moralin e vajzave tek ne tani? Dalin para? Kjo ka rëndësi!”

E thashë dhe më sipër se kriminalitet, prostitucion dhe korrupsion ka dhe në vendet e tjera që mburren për demokracinë e tyre, si rrjedhojë nuk është vetëm dukuri shqiptare. Dukuri shqiptare ështe se si lejohet çdo kusar të qarkullojë lirë dhe të kapardiset me paratë që i ka bërë në mënyrë të ndyrë. Si mund të pranohet që një birbo “si derr” të sillet egërsisht ndaj një femre ose të qarkullojë nëpër hotelet më të shtrënjta-akoma dhe jashtë vendit – sepse ka babanë deputet ose ministër apo ish ministër? Si është e mundur të durohet kur paraqitet në media si “jetë VIP-ash” se si zbaviten në mënyrë të shthurur “fëmijët e të pasurve dhe politikanëve shqiptarë”?

Sa shumë të pasur ka Shqipëria dhe si u pasuruan brenda një kohe të shkurtër këta që paguajnë shuma të shfrenuara që të zbaviten fëmijët e tyre? Apo kur paraqiten mbesa e ish-presidentit ose e fejuara e të birit të ish-kryeministrit, gjysmë të zhveshura se gjoja na qënkan modele ose blogere? Nuk e kuptojnë të gjithë këta se po bëhen gazi i botës?

Shqipëria është vend i vogël dhe pothuajse të gjithë banorët njihen me njëri-tjetrin. Nuk besoj se është e pamundur të kontrollohen njerëzit. Si mund të besojmë diçka të mirë kur të gjithë politikanët, pa përjashtim, janë pasuruar në kurriz të popullit fukara?

Shqiptari e do demokracinë, shqiptari e ka dashur atdheun, por “VIP-at” e kanë trullosur e kanë bërë të urrejë vendin e tij.

Këta “aristokratë-VIP-a” që deri dje qarkullonin me opinga, nuk mund të përfaqësojnë popullin e ndershëm që akoma rron me djersën e ballit. Këta VIP-a qesharakë duhet të demaskohen dhe të paraqiten ashtu si janë lakuriq nga çdo pikpamje: patriotizmin, moralin dhe humanizmin. Besojmë-duam të besojmë- se me Vetting-un në drejtësi edhe këta maskarenj do të gjejnë vendin e tyre në koshin e mbeturinave.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne