Viti 2018, një periudhë kyçe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë

2018-a është një vit kyç për Shqipërinë në aspektin e çeljes së negociatave në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kjo ka qenë deklarata e thënë më shumë nga drejtuesit e BE-së në këtë fund viti teksa flisnin për Shqipërinë dhe 6 muajt që e ndajnë atë nga raporti i Komisionit Evropian dhe vendimi i Këshillit të Ministrave të vendeve të Unionit.

Por sigurisht, deri atëherë duhet që Shqipëria të tregojë rezultate konkrete sidomos për sa i përket reformave shtetndërtuese, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe respektimit të së drejtave të njeriut.

“Tirana ka nisur reforma të rëndësishme në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës. Dhe për të gjitha çështjet kryesore të jashtme, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian janë në linjë me njëqind për qind. Për këto arsye, gjithashtu, kam konfirmuar vendosmërinë tonë për të ndjekur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”, është shprehur përfaqësuesja e lartë e Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini.

Për këtë, viti 2018 shihet si një test mjaft i rëndësishëm për klasën politike shqiptare. Të gjithë pyesin a do të jetë Shqipëria e aftë që në 6 muaj t’i tregojë Evropës se e meriton çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian? A do të arrijë klasa politike shqiptare që të tejkalojë agjendën politike të ditës dhe të bashkëpunojë sa i përket problematikave të integrimit, në mënyrë që çdo shtet anëtar i BE-së të bindet plotësisht që Shqipëria e meriton të avancojë në rrugën e saj drejt BE-së?

Por një nga objektivat kyç të 2018-s, e cila është reforma në drejtësi, pritet të japë rezultatet e para që në muajin janar. Këto rezultate do të jenë përcaktuese për raportin e Komisionit të Bashkimit Evropian në fillim dhe për vendimin e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare për të hapur ose jo negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE.

Zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme me mandat të përkohshëm u pa edhe nga partnerët ndërkombëtarë, SHBA-ja dhe BE-ja, si një hap përpara në reformën në drejtësi.

Kryeministri Edi Rama, pas takimit me shefen e diplomacisë evropiane dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, u shpreh se “ka qenë shumë e qartë se edhe vendimi në Kuvend i ka shërbyer rritjes së besimit se reforma në drejtësi do të shkojë në drejtimin e duhur dhe se ka një vullnet të palëkundur për ta çuar këtë reformë përpara”.

Megjithatë ftesat e mazhorancës ndaj opozitës për ta zgjedhur me dialog Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të përkohshëm nuk gjetën përgjigje pozitive. Opozita ka paralajmëruar protesta në ditët e para të janarit dhe duket se politika shqiptare do të jetë e tensionuar edhe për disa kohë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne