Shqiperia

Vizita dy ditore në Gjermani/ Deutsche Welle: Rama për lobim te CDU/CSU, nuk u takua me Merkel

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria nuk e ka të sigurt, se do të marrë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në. Gjermania është një nga vendet dyshuese.

Burime të Deutsche Welles bëjnë të ditur se kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndodhet për një vizitë dyditore në Gjermani.

Ai është takuar të enjten, 17.09.20 në mbrëmje, në një darkë me një grup parlamentarësh nga Bundestagu Gjerman. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

Taulant Balla, i cili është edhe kryetar i Shoqatës Parlamentare të Miqësisë Shqipëri-Gjermani.

Sipas qarqeve ne Berlin, Rama ndodhet në Gjermani për të lobuar te grupi parlamentar më i madh në Bundestag, CDU/CSU, për t’i dhënë Shqipërisë po-në e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me BE–në.

Por siç mësoi DW nga qarqet parlamentare pranë CDU/CSU, në takim nuk merrte pjesë as kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadephul, dhe as kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum.

Ende shumë punë

Në një konferencë të Institutit Aspen në Berlin, të zhvilluar të enjten, me 17.09., si dhe në një konferencë të mëparshme të zhvilluar javën e kaluar në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, të dyja me rregulla “chattam house”, ka dalë në pah, se deri tani vendet e zakonshme skeptike të BE-së, ndër to edhe Gjermania, nuk janë bindur ende se Shqipëria e meriton çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Dy pikat më delikate në argumentimin e skeptikëve nga Gjermania janë: ligji anti shpifje dhe ndryshimet që iu bënë marrëveshjes së 4 korrikut për ligjin elektoral në parlament, vetëm disa ditë pasi palët, opozita dhe qeveria, ishin dakordësuar pas ndërhyrjeve të diplomatëve perëndimorë në Shqipëri.

“Do të duhet shumë punë diplomatike dhe politike deri sa të vijë te hapja e konferencës së parë ndërqeveritare”, thonë skeptikët në Berlin.

Nuk takohet me kancelaren

Kohët e fundit Shqipëria është lëvduar nga qeveria gjermane për angazhimin e saj për të ndërmjetësuar në konfliktin e Bjellorusisë. Por, ndryshe nga ç’ishte raportuar më parë nga disa mediume të Tiranës.

Rama nuk ka pasur takim me kancelaren Angela Merkel, i thanë DW-së burime diplomatike nga Berlini. Sipas burimeve të DW, në mesditë, Edi Rama do të niset për Bavari. / Deutsche Welle

OPINIONE

INTERVISTA