Vlera dhe shtrenjtësia e njeriut në fenë Islame!

Nga Dr. Klodjan Zaimaj

Në fenë Islame qënia njerëzore është e nderuar, meriton vlerësim dhe respektim, pa dallim dhe përjashtim të ngjyrës, kombit, seksit ose fesë.

Jo vetëm kaq, por qënia njerëzore rënditet në statusin, gradën dhe pozitën më të lartë – midis krijesave të shumta të Zotit – pa marrë parasysh origjinën, ngjyrën, fenë dhe besimin e njeriut.

Zoti i Madhëruar e krijoi njeriun me nder e privilegj, dhe askush nuk mund ta privojë atë nga ky dinjitet me të cilën Ai e krijoi, dhe e bëri atë prej natyrës së tij!

Është me rëndësi të dimë se njerëzit janë të gjithë të barabartë në këtë privilegj që Zoti e krijoi njeriun, dhe nderimin që i bëri atij, qoftë ai musliman apo jo-musliman, sepse dinjiteti njerëzor është një e drejtë e zakonshme e natyrore, ku gjithë secili e gëzon atë pa përjashtim, që me lindjen e ardhjen e njeriut në jetë, dhe ekzistencën e tij në këtë botë!

Thotë Allahu i Madhëruar:”Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam atyre të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i veçuam e lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam”. [Surja Isra:70].

Ky nderim në të vërtetë është një privilegj që tregon veçimin, përsosmërinë dhe vlerësimin më të lartë që Zoti i Madhëruar i ka bërë njeriut!

Prandaj Islami i obligon njerëzit të respektojnë dinjitetin njerëzor që Zoti i Madhëruar ia dhuroi njeriut, prej mirësisë, mëshirës e dhuntis së Tij, pa bërë asnjë dallim midis muslimanit dhe  jo-muslimani, duke pohuar se të gjithë njerëzit janë të barabartë në këtë nderim.

Barazia e njerëzve në këtë nderim, tregohet fare qartë edhe në predikimin e Profetit Muhamed- paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të – në haxhin lamtumirës, ​​i cili ka thënë: ((O njerëz, me të vërtetë Zoti juaj është Një, dhe babai juaj është një, ju të gjithë jeni pIotesisht të barabartë në të drejta dhe detyra. Nuk ka kurrfarë përparësie arabi ndaj jo-arabit, e as jo-arabi ndaj arabit, as i ziu ndaj te kuqit, e as i kuqi ndaj te ziut përveç me devotshmëri. Të gjithe jeni bijtë e Ademit, ndërsa Ademi është prej dheut”.

Ndërsa dallimi i njerëzve në ngjyrë, gjini dhe gjuhë, nuk është gjë tjetër vetëm se një nga argumentet e tjera madhore të Zotit, që tregon se origjina e krijimit të njeriut vjenë nga Zoti i Plotfuqishëm.

Thotë Allahu i Madhëruar:”Nga argumentet e Tij është krijim i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëz”. [Surja Rum: 22].

Ky ndryshim natyror midis njerëzve, është një arsye tjetër e fortë dhe bindëse, se njeriu është krijesa më e bukur dhe e mrekullueshme e Zotit!

Thotë Zoti i Madhëruar:”Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur”. [Surja Tin: 4].

Zoti e krijoi njeriun në formën më të bukur, dhe i siguroi atij mjetet e jetesës, si dhe zbriti për të një sëri rregullash të cilat përfshijnë dispozitat morale, arsimore, ekonomike dhe legjislative bazë të jetës së njeriut, me qëllim ti tregojë atij mënyrën e saktë të drejtimit dhe sundimit në tokë, dhe të cilat plotësojnë nevojën njerëzore, natyrën dhe instinktin që Zoti e krijoi njeriun.

Kjo, ngase nuk mund të rregullohet rendi në tokë, dhe as nuk mundet të zbatohet e praktikohet drejtësia hyjnore në të, vetëm se me anë të rregullimit dhe udhëzimit të qënies njerëzore, si në anën individuale ashtu edhe në anën sociale e shoqërore.

Kurani i Shenjtë e tregonë këtë qëllim fisnik dhe thotë:”O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është i devotshëm (ruajtur nga të këqijat)”. [Surja Huxhurat: 13].

Parimet, mësimet dhe vlerat e Islamit janë bazuar në respektimin, dhe ruajtjen e dinjitetit njerëzor, dhe në thellimin e ndjenjës njerëzore ndaj këtij dinjiteti, pasi Islami në ligjet dhe qëllimet e tija synon lumturinë dhe mirëqenien e njeriut, duke larguar çdo dëmë e të keqe prej tij!

Prandaj për të realizuar këto objektiva hyjnore, Zoti i Madhëruar dërgoi Profetët e zbriti librat!

Thotë Allahu i Lartësuar:”Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët”. [Surja Tevbe: 128].

Kështu që Islami përveçse ka treguar vlerat e njeriut, ai njëkohësisht ka treguar edhe qëllimin kryesor së ardhjes dhe ekzistencës së tij në këtë jetë, i cili është besimi i Zotit dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit të Tij.

Allahu i Madhëruar thotë:”Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”. [Surja Dharijat: 56].

Dhe për shkak se njeriu ka një vlerë të jashtëzakonshme në Islam, Zoti i Madhëruar e bëri atë mëkëmbës dhe drejtues në tokë, që të gjykojë me drejtësi, sipas ligjeve dhe vullnetit të Tij, prandaj dërgoi Profetët tek ata dhe zbriti librat e Tij, dhe i tregoi rregullat e ligjet që i nevojiten atij për të drejtuar e sunduar tokën sipas vullnetit të Zotit të  Tij!

Thotë Zoti i Madhëruar:”(Përkujto o  Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një mëkëmbës!” Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!” [Surja Bekare: 30].

E vërteta e pakontestueshme në këtë që thamë më lartë, është se nuk ka nder më të madh për njeriun se sa krijimi i tij nga Zoti i Madhëruar, i cili e krijoi babanë e njerëzimit Ademin – paqja e Zotit qoftë mbi të – me dorën e tij, pastaj i dha shpirtin nga ana e Tij, dhe më pas urdhëroi edhe engjëjt ti bëjnë sexhde ati, si shenjë nderi e respektimi ndaj krijesës së Tij.

Thotë Zoti i Madhëruar:”Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj një njeri nga balta.
Dhe kur ta kem përsosur atë dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë përuljuni atij (në sexhde)”. [Surja Sad: 71-72].

Me anë të këtij shpjegimi dhe fakti real, feja islame përpiqet të japë një mesazh të qartë e të prerë, të gjithë atyre që përpiqen ta përshkruajnë njeriun vetëm si qënie matriale, pa vlera e dinjitet, duke treguar ndryshimin e madh midis pikpamjes së qënies njerëzore në Islam, që e shehë njeriun si krijesë e mrekullueshme hyjnore, dhe përshkrimit që i bëhet njeriut në botën materiale imagjinare, të cilët e shohin njeriun si një qënie pa vlera, dhe me prejardhje nga majmuni!?

Pra, Islami në ndryshe nga teoria materiale ateiste, jo fetare e Darvinit, e cila mohon në mënyrë absurde dhe aspak bindëse lidhjen e njeriut me Zotin e tij, ai pranon se zanafilla dhe origjina e krijimit të njeriut është vetëm nga Zoti!?

Dhe si rrjedhojë, teoria sataniste e Darvinit, ndërpreu në mënyrë kategorike marrëdhëniet e njeriut me Zotin, Krijuesin e tij, duke zhvlersuar dhe përçmuar llogjikën dhe intelektin e pastër të njeriut!!

Kjo teori nuk mund të emërohet tjetër, vetëm si përbuzje, degradim dhe përçmim e nënvlerësim të qënies njerëzore, si krijesa më e bukur dhe e veçantë e Zotit, Krijuesit të gjithësisë.

E vërteta e qartë dhe e pakontestueshme është se, Zoti i Madhëruar i krijoi të gjithë njerëzit nga toka (balta, dheu) dhe i bëri banues (trashgues, pasardhës) të tokës ku ne jetojmë, dhe i bëri ata partnerë në përgjegjësinë e ndërtimit dhe drejtimit, dhe qytetërimin e saj, si në anën matriale, ashtu edhe në atë morale.

Zoti i Madhëruar thotë:”Adhurojeni Allahun, ju nuk keni ndonjë zot tjetër pos Tij, Ai së pari ju krijoi nga dheu dhe ju bëri banues të tij, andaj kërkoni falje prej Tij, dhe shprehni pendim te Ai”. {Surja Hud: 61}.

Për këtë arsye, Zoti e dalloi njeriun me mendje dhe llogjik nga çdo krijesë tjetër, dhe e pajisi atë me dije dhe njohuri, në mënyrë që të kryejë misionin fisnik të tij, për të cilin u nderua dhe zbrit në tokë, dhe të marri përsipër përgjegjësitë e tij fetare, morale, sociale, familjare, kulturore, financiare dhe ekonomike etj në këtë jetë, sipas ligjeve dhe rregullave që ka urdhëruar Krijuesi e tij.

Nuk duhet të harrojmë se, prej nderimit të njeriut në këtë botë, është ruajtja e shpirtit dhe jetës së tij, prandaj nuk lejohet fyerja, shtypja, vrasja ose shkelja e të drejtave të tij.

Pikërisht kjo është ajo që na mëson Kuranit Fisnik, dhe suneti i të Dërguarit të Zotit, profeti Muhamed – paq’ja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të -.

Thotë Allahu Fuqiplotë:”Kush vret (mbyt) një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit”. [Surja Maideh: 32].

Në këtë kontekst, kushdo që vret një njeri, dhe derdh gjak në tokë me pa të drejtë, ai është kriminel, prishës dhe shkatërrues në tokë, ekstremist dhe terrorist!

Allahu thotë:”Dhe mos e vrisni njeriun që Allahu e ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (nëse vret). E kush vritet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë)”. [Surja Isra:33].

Ndërsa në hadithin kudësij Zoti i Madhëruar thotë:”O robërit e Mij (pa dallim), Unë ja kam ndaluar zullumin (padrejtësin) vetes Time, dhe e kam bërë atë të ndaluar edhe në mesin tuaj, kështu që mos i bëni padrejtësi njëri tjetrit”. [TransMuslimi].

Edhe dërgimi i Profetit Muhamed – paq’ja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të- si mëshirë për të gjitha krijesat, dhe në veçanti tek njerëzit, nuk është  vetëm se një llojë tjetër nderimi dhe vlerësimi që Zoti i ka bërë njeriut!

Thotë Zoti në Kur’an:”E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”. [Surja Enbija: 107].

Mëshira në këtë ajet nuk është specifike vetëm për muslimanët, por është për të gjithë njerëzit, pavarësisht feve ose kombeve të tyre.

Kurse në lidhje me drejtësin, Zoti i Lartësuar kur urdhron për drejtësi në Kur’anin Famëlartë, Ai nuk e specifikoi atë vetëm për besimtarët, por e bëri për të gjitha qeniet njerëzore, qofshin ata edhe jomyslimanë!!

Allahu thotë:”O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë”. [Surja Maideh: 8].

Kjo pra, është pikpamja filozofike islamike rreth njeriut, ekzistencës dhe qëllimin e krijimit të tij, prandaj dhe vendosi ta nderojë, respektojë, mëshiroj dhe dallojë qënien njerëzore në përgjithësi, pa dallime ngjyre ose feje, nga të gjitha krijesat e tjera në këtë univers./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne