Është votuar këtë të martë, më 5 maj, raporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë për vitin 2025. Në mbledhjen e Komisionit për Punët e Jashtme, eurodeputetët votuan me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim.
Në këtë raport të përgatitur nga Raportuesi për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, vlerësohet progresi i vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe theksohet rëndësia e reformave të mëtejshme për të garantuar një anëtarësim të qëndrueshëm dhe të suksesshëm.
Megjithatë, PE thekson se duhen reforma edhe më të thella dhe më të qëndrueshme, të cilat janë thelbësore për forcimin e institucioneve demokratike dhe për përmbushjen e kërkesave të BE-së.
Në të theksohet se nuk janë trajtuar rekomandimet e OSBE për Reformën Zgjedhore, ndërsa përmenden shqetësime për mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve.
Lufta kundër korrupsionit, thotë raporti është thelbësore dhe duhet rezultat për hetimin dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të niveleve të larta.
Raporti i këtij viti vendos një theks të veçantë edhe te reformat socio-ekonomike dhe përfitimet që duhet të kenë të gjitha segmentet e popullsisë.
Në të vlerësohet progresi në reformën e administratës publike, por theksonte se “nevojiten përpjekje të mëtejshme për të garantuar rekrutimin mbi bazë meritore dhe depolitizimin e shërbimit civil.”
Po ashtu Raporti vlerëson angazhimin e Shqipërisë për integrimin në BE, duke theksuar konsensusin e gjerë ndërmjet partive politike dhe mbështetje të fuqishme nga qytetarët për këtë proces.
Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave për anëtarësimin brenda 13 muajsh dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për reformën në drejtësi me vlerësim të veçantë punën e SPAK-ut.
Një çështje kyçe konsiderohet nevoja për vijimin e punës në përmirësimin e sistemit zgjedhor, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Mes të tjerash, raporti vlerëson gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për politikën e jashtme të BE-së dhe stabilitetin rajonal, pasi bashkëpunimi me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shihet si një element kyç i procesit të zgjerimit./tpz.al
















