Rajoni

VMRO-DPMNE dhe koalicioni: I fituam, por nuk i mposhtëm tërësisht

Pas votimit në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, kreu i opozitës maqedonase të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, Hristijan Mickovski, dhe kandidatja për presidente e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova, u adresuan në një konferencë për media, raporton Anadolu Agency (AA).

“I fituam, por nuk i mposhtëm tërësisht, prandaj edhe është i nevojshëm rrethi i dytë dhe fitore në rrethin e dytë. Kjo është një fitore e përbashkët për ne dhe Republikën e Maqedonisë”, theksoi Mickovski.

Kandidatja për presidente e mbështetur nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE, Siljanovska-Davkova, falënderoi të gjithë qytetarët të cilët sot shfrytëzuan të drejtën e votës, veçanërisht, siç tha ajo, atyre që ishin apolitikë dhe votuan për të.

Ajo theksoi se për të, e cila në fushatën e saj ka folur për mungesën e sundimit të ligjit, me rëndësi është që qytetarët e kuptuan dhe i dinë porositë e saj.

“Domethënë, opozita me të vërtetë pati sukses, jo vetëm t’u bëjë me dije, por edhe t’i bindë qytetarët që në mungesë të së drejtës dhe drejtësisë ne mund të tregojmë përralla për BE-në dhe NATO-n, për shkak se vetëm me plotësimin e kriterit themelor të Kopenhagës, sundimit të së drejtës, mund të fitohet fillimi i negociatave”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Ajo shtoi se vendit i duhet profil i ri i politikanëve që kanë kulturë politike demokratike dhe lidership evropian të guximshëm.

Siljanovska-Davkova paralajmëroi edhe shkaktimin e një “stuhie të re demokratike”, duke shtuar se “jorastësisht zgjedhjet presidenciale ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme parlamentare”./ AA

OPINIONE