Vonesat e aplikimeve në Agjencinë e Kadastrës shtojnë humbjet për shitblerjen dhe marrjen e kredive për prona!

Po shtohen kostot për agjencitë e pasurive të paluajtshme dhe qytetarët nga vonesat në shqyrtimin e aplikimeve pranë Agjencisë Shtetërore së Kadastrës për shkak të mbylljes së sporteleve fizikë.

Ndryshimi i sistemit me mbylljen e sporteleve dhe aplikimeve online, nisu nga 3 Korriku, pa pasur dixhitalizim të plotë të dosjeve të pronave.

Sipas agjencive imobiliare kjo vijon të sjellë bllokim te shitjet e pasurive të paluajtshme. Reforma synon dixhitalizmin e rreth 3,187,000 pasurive dhe skanimin e 2,252,000 dosjeve. Më herët nga të dhënat e publikuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës rezulton se nga 4,7 milionë pasuri të paluajtshme, ku vetëm 2,8 milionë pasuri kanë referencë pasurore dhe vetëm 700,000 prona rezultojnë të regjistruara me dosje të plotë.
Një nga drejtuesit e agjencive të pasurive të paluajtshme në Tiranë pohoi për Monitor se prej muajit qershor po përballen me vonesa apo moskthime përgjigjesh për aplikimet që kryejnë nëpërmjet zyrave të noterëve. Reforma për dixhitalizimin e totalit të kartelave të pasurive mundëson shqyrtimin online të aplikimeve nëpërmjet përzgjedhjes nga sistemi i algoritmit, me qëllim eliminimin e korrupsionit po krijon bllokim në shitjen e pasurive. Agjencitë imobiliare ngrenë shqetësimin se vonesat për shqyrtimin e aplikimeve që po zgjasin prej javësh jo vetëm që po shkaktojnë humbje për kryerje transaksionesh në shitblerjen e pronave, por edhe vonesa në marrjen e kredive.
“Kemi ende transaksione të muajit Qershor që si kemi zgjidhur dhe nuk dimë çfarë zgjidhje t’u japim. Aplikojmë për në Vlorë dhe Vlorës nuk i shfaqet aplikimi fare. Më pas për një tjetër aplikim na vjen përgjigje nga Korça që thotë ke mungesë dokumentacioni, por pa përcaktuar se cili dokument mungon. Jemi realisht shumë keq. Aplikojmë shërbime “fast” me dyfishin e pagesës për kartela të rifreskuara dhe nuk na dalin”, pohon një nga drejtuesit e agjencive imobiliare.

Kryetarja e Dhomës së Noterëve znj. Mimoza Sadushi e kontaktuar nga Monitor tha se arsyet e vonesave në shqyrtimin e aplikimeve për shërbime të ndryshme pranë Agjencisë së Kadastrës Shtetërore po ndodhin për shkak të transformimit rrënjësor të sistemit, duke nisur që me dixhitalizimin e plotë të kartelave të pasurive të paluajtshme me qëllim luftimin e korrupsionit dhe eliminimin e radhëve në shërbimet ndaj qytetarëve.

“Ndërmarrja e kësaj reforme të shumëkërkuar dhe e mbështetur nga noterët, si vendosja e radhës kush aplikon i pari përfiton shërbim i pari, vendosja e aplikimit fast i kërkuar me ngulm nga noterët për të cilin është gjetur mirëkuptimi nga Agjencia e kadastrës shtetërore, ishte e domosdoshme. Pavarësisht vështirësive që dalin si për noterët, qytetarët, bankat, bizneset dhe vetë kadastrën, ishte një nismë që duhet të niste. Rezultatet janë të dukshme. Për të arritur rezultatet maksimale kërkohet koha e nevojshme dhe mirëkuptimi i gjithë palëve”. Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve nënvizoi se disa prej shërbimeve të ofruara nga kadastra po funksionojnë pa vonesa, siç është shërbimi “fast” për aplikimet te rifreskimet e kartelave të pasurive.

Për problematikën e krijuar me shqyrtimin e aplikimeve në ASHK, kryeministri Edi Rama në reagimin e tij në rrjetet sociale pohoi se zbatimi i reformës po zhbën sistemin e vjetër të sekserëve.

“Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës. Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për ryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sëkëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit.

Ndërkohë që po, e vërtetë, s’funksionon më sistemi i vjetër, zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon pa pushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem armiqësor me korrupsionin dhe miqësor me qytetarin”, theksoi kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Mbyllja e plotë e sporteleve fizike të kadastrës po krijon probleme të mëdha edhe për sektorin bankar. Më herët edhe Shoqata Shqiptare e Bankave ngriti shqetësimin se moskryerja e veprimeve të bllokimit të pronave që lihen si kolateral është bërë një faktor me ndikim të rëndësishëm në frenimin e kredisë në dy muajt e fundit./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne