Gjyqtari u qëllua me tre plumba nga Elvis Shkambi në sallën e gjyqit. Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes. Flamuri në gjykatën e Apelit është ulur në gjysmë shtizë. Sot do mbahet një ceremoni private për gjyqtarin e ndjerë, nesër nderimet shtetërore.
TIRANË – Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj janë arrestuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e së hënës, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, palë në proces.
30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri tre herë ndaj gjyqtarit Kalaja pasi lexoi vendimin kundër xhaxhait të tij për godinën e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen “Skanderbeg”, që ai pretendon se është pronë e tij, dhe ku jetojnë 31 familje që prej 1992. Kurtajt kishin paditur zyrën përmbarimore në Shkodër kundër vendimit për të liruar pronën që Shkambi thotë se është trashëgimtar.
Report TV zbardh dëshminë e autorit, i cili pretendon se nuk e ka menduar përpara vrasjen.
Më kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet. Dëgjova që mori vendimin në favor të palës tjetër. Unë nuk e kam menduar përpara vrasjen por aty m’u mbush mendja për ta vrarë kur dha vendim kundër nesh.”, ka thënë 30-vjeçari.
Policia thotë se gjatë kohës që Elvis dhe Gjon Shkambi dhe kanë kaluar nga pajisja e detektorit rreth orës 13:42, ekrani ka sinjalizuar me dritë të kuqe prezencën e metaleve por punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk i ka kontrolluar. Punonjësi gjithashtu nuk ka kryer as regjistrimin e tyre në librin e protokollit ku evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga gjykata.
30-vjeçari dhe xhaxhai 56-vjeçar kanë qëndruar në hollin e pritjes deri në orën 15:29 dhe më pas janë futur brenda sallës së gjyqit. Në orën 15:35, në momentin që gjyqtari Kalaja ka shpallur vendimin, Elvisi ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë drejt gjyqtarit. Më pas, ai ka drejtuar armën edhe ndaj babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, me të cilët ishin në konflikt, duke i lënë të plagosur.
Pas masakrës, 30-vjeçari ka dalë nga salla e gjyqit dhe i ka drejtuar armën edhe një nëpunësi gjyqësor që ndodhej në një tjetër sallë. Pasi ka dalë në oborr është prangosur nga policia. Ndaj të riut rëndojnë tre akuza: e vrasjes së funksionarëve publikë kryer në bashkëpunim, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentativë, si dhe armëmbajtje pa leje.
Po ashtu, edhe ndaj 56-vjeçarit Shkambi rëndon akuza e vrasjes së funksionarëve publikë e kryer në bashkëpunim si dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë pasi dyshohet se ka pasur dijeni për planin e nipit por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Roja e sigurisë akuzohet për shpërdorim detyre. Gjon Shkambi kishte paralajmëruar veprime për këtë konflikt. Një 6 tetor të një viti më parë, në një emision televizi ai thote se do t’i hidhte të gjithë në erë për shkak të konfliktit për pronën.
Në Apel, ku ndodhi ngjarja, janë pezulluar seancat gjyqësore të ditës së sotme, dhe flamuri është ulur në gjysmë shtizë. Sot do të mbahet një ceremoni private për gjyqtarin e ndjerë, ndërkohë që nesër do të mbahen nderimet shtetërore në Pallatin e Kongreseve. Kalaja do të përcillet për në banesën e fundit në Shkodër.
Sherri për pronën, motiv i vrasjes
Konflikti në Shkodër lidhet me një godinë trekatëshe në lagjen “Skënderbeg”, ku disa familje janë strehuar që nga viti 1992. Në vitin 2012, Gjon Shkambi, që pretendon të jetë trashëgimtar i truallit, mori certifikatë pronësie duke ushtruar të drejtën e parablerjes nga Ministria e Financave dhe Bashkia e Shkodrës. Familjet pretendojnë se ai falsifikoi dokumentesh, ndërsa Shkambi i konsideroi zaptues.
Në 2015, Gjykata e Shkallës së Parë njohu Shkambin si pronar, por vendimi nuk u ekzekutua për shkak të kundërshtimit nga banorët, të cilët apeluan. Në 2018, Apeli riktheu çështjen në Shkallë të Parë për mungesë akt-ekspertimi. Prej atëherë, procesi vazhdon me gjyqe të shumta dhe përplasje të vazhdueshme, përfshirë edhe seancën e djeshme pasi familjet u gjobitën nga përmbarimi që nuk ekzekutoi dot vendimin.


















