Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, i cili akuzohet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, xhaxhain e tij, Gjon Shkambi dhe si edhe punonjësin e sigurisë Banush Koxhajn.
Ndërkohë, punonjësi i sigurisë ka thënë para togave të zeza se kur autori ka kaluar në skaner, nuk ka qenë mirë me shëndet dhe i kishte kërkuar pushim kancelares.
“Në momentin që kaluan në skaner nuk kam qenë mirë me shëndet. Kam njoftuar kancelaren dhe i kam kërkuar pushim”, dëshmoi punonjësi i sigurisë.
Seanca ndaj tre të aluzuarve u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, krim i ndodhur mesditën e 6 tetorit.
Gjithashtu në ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën, 30-vjeçari plagosi me armë zjarri në Gjykatë edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë në proces.
Elvis Shkambi përballet me tre akuza të rënda: Vrasje e funksionarëve publikë, Vrasje në rrethana cilësuese kundër palëve të përfshira në proces, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake.
Në lidhje me xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, organi i akuzës dyshon se kishte dijeni për planin e nipit të tij për të sulmuar palën kundërshtare në çështjen gjyqësore.
Prokuroria ngriti dyshime se Gjon Shkambi ka pasur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, me të cilët është në konflikt për një pronë në Shkodër.
Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.
Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion./pamfleti
















