Bota

Vrasja e Khashoggit hap diskutimet për Konventën e Vjenës

ŞERİFE ÇETİN

Pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, janë intensifikuar diskutimet mbi Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963.

Konventa e Vjenës është bërë pjesë e diskutimeve së pari nga Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, pas zhdukjes së Khasgoggit më 2 tetor pas hyrjes për procedurat zyrtare në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll.

Me qëllim të qartësimit të detajeve të zhdukjes së gazetarit Khashoggi, Bachelet tha se duhet menjëherë të hiqet dorë nga të drejtat e privilegjeve dhe të imunitetit që u jepen konsullatave nga Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

Edhe Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, është shprehur se, “Detajet tronditëse të vdekjes së Khashoggit dhe shkeljet tronditëse të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963 janë shumë shqetësuese”.

Mogherini rikujtoi se vrasja e Khashoggit në konsullatë është një shkelje e nenit 55 të Konventës, në veçanti “që konsullata duhet të respektojë ligjet dhe rregulloret e vendit në të cilin ndodhet”.

Po ashtu edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në deklaratat e tij të rëndësishme në lidhje me vrasjen e Khashoggit, ka theksuar se, “Konventa e Vjenës e cila aktualisht përfshin imunitetin diplomatik tashmë është bërë e diskutueshme. Në këtë drejtim kohët e fundit deklarata ka bërë edhe Mogherini. Me shumë mundësi tani Konventa e Vjenës do të diskutohet në tryezë. Për shkak se në etapën e parë për ndërtesën e konsullatës dhe zyrtarët e saj nuk mund të kryhet ndonjë procedurë”.

– Çfarë është Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore

Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore e cila është në rendin e ditës të komunitetit ndërkombëtar pas zbulimit të vrasjes së Khashoggit në konsullatë, përcakton rregullat bazë për vendet palë për të kryer aktivitetet e tyre konsullore.

Marrëveshjen me 79 nene e cila hyri në fuqi në vitin 1963 në kuadrin e OKB-së e kanë miratuar 179 vende.

Nenet e konventës vendosin rregulla për shumë çështje të ndryshme, siç janë detyrat e nëpunësve konsullorë dhe civilë, emërimi i zyrtarëve konsullorë, shpallja e “personit të padëshiruar”, ndërtimi i konsullatës, privilegjet dhe imunitetet që lidhen me konsullatën dhe anëtarët e saj dhe respektimi i ligjeve të shtetit pritës.

– Khashoggi dhe Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore

Sa i përket vrasjes së Khashoggit në konsullatë, vlen të përmenden disa nene mbi konventën.

Sipas nenit 31 të Konventës të titulluar “Imuniteti i ndërtesave konsullore”, autoritetet e vendit pritës ku ndodhet ndërtesa e konsullatës nuk kanë autoritetin të hyjnë në “pjesën e ndërtesës që përdoret për punë konsullore” pa miratimin e shefit konsullor. Në ndërtesë mund të hyhet vetëm në rast zjarri ose fatkeqësie duke e konsideruar lejen e marrë nga shefi i konsullatës.

I njëjti rregull vlen edhe për automjetet zyrtare të konsullatës. Por nuk është e nevojshme për leje për të kontrolluar banesën e konsullit.

Nga ana tjetër, në nenin 41, me titull “Imunitetit personal i nëpunësve konsullorë” thuhet se “arrestimi ose ndalimi i zyrtarëve konsullorë kryhet vetëm në rast të një krimi të rëndë dhe me vendimin e autoritetit gjyqësor kompetent”.

Sipas konventës, anëtarët e konsullatës mund të thirren për të dëshmuar gjatë procedurave gjyqësore dhe administrative. Megjithatë, nëse zyrtari konsullor refuzon të dëshmojë, për këtë person nuk mund të vendoset asnjë masë shtrënguese ose dënime të tjera.

Neni 4 i konventës me titull “Ndërtimi i konsullatës” thotë se konsullata mund të ndërtohet vetëm me pëlqimin e vendit pritës. Në këtë kontekst, vendi pritës mund të tërheqë pëlqimin e tij dhe të mbyllë konsullatën.

Ndërsa neni 55, i titulluar “Respektimi i ligjeve dhe rregulloreve të shtetit pritës” luan një rol të rëndësishëm në kontekstin e vlerësimit për vrasjen Khashoggi. Sipas nenit, personat që gëzojnë privilegjet dhe imunitetet e parashikuara nga konventa janë të detyruar të respektojnë ligjet dhe rregulloret e shtetit pritës.

– Rishikimi i konventës

Vlerësohet se konventa ku edhe Turqia edhe Arabia Saudite janë palë të saj luan një rol kufizues për hetimin e shpejtë të vdekjes së gazetarit saudit Khashoggi.

Ashtu sikurse e ka theksuar edhe presidenti Erdoğan në lidhje me procesin e “rishikimit mbi tryezë të konventës”, edhe specialisti i Institutit të Brookings dhe avokati i së drejtës ndërkombëtare Scott R. Anderson, ka deklaruar se “Në konventë nuk ka një proces të paracaktuar për ndryshimet. Vendet palë në konventës për ndryshime mund të vendosin së bashku ose të nënshkruhet një marrëveshje e re për të ndryshuar konventën”.

Anderson vuri në dukje se nuk do të ishte i lehtë riorganizimi i një konvente në të cilën 179 vende janë palë, por tha se palët kanë patur probleme herë pas here për shkak të mbrojtjes dhe imunitetit të dhënë nga konventa, dhe se në përgjithësi ata nuk janë të gatshëm që të tërhiqen nga marrëveshja për të mbrojtur të drejtat e tyre konsullore.

Duke theksuar se Turqia ka të drejtën për t’u tërhequr nga konventa, Anderson, tha se kjo do të jetë një anë negative, dhe se në këtë rast konsullatat turke jashtë vendit, do të privohen nga mbrojtja e siguruar nga marrëveshja.

Ndër të tjera Anderson, si një opsion tjetër ka theksuar se Turqia me vendet e tjera duke përfshirë edhe Arabinë Saudite mund të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe të reja mes qeverive në lidhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

Avokati Anderson vuri në dukje se në rast të shkeljes së konventës, vendet palë në përgjithësi deklarojnë “persona të padëshiruar”, personat lidhur me një çështje ose, në raste shumë serioze, preferojnë mbylljen e konsullatës.

Burimi: AA

OPINIONE

INTERVISTA