Vrasja e Liridonës, Prokuroria ngre akuzë zyrtare ndaj bashkëshortit të saj dhe tre personave

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përfunduar hetimet për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, pak më shumë se një vit pas ngjarjes.

Bashkëshorti i 30-vjeçares, Naim Murseli, është një prej të akuzuarve për vrasjen e Liridonës, me të cilën ajo jetonte në Suedi dhe kishin dy fëmijë. Të tjerë të akuzuar janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinčević, deklaroi se për momentin nuk mund të japë shumë detaje mbi aktakuzën, por theksoi se gjatë periudhës kur jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore” që sollën edhe probleme pronësore mes tyre.

“Arsyet e tjera që mund të kenë shtyrë Naimin të planifikonte dhe kryente këtë vrasje do të mësoni gjatë seancës gjyqësore,” shtoi Perlinčević, e cila nënvizoi se identifikimi i motivit ka kërkuar më shumë kohë për ngritjen e aktakuzës.

Në një konferencë për shtyp, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, e cilësoi këtë rast si shumë të ndjeshëm dhe njoftoi se hetimet ishin zhvilluar në shumë drejtime.

“Kjo është një vepër penale e rëndë, e kryer nga një anëtar i familjes dhe në mënyrë dinake. Për këtë arsye, presim që gjykata të shqiptojë një dënim të përshtatshëm,” tha Gashi.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë, në moshën 30-vjeçare. Fillimisht, rasti u raportua si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por pas dy ditësh, më 1 dhjetor 2023, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar dy persona, përfshirë Naim Murselin, bashkëshortin e Liridonës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar disa herë masën e paraburgimit për tre të dyshuarit, Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën. Ndërkohë, për të katërtin, T.D., Gjykata Supreme ka ndërprerë masën e paraburgimit, duke lejuar mbrojtjen e tij në liri. Ai u arrestua më 9 dhjetor nën dyshimin se kishte shitur armën dorasit.

Hetimet/ Vrasja e Liridonës, Prokuroria ngre akuzë zyrtare ndaj

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne