Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me burgim të përjetshëm Edmond Lajçin, i cili qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, Gjyljeta Ukelli, krim në familje i ndodhur më 16 Prill të këtij viti.
Gjykatësi Musë Povataj tha se autori i krimit kishte kryer veprën “vrasje e rëndë”, ndërsa për “armëmbajtje pa leje”, i akuzuari nuk është dënuar derisa të konfiskohet arma me të cilën është kryer krimi.
Vendimi i togave të zeza është mirëpritur nga familja e të viktimës. I vëllai i Gjyljeta Ukellit tha se ky dënim “ua lehtësoi sado pak dhimbjen”.
Më 16 prill të këtij viti, Edmond Lajçi vrau bashkëshorten e tij me armë zjarri në banesën e tyre në Pejë. Më pas autori, telefonoi vetë policinë pasi kreu krimin duke u shprehur “e vrava gruan”.
Sipas aktakuzës, Edmond Lajçi kishte pasur probleme të vazhdueshme me bashkëshorten dhe se kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj./Panorama