Ja si e ndërton SPAK profilin e një pushtetari të zhytur në pasuri…
Kreu i SPAK Altin Dumani vijon të fusë në panik pushtetarët. Shumë emra të rëndësishëm janë sot pas hekurave dhe mjaft të tjerë nën hetim. Por duket se SPAK nuk do të ndalet me kaq, pasi do të shkojë dhe te pasuritë.
Të gjithë e dimë se pasuritë janë “Thembra e Akilit” për shumë ministra, ish-ministra, deputetë dhe funksionarë të lartë. Ka emra që zotërojnë pasuri me miliona euro dhe nëse nuk bëhet konfiskimi i tyre, dënimi me burg është i pavlerë. Por, duket se SPAK ka vendosur të gërmojë se ku i kanë gjetur pushtetarët milionat. “Pamfleti” ka siguruar një udhëzim të firmosur nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili ka të bëjë me hetimin financiar dhe pasuror të subjekteve që janë në juridiksionin e SPAK. Në udhëzim tregohet me detaje se si do të veprojë një prokuror gjatë hetimit financiar, teksa bëhet me dije se SPAK do të skanojë gjithçka. Vetë prokurorët do të kenë akses në 29 data-baza.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve penale, në mënyrë paralele kryhet edhe hetimi financiar ose pasuror për personat e dyshuar për kryerjen e veprave penale, të cilat gjenerojnë të ardhura pas identifikimit të subjektit dhe ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm për veprën penale. Në raste të veçanta, kur vlerësohet e nevojshme për të ruajtur “sekretin hetimor” të hetimit penal, hetimi pasuror apo veprime të caktuara të hetimit pasuror mundet të kryhen në një moment të mëvonshëm. Hetimi financiar nuk kufizohet vetëm tek autorët e veprës penale, por duhet të zgjerohet edhe tek persona të tretë, pavarësisht nëse janë individë ose subjekte, të cilët me veprimet e tyre tentojnë të justifikojnë ligjërisht të ardhurat e fituara nga veprimtaria kriminale”, theksohet në udhëzim. Sinjalet janë se do të ketë zhvillime shumë të forta. Kushdo që sot është në hetim nga SPAK për afera korrupsioni, duhet ta dijë se i janë futur në skaner pronat dhe me gjasë do të kemi zbulime tronditëse gjatë vitit 2025.
Pjesë nga udhëzimi
Neni 7- Fillimi i hetimit pasuror dhe financiar
1. Gjatë zhvillimit të hetimeve penale, në mënyrë paralele kryhet edhe hetimi financiar ose pasuror për personat e dyshuar për kryerjen e veprave penale, të cilat gjenerojnë të ardhura pas identifikimit të subjektit dhe ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm për veprën penale. Në raste të veçanta, kur vlerësohet e nevojshme për të ruajtur “sekretin hetimor” të hetimit penal, hetimi pasuror apo veprime të caktuara të hetimit pasuror mundet të kryhen në një moment të mëvonshëm.
2. Hetimi financiar nuk kufizohet vetëm tek autorët e veprës penale, por duhet të zgjerohet edhe tek persona të tretë, pavarësisht nëse janë individë ose subjekte, të cilët me veprimet e tyre tentojnë të justifikojnë ligjërisht të ardhurat e fituara nga veprimtaria kriminale.
3. Rezultatet e hetimit financiar, sipas rastit, integrohen me ato të hetimit penal, ose të hetimit pasuror.
4. Në përfundim të hetimit financiar, kur është e mundur, prokurori duhet të identifikojë dhe të përfshijë në akuzën e ngritur vlerën specifike të parave ose të ardhurave, si edhe numrin dhe llojin e aseteve të fituara në mënyrë kriminale.
5. Në përfundim të hetimeve penale, prokurori nëse vlerëson se ekzistojnë kushtet për kryerjen e hetimeve të mëtejshme pasurore, regjistron referimin pasuror dhe vijon me kryerjen e verifikimeve pasurore sipas ligjit nr. 10192/2009. Nëse këto kushte nuk ekzistojnë, aktet e hetimit financiar mbeten pjesë e akteve të fashikullit të hetimit penal.
Neni 8- Hetimi pasuror
1. Prokurori, brenda 30 ditëve nga mbërritja/regjistrimi i materialit të verifikimit paraprak nga policia gjyqësore e strukturës hetimore të posaçme nga Policia e Shtetit, hetuesit e BKH-së, ose hetuesit e SHF-së, bazuar në aktet e referuara, verifikon dhe vlerëson ekzistencën e elementeve thelbësore të faktit dhe kushteve e kritereve ligjore sipas përcaktimit në nenin 3 të ligjit nr. 10192/2009, dhe vendos:
a) Në rastet kur prokurori vlerëson se nuk ka të dhëna, indicie ose akte/dokumente që evidentojnë elemente thelbësore të faktit për zbatimin e ligjit nr. 10192/2009, ose nuk ka pasuri për të cilat mund të kërkohet aplikimi i masave parandaluese pasurore vendos kthimin e akteve për plotësim ose arkivimin e materialit referues.
b) Në rastet kur ka të dhëna, indicie ose akte/dokumente për personat dhe pasuritë që evidentojnë elementet thelbësore të faktit për zbatimin e ligjit nr. 10192/2009, ose ka pasuri për të cilat mund të kërkohet aplikimi i masave parandaluese pasurore, prokurori regjistron referimin pasuror dhe urdhëron kryerjen e verifikimeve paraprake pasurore.
c) Në rastet kur prokurori vlerëson se nuk ka kompetencë shpall moskompetencën dhe përcjell aktet prokurorisë kompetente.
2. Me regjistrimin e referimit pasuror, prokurori dhe policia gjyqësore kryejnë të gjitha verifikimet e mundshme dhe të nevojshme pasurore sipas kërkesave të neneve 3, 5, 6, 8 dhe 9 të ligjit nr.10192/ 2009.
3. Verifikimet pasurore duhet të përfundojnë brenda afatit të arsyeshëm për përfundimin e tyre, në varësi të nevojave për kryerjen e verifikimeve pasurore, marrëdhënies me masat e sigurimit pasurore të vendosura në kuadër të procedimit penal, si dhe kompleksitetit të verifikimeve pasurore.
4. Gjatë verifikimeve pasurore ose në përfundim të tyre, prokurori vlerëson nëse ekzistojnë kushtet për vendosjen e masave parandaluese pasurore sipas ligjit nr. 10192/2009, dhe nëse këto kushte ekzistojnë, procedon me regjistrimin e procedimit pasuror.
5. Nëse në përfundim të verifikimeve pasurore, prokurori vlerëson se nuk ekzistojnë kushtet për vendosjen e masave parandaluese pasurore sipas ligjit nr. 10192/2009, atëherë vendos mosfillimin e procedimit pasuror.
6. Me fillimin e procedimit pasuror, prokurori mundet të paraqesë kërkesë për vendosjen e masës së sekuestrimit të pasurisë, sipas nenit 11 e vijues të ligjit nr.10192/2009, dhe kërkesë për konfiskimin e pasurisë, sipas nenit 21 e vijues të këtij ligji.
7. Afatet e procedimit pasuror janë të njëjta me afatin e kohëzgjatjes së masës së sekuestrimit të pasurisë.
8. Në përfundim të procedimit pasuror, jo më vonë se 5 (pesë) ditë para përfundimit të afatit të kohëzgjatjes së masës së sekuestrimit të pasurisë, ose para përfundimit të afatit të zgjatur të masës së sekuestrimit të pasurisë, nëse ekzistojnë kushtet e parashikuara në ligj, prokurori procedon me kërkesë për konfiskimin e pasurisë.
9. Nëse nuk ekzistojnë kushtet e parashikuara në ligj për konfiskimin e pasurisë, brenda afatit të parashikuar në pikën (7) të këtij neni, prokurori procedon me kërkesë drejtuar Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për revokimin e sekuestrimit të pasurisë.
10. Drejtuesi i Prokurorisë mund t’i kërkojë prokurorit të çështjes informacion me qëllim verifikimin e rregullshmërisë dhe vijueshmërisë së kryerjes së veprimeve në kuadër të hetimit pasuror.
Neni 10- Profili financiar
1. Hetuesit ndërtojnë profilin financiar të personit nën hetim apo subjektit të masave parandaluese, me qëllim identifikimin e pasurive produkt të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, identifikimin e burimeve të fshehura të të ardhurave ose aktiviteteve të paligjshme, identifikimin e pasurive që mund të sekuestrohen dhe të konfiskohen. Profili financiar i një personi ndërtohet duke analizuar dhe krahasuar pasuritë dhe mënyrën e pajustifikuar të jetesës me të ardhurat e ligjshme.
2. Për të hartuar një profil financiar të saktë, analizohen elementët e mëposhtëm:
a) Pasuritë, të tilla por pa u kufizuar vetëm në to, si dhe mënyra e fitimit të pasurive si: – pasuritë e paluajtshme të regjistruara, si dhe ato që zotërohen prej tyre në mënyrë indirekte;
-pasuritë e luajtshme të regjistruara si automjete, avione, jahte etj.,,
-pasuri të luajtshme të identifikuara si bizhuteritë, veprat e artit ose objekte koleksioni, etj…;
-tituj dhe instrumente ligjorë që vërtetojnë tituj ose interesa të tjerë në pasuri;
-likuiditete si llogari bankare, aksione, kapital aksionar dhe obligacionet, paratë
-jashtë banke (shumë të holla parash);
-huatë dhe kreditë;
-mënyra, vendi i ruajtjes së vlerave monetare etj. dhe deklarimi apo jo në organet përkatëse (si në tatime, ILDKPKI);
b) Të ardhura por pa u kufizuar vetëm në to, si dhe mënyra e fitimit të të ardhurave, si: – përfitime nga sigurimet e jetës, të pronës apo shëndetësore, përfitimet nga skemat private të pensioneve;
-shumat e fituara në kazino apo baste sportive;
– burime potenciale të ardhurash në të ardhmen nga të drejtat e kontestuara apo pretendimet për përmbushje detyrimesh nga të tretë;
-të ardhurat nga aktivitetet e pavarura;
-të ardhura nga bujqësia ose pemëtaria;
-dividenti, të ardhurat nga veprimtaria tregtare e individëve ose bashkëpunëtorëve informale;
-të ardhurat nga aktivitetet e konsulencës;
-të drejtat e marra nga organizime familjare;
-të drejtat e pronësisë intelektuale;
-të ardhurat që rrjedhin nga prona (qiraja, interesi etj.);
c) Shpenzimet të tilla por pa u kufizuar në to, si edhe mënyra e kryerjes së tyre si:
-pagesat e qirasë;
-normat e leasing-ut;
-pagesat në dorë ose me kartë krediti;
-pagesat e huasë dhe kredisë;
-udhëtimet duke pasur parasysh qëllimin e tyre, kohëzgjatjen dhe vendin e akomodimit;
-shpenzimet e kryera për pushimet;
-tarifat e shkollimit;
-pagesat e taksave;
-primet e sigurimit;
-detyrimi për ushqim (alimoni);
-paratë e shpenzuara në kazino ose në festa, etj.
3. Për çdo pasuri ose detyrim, nëse ekzistojnë dokumente që vërtetojnë këto elementë, duhet të identifikohen data e blerjes/transaksionit, personi nga i cili është blerë, ose për çfarë është bërë shpenzimi, qëllimi i tij, si është përdorur shuma e fituar, metoda e pagesës (në dorë, urdhër pagesë, transfertë bankare) dhe burimi i fondeve, garancitë e përdorura.
4. Pasuritë e subjektit në hetim duhet të përcaktohen jo vetëm duke identifikuar çmimet e referencës të përcaktuara me akte ligjore, siç është kostoja e shitjes së ndërtesave ose e automjeteve, të cilat shpesh përfshihen në kontratat e transferimit të pronësisë me një çmim të ulët. Nëse lind dyshimi për uljen e vlerës, hetuesi i SHF-së kryen një analizë për të përcaktuar vlerën e tregut të pasurive në pronësi ose përdorim nga individët në hetim.
Lista e Bazave të të Dhënave Shtetërore të Vlefshme për Hetimin Financiar
1. Sistemi i deklarimit të pasurisë dhe konfliktit të interesit – EACIDS.
2. Arkivi digjital i arkivit qendror teknik të ndërtimit.
3. Sistemi i menaxhimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore (CMIS).
4. Sistemi i menaxhimit të bordit dhe analizës financiare (SMBAF).
5. Sistemi i arkivimit dhe menaxhimit të dokumenteve të vjetërsisë në punë dhe periudhave
të sigurimit (DMAIS).
6. Sistemi i vlerësimit të Maturës Shtetërore.
7. Sistemi informatik financiar i qeverisë (SIFQ).
8. Regjistri Elektronik Shëndetësor Kombëtar.
9. Regjistri Elektronik i Subjekteve Kontrolluese.
10. Sistemi i Integruar Bibliotekar DATABKSH.
11. Sistemi i menaxhimit, Kalkulimit të Pagesës së Përfitimit (PCAMS). 12. Databaza Gjeografike për Regjistrimin e Aktivitetit në Terren të ASHA-s. 13. Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP).
14. Baza e të dhënave shtetërore të Sistemit të Provimit të Shtetit (SPSH).
15. Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Denoncimeve për Rekordet Korruptive” (këtu e në vijim “SEMDRK”).
16. Regjistri i ofruesve të shërbimit inovativ dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive të automatizuara”.
17. Regjistri i të dhënave të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to” 18. Regjistri elektronik i ekspertëve, i përkthyesve zyrtarë dhe interpretëve të gjuhëve të shenjave”.
19. Sistemi i Shërbimeve të Punësimit (SSHP).
20. Sistemit të Programit të Buxhetit Afatmesëm (SPBA).
21. Sistemit informatik të menaxhimit financiar (SIMF).
22. Baza e të dhënave shtetërore për hartën dixhitale të venddepozitimeve të mbetjeve urbane (shkurtimisht “HDVMU”).
23. Baza e të dhënave shtetërore të Shërbimit Noterial Shqiptar, të quajtur Regjistri Noterial Shqiptar (RNSH).
24. “Regjistri elektronik i kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtën e informimit” (në vijim “REKPDI”).
25. Baza e të dhënave shtetërore të studentëve, të cilët studiojnë jashtë vendit, dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë 26. Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar.
27. Regjistri Kombëtar i Pasurive Kulturore (RKPK)”.
28. Baza e të dhënave shtetërore për sistemin elektronik të lejeve (sistemi e-Leje), për të gjitha kërkesat dhe lejet, sipas legjislacionit të planifikimit dhe të zhvillimit të territorit.
29. Baza e të dhënave shtetërore “Portali unik qeveritar e-Albania”. /Pamfleti