Vuajtjet nuk peshohen, ato i vuan shpirti!

Nga Xhafer Sadiku

Shkas për këto radhë u bë komenti i një ish të përndjekuri, pas një shkrimi të djeshëm. Personi në fjalë më pyeste “… në emër të kujt flisni?… Ju që shkruani a jeni të përndjekur… apo vetëm na bëni profesorin…”

Disa që më njohin që nga fëmijëria më kërkojnë të shkruaj për vuajtjet e familjes time, kur këtë e kam bërë për të tjerët. Një miku im, madje, më ka kërkuar leje për të shkruajtur për të parët e mi, por e ka mirëkuptuar refuzimin tim.
Këtë e kam bërë sepse nuk ka interes publik biografia, por temat për të cilat shkruajmë, vërtetësia e tyre dhe metodologjia që përdorim.
Vetëm regjimi komunist kishte ngritur sistemin e biografive për vlerësimin e njerëzve. Me aq pak sa dimë, ata e shtrinin biografinë deri te kushërinjtë e tretë, tek daja, halla, tezja, krushqitë etj.
Ky sistem që po ndërtojmë nuk është sistemi i biografive, por i vlerave. Të paktën teorikisht.

Megjithatë, po e shuaj kureshtjen e disa ish të persekutuarëve qe e masin vleren e tjetrit vetem po te kesh qene i persekutuar. Mirepo druhem se mos thonë e bëre si tek skeçi “A doni më për Belulin”. Nuk di si e duan biografinë time, si ma ka bërë regjimi komunist, apo si më njohin ata me të cilët jam rritur dhe kam punuar?!
Meqë mund të ketë interes edhe për miqtë e persekutuar apo jo të familjes time, që jetojnë larg, per femijet e tyre qe nuk me njohin, po shkruaj disa rreshta.

Për ta filluar nga gjyshi, emrin e të cilit mbaj, në vitin 1911 bashkë me patriotë të tjerë të atyre viseve, ka marrë pjesë në kryengritjet e asaj kohe që përgatitën pavarësinë, ndërsa në vitet 1912-1914 ka luftuar për mbrojtjen e trojeve shqiptare, gjë për të cilën i kanë djegur dy here shtëpinë dhe i kanë marrë pasurinë. Këtë fakt e shkruante edhe gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, e qeverisë së Ismail Qemalit. Në 1920 është zgjedhur nga vullnetarët e disa fshatrave si komandant i tyre në Luftën e Vlorës.
Gjatë viteve të luftës, kur ishte tek të 80-tat, komunistët e Kurveleshit erdhën për ta ekzekutuar, sepse sipas tyre, ai e disa të tjerë në krahinën e Dëshnicës, bëheshin pengesë që ata kishin pak influencë në ate krahinë. Ka bërë debat të ashpër me ta, duke mbrojtur nacionalistët. Mbase mosha, apo njohja e vjetër me Ismail Lesko Progonatin, por është fakt që nuk e pushkatuan.
Në shtëpinë e tij kanë ngrënë bukë ballistë e partizanë, ashtu si kudo në krahinën mikpritëse të Dëshnicës dhe në Teqenë e Sukës. Babai im ka qenë në luftë, por me porosinë e të atit: kurrë mos qëllo mbi shqiptarët.

Pas lufte, Sigurimi e skedoi si ballist, ndërsa më 1948 i shtetëzuan bagëtitë, nuk e pranuan në Frontin Demokratik dhe më 1950 e cilësuan kulak, e para familje në Përmet që mbante këtë titull “nderi”. Një vit më vonë vdiq dhe megjithëse “kulak”, në varrimin e tij morën pjesë qindra njerëz nga Dëshnica, Skrapari e Tepelena. Titullin kulak ua trashëguan pasardhësve të tij. Më pas i arrestuan të birin dhe e dënuan me 13 vjet burg. Është e tepërt të thuhet se çfarë kanë hequr ata që ishin cilësuar kulak. Luftë totale, izolim politik, shkatërrim ekonomik, mohim i të gjitha të drejtave. Nga 1950 deri më 1978 familja merrte leje nga këshilli për të shkuar larg fshatit dhe e njoftonin kur ktheheshin. Të izoluar për 40 vjet, atje larg, në male.

Më thoni se u bëkam profesorin!

Nuk jam profesor, se nuk më lanë të vazhdoja shkollën e lartë në kohën e rinisë time. Por nuk më penguan të lexoja mijëra libra dhe, sipas amzës, të jem nxënësi më i mirë i shkollës, në brezin tim.

Më pyesni a jam i përndjekur?

Nuk e di. Pyesni punëtorët operativë të sigurimit në zonën e Dëshnicës. Nuk më ka interesuar kurrë dhe as më intereson. Më ka interesuar opinioni publik, që më ka vlerësuar dhe i jam mirënjohës. Di të them se në moshën 5 vjeçare, para syve të mi, më kanë arrestuar babanë; kur isha në klasën e parë kam mbajtur mbi supe arkivolin me trupin e gjyshes, se nuk erdhi njeri ta varroste.
Një vit më vonë mbaja arkivolin e xhaxhait të babait. -Më prisni në mes se nuk u vjen njeri, -tha në frymën e fundit, -më varrosni pranë varrit të vëllait.
Kam mbajtur në supe arkivolet e miqve të familjes, të cilësuar kulakë, se nuk u shkelte njeri në derë. Këto janë fate të mijëra njerëzve dhe histori që i kanë përjetuar shumë familje.

I jam mirënjohës një bashkëfshatari tim, oficer në lirim, që publikisht më ka kërkuar të falur për vuajtjet që, sipas tij, i ka shkaktuar familjes time babai i tij, ish komunist. Është i pari, mbase në Shqipëri, që e ka bërë një gjë të tillë.

Në këto kushte është formuar karakteri im. Dhe duke qenë kështu, jam kundër padrejtësive që u bëhen të tjerëve dhe e kam thënë fjalën time sa herë më është dhënë mundësia.
Patriotizmin e kam të trashëguar nga të parët dhe nuk ma mësojnë dot tregëtarët e flamujve. Jam kundër diktaturave, pavarësisht nga fasadat që mbajnë, kundër miteve që ato ngrenë për të shtuar jetën e tyre dhe shtypur ata që mendojnë ndryshe.
Jam laik, por respektoj besimin e te tjereve pasi qe, vetëm respekti i qënies njërëzore, pavarësisht nga besimi, ngjyra e lekures dhe kombësia, na bëjne njerëz.

Me pyesni, ne emer te kujt shkruaj!

Shkruaj në emrin tim dhe nuk përfaqësoj asnjë tjetër. Ato që shkruaj i bëj për të mbajtur një amanet të të parëve të mi, për të nderuar kujtimin e atyre që kanë vuajtur e kanë vdekur pa u takuar me lirinë.
Nuk më intereson a i pëlqejnë apo jo ish të persekutuarit apo bijtë e tyre, që kullosin në grazhdin e pushteteve. Nuk konkuroj asnjeri, jam njeri i lirë dhe i tillë do të mbetem.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne