Vuçiç inaguron kilometrat e para të rrugës për në Durrës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, inauguroi kilometrat e para të autostradës së ‘Paqes’ që pritet të kalojë nga Nishi për në Merdarë, Prishtinë, Tiranë dhe Durrës. Gjatë fjalës së tij ai tha se ishte krenar që kjo autostradë do t’i lidhte me shqiptarët.

“Jam krenar që kjo autostradë do të na lidhë me shqiptarët”, u shpreh ai duke theksuar se tregtia mes Serbisë dhe Shqipërisë është rritur me 35 për qind në vitet e fundit. Vuçiç shtoi se ky aks rrugor, të cilin e konsideroi si shtylla kurrizore e Ballkanit Perëndimor, do të jetë një ndër autostradat më të ngarkuara në 20 vitet e ardhshme. Në të njëjtin mendim ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Beograd, Emanuel Zhiufre (Emanuele Giaufret).

“Kjo rrugë do të lidhë jugun e Serbisë me rrjetin e Ballkanit Perëndimor dhe do të mundësojë qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, nga Nishi përmes Prishtinës në Tiranë dhe më gjerë”, theksoi ai. Presidenti serb shtoi se vendi i tij mund të humbasë shumë më tepër se Kosova, duke iu referuar ekonomisë. “Miliarda euro janë në lojë, BE-ja na ndihmon në masë të madhe, por më së shumti bazohet në stabilitetin financiar të vendit tone”, përfundoi Vuçiç/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne