Korrupsion. I kerkohet 2.5 milionë lekë për punësimet në një shkollë nga nje zyrtar i bashkise se Tiranes.

Prokuroria e Posaçme njofton se ka mbyllur hetimet për shtetasin Erjon Buçuku, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Erjon Buçuku deri kur u arrestua tre muaj më parë, ishte me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë se Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë.

Emisioni investigativ “STOP” transmetoi me pamje përfitimin e paligjshëm të këtij shtetasi, pasi kërkoi dhe mori 1 milion lekë për të punësuar një qytetar si roje në shkollën “Ardian Klosi”. Në një episod të dytë, Erjon Buçuku i kërkoi shtetasit Geraldi Bregu një shumë të dytë prej 1.5 milionë lekësh që të punësonte të fejuarën e tij si sanitare në shkollën “Mihal Grameno”.

Veprimet hetimore të këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.124 të vitit 2023 dhe në përfundim të tyre në datën 24.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurit:

Erjon Buçuku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.
Më datë 23.05.2023, në emisionin investigativ “STOP” të televizionit kombëtar “Klan” janë transmetuar me pamje filmike video/audio veprime me natyrë korruptive të të pandehurit Erjon Buçuku, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë. Trasmetimi i këtyre pamjeve ka shërbyer edhe si indicje për fillimin e hetimeve të këtij procedimi penal.

Nga hetimi i gjithanshëm dhe objektiv i këtij procedimi është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Erjon Buçuku, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 100.000 (njëqind mijë) lekë, për të punësuar shtetasin Geraldi Bregu, si roje të shkollës 9-vjeçare “Ardian Klosi”, Tiranë, si dhe i ka kërkuar përfitim të parregullt shtetasit Geraldi Bregu në vlerën monetare prej 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, për të punësuar të fejuarën e tij si sanitare në shkollën “Mihal Grameno” Tiranë, por shtetasi Geraldi Bregu nuk ia ka dhënë këtë vlerë monetare.

Veprimet hetimore të këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.

Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne