Welcome Mr. President!’ Avioni i Bill Clinton zbret në Rinas, pritet nga Rama! Pasdite fjalim para shqiptarëve

Ora 15:18 minuta. Ish presidenti Amerikan Bill Clinton zbriti në tokën shqiptare për të nisur vizitën e tij, e cila përkon dhe me festën e pavarësisë së SHBA-së, nesër më 4 korrik. Kryeministri Edi Rama dhe anetare te tjerë të kabinetit qeveritar dolën në Rinas për t’i uruar mirëseardhjen mikut të përjetshëm të kombit shqiptar.

Duke postuar një foto kryeministri Rama ftoi të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në ceremoninë e mikpritjes ku presidenti do të dekorohet me dekoratën “Ylli i Mirënjohjes”.

“Jeni të mirëpritur të gjithë tek Kryeministria, sot në 18:30 për ceremoninë e mikpritjes së Presidentit Clinton dhe adresimin e tij për të gjithë shqiptarët” shkruan Rama.

Pas gati 20 minutash nga zbritja e avionit, eskorta la aeroportin e Rinasit për t’u nisur drejt Tiranës.

E gjithë Tirana është përgatitur për këtë vizitë historike duke u veshur rrugët kryesore me flamujt kuq e zi dhe flamujt amerikanë. Rrugët kryesore ku do të kalojë dhe eskorta që do të shoqërojë Clintonin janë zbukuruar me flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat nesër festojnë dhe Ditën e Pavarësisë.

Gazetari i Report TV Sokol Dema informon se ka një prani të madhe të forcave të policisë rrugore të cilat përpiqen të menaxhojnë qarkullimin rrugor. Vihet re prani e forcave ‘Shqiponja’ pranë aeroportit që pritet të shoqërojnë eskortën e presidentit Clinton.

Ceremonia zyrtare

Në orën 18:00 Clinton do të jetë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pas një takimi me kabinetin qeveritar do të nisë ceremonia zyrtare ku janë ftuar të marrin pjesë dhe qytetarët.

Clinton do të dekorohet me dekoratën e lartë “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike” dhe më pas do të mbajë një fjalim. Kjo është vizita e parë e presidentit të 42 të SHBA në Shqipëri.

Vizita e Klinton vjen në një moment tensionesh në rajon, kryesisht në Veri të Kosovës dhe pritet me interes mesazhi i tij.

Clinton njihet edhe si president nderi për shqiptarët, për vetë ndikimin pozitiv që ka mbajtur për Shqipërinë e Kosovën, është përshëndetur nga e gjithë politika shqiptare. Bill Clinton gjatë kohës së mandatit të tij si president i shtetit më të fortë në botë ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake.

Rrugët që do të bllokohen në kuadër të vizitës së ish presidentit amerikan:

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.

Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.?Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne