Në kuadër të zhvillimeve të fundit që kanë përfshirë vendin pas lëvizjes së Decanit, redaksia jonë zhvilloi një intervistë ekskluzive me juristin Xhafer Sadiku, një nga njohësit më të mirë të çështjeve ligjore dhe politike në rajon.
1. Në datë 22 tetor 2025, në Prishtinë, nën udhëheqjen e shtetasit kroat Vesel Lekaj, u bë mbledhja e Lëvizjes së Deçanit për të përkujtuar 2-vjetorin e kësaj Lëvizjeje. Në fjalimin e tij, Lekaj deklaroi që qëllimi i kësaj Lëvizjeje është heqja e Islamit në Kosovë. Si e komentoni këtë Lëvizje dhe deklaratat e Vesel Lekajt?
Përgjigje: Lëvizja e Decanit dhe përpjekjet për të luftuar dhe shuar fenë islame në tokat shqiptare nuk janë të reja. Ato datojnë që nga fundi i shekullit XIX, kur konsujt e huaj në hapsirën shqiptare filluan të angazhohen për këtë qëllim. Ata krijuan një imazh të bektashinjve si një grup “evropian” dhe demonizuan sunitët shqiptarë, duke i cilësuar ata si “aziatikë”. Kjo ishte faza e parë e një lufte të gjatë kundër myslimanëve shqiptarë, që do të vazhdonte më pas me goditjen e të dy grupeve fetarë.
Në vitet 1903-1908, aksioni kundër myslimanëve u intensifikua. Madje, pre e propagandës ranë edhe disa intelektualë shqiptarë, të cilët ishin nën ndikimin e shtypit të sponsorizuar nga konsullatat perëndimore. Një nga burimet më të dukshme të kësaj propagande ishte revista Albania, e cila gjatë asaj periudhe ishte e mbushur me shkrime që demonizonin myslimanët shqiptarë, përhapnin stereotipe dhe përforconin ndarjet fetare. Kjo kontribuoi në përkeqësimin e situatës dhe forcimin e ndarjeve brenda shoqërisë shqiptare.
2. Vesel Lekaj deklaroi që nisma e Deçanit mbështetet nga “miqtë tanë të interesuar”. Kush mund të jenë sponsorët e kësaj Lëvizjeje?
Përgjigje: Ata që janë të lexuar e njohin mirë historinë e këtyre lëvizjeve, të cilat janë përdorur nga qarqet klerikale dhe diplomatike të Perëndimit për të arritur qëllime gjeopolitike në tokat shqiptare. Sponsorët e kësaj lëvizjeje, dhe të tjera që mund të shfaqen më vonë, janë të njëjtët: ata që ishin të pranishëm që nga koha e Traktatit të Berlinit (1878), të cilët kishin interesin të formonin një Shqipëri të dobët dhe të ndarë, duke i shfrytëzuar çështjet fetare për të minuar unitetin kombëtar.
3. Lekaj deklaroi që hoxhallarët shqiptarë janë antikombëtarë dhe se largimi nga Islami është atdhetarizëm, patriotizëm. Si e komentoni këtë?
Përgjigje: Deklarata se “hoxhallarët shqiptarë janë antikombëtarë dhe se largimi nga Islami është atdhetarizëm dhe patriotizëm” është, të paktën, një lajthitje e thellë nga ana e individëve të pavetëdijshëm për rëndësinë e këtij çështjeje. Këto thënie janë tërësisht të pavlera dhe nuk qëndrojnë ndaj kritikës serioze. E kundërta është e vërtetë, sepse:
Së pari, të qenit kombëtar nuk ka lidhje me fenë që dikush proferon, por me përkatësinë në një komb të caktuar. Një shqiptar është pjesë e kombit shqiptar, pavarësisht se beson në çfarë feje dhe nuk mund ta zgjedhë ose ta ndryshojë kombësinë e tij. Ashtu si një grek është pjesë e kombit grek, një serb i përket kombit serb, një turk kombit turk dhe kështu me radhë.
Së dyti, besimi në një fe të caktuar është një e drejtë personale dhe i përket sferës private. Shteti ka detyrën të garantojë lirinë e besimit dhe të krijojë kushte për ushtrimin e tij pa ndërhyrje. Ashtu siç njeriu ka të drejtën të besojë, po ashtu, institucioni shtetëror duhet të respektojë dhe mbrojë atë të drejtë, duke mundësuar që besimtarët të ushtrojnë ritualet fetare në liri.
Së treti, hoxhallarët dhe besimtarët në xhamitë e tyre kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe, sidomos në periudhat kur gjuha shqipe nuk kishte një alfabet të shkruar. Ata kanë folur shqip dhe kanë mbajtur gjallë traditën dhe identitetin kombëtar, në një kohë kur shqiptarët nuk kishin shumë mundësi për ta shprehur këtë hapur.
Së katërti, është e lehtë të verifikohet nëpërmjet dokumenteve historike dhe arkivave se hoxhallarët kanë dhënë një kontribut të madh në edukimin atdhetar të popullatës shqiptare. Ata kanë luajtur një rol kyç gjatë periudhave të rëndësishme të historisë shqiptare, si në Lidhjen e Prizrenit (1878-1881), Shpalljen e Pavarësisë (1912) dhe Luftën e Kosovës (1998-1999). Madje, numri i hoxhallarëve pjesëmarrës në këto ngjarje ka qenë i madh, dhe numri i të rënëve nga radhët e tyre është gjithashtu i konsiderueshëm.
4. Alma Lama nga Shqipëria e shpalli besimin Islam si një besim ekstrem, i cili duhet hequr nga Kosova. Si e komentoni këtë?
Përgjigje: Personat që e shpallin besimin Islam si ekstrem, duket se nuk e kanë shumë të qartë dallimin midis konceptetve. Po të kishin njohuri nga fusha juridike, do të dinin se çfarë quhet ekstremizëm dhe çfarë është normale. Besimi fetar vetë nuk është ekstrem. Asnjë besim, përfshirë Islamin, nuk është i tillë. Ekstremizëm ka vetëm kur thirrjet për dhunë janë të papranueshme dhe të kundërligjshme, kur kërkohet përdorimi i forcës për të arritur një qëllim. Nëse flasim për ushtrimin e së drejtës së besimit, asnjëherë nuk ka ekstremizëm. Nuk është ekstrem të praktikosh fenë tënde.
Kur flasim për xhamitë dhe sheshet plot me të rinj, kjo ndodh sepse ata nuk detyrohen. Ata gjejnë atje një ndjenjë barazie dhe një mundësi që shpesh nuk e gjejnë në shkollë ose në jetën e përditshme, ku mund të hasin në diskriminim apo të ndihen të margjinalizuar. Pra, ata shkojnë në xhami për diçka që ka të bëjë me shpirtëroren dhe identitetin e tyre, dhe jo për të ndjekur ndonjë agjendë ekstreme që është pjellë e fantazisë së islamofobëve.
5. Sadri Ramabaja deklaroi që Lëvizja e Deçanit duhet të ndjekë rrugën e kuislingut fashist Gjergj Fishta dhe rrugën e klerit françeskan dhe jezuit të Shkodrës, i cili bashkëpunoi me fashizmin në pushtimin e Shqipërisë. Si e komentoni këtë?
Përgjigje: Nëse zoti Ramabaja bën një deklaratë të tillë, ai duhet të jetë i vetëdijshëm për destinacionin dhe stacionin e fundit të atyre rrugëve që po i përmend. Ka shumë analistë në Kosovë që duket se nuk e njohin ku çojnë këto lloj marrëzish, ndaj është e rëndësishme të kujtojmë historinë. Është një fakt i njohur historik se shumë shqiptarë morën armët kundër pushtuesit fashist, jo vetëm për arsye kombëtare, por edhe për shkak të politikës fetare antimuslimane që fashizmi kishte. Disa figura shqiptare mund të kenë bashkëpunuar me pushtuesin pa e ditur në fakt politikën fetare të tij, që ishte e fshehtë dhe shumë e dëmshme për shqiptarët e besimit musliman. Ata vepruan duke u mbështetur në interesa kombëtare, por është e qartë që interesi kombëtar nuk mund të justifikojë kurrsesi dëmtimin e interesave të shqiptarit si qytetar dhe si njeri.
Një nga pasojat e këtij bashkëpunimi ishte përfitimi i ideologjisë komuniste, e cila më pas ekzekutoi shumë klerikë që përhapnin idetë që sot frymëzojnë Lëvizjen e Deçanit. Mbase ndoshta ata që bëjnë këto deklarata nuk janë të informuar plotësisht mbi zhvillimet e asaj periudhe. Prandaj, për lexuesit tuaj, mund të ishte shumë e dobishme të rishikohet kjo pjesë e historisë, që shpesh është keqkuptuar ose injoruar.
6. Jeton Kelmendi, ligjërues në kolegjin AAB në Prishtinë, citoi enveristin Ismail Kadare, i cili në vitet 1990 i bëri thirrje për “kthim në fenë e të parëve”. Si e komentoni këtë?
Përgjigje: Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, në fillim të viteve 1990, ka pasur një mendim të tillë, por më vonë ai e ka sqaruar publikisht se ishte i gabuar dhe ka revizionuar idenë e tij. Kadare nuk lë vend për spekulime nga ata që mund të përpiqen të abuzojnë me emrin e tij. Në fakt, disa vite para se të ndahej nga jeta, ai e ka bërë të qartë se ajo deklaratë ishte një gabim dhe e ka mbyllur çdo mundësi për përdorimin e gabuar të fjalëve të tij nga predikues të ndryshëm.
7. Elder Highs, një misionar nga Kisha e Jezu Krishtit (Mormonë) në Kosovë, deklaroi që “Ju në Kosovë jeni nën kontrollin e myslimanëve, por kjo është koha që të gjeni traditën e të parëve tuaj.” Çfarë synonte misionari amerikan me këto fjalë? Ndarjen e katolikëve nga shqiptarët myslimanë?
Përgjigje: Deklarata e misionarit, në dukje e thjeshtë, mund të interpretohet si një manifestim i tezave të vjetra, që kanë qenë pjesë e politikave të konsullatave të huaja në tokat shqiptare që nga shekulli XIX. Kur ai flet për “traditën e të parëve tuaj”, duket se i referohet një koncepti që vë identitetin fetar mbi atë kombëtar, sistemit të mileteve, i shfuqizuar që në kohën e Tanizimatit. Asokohe, fetarizmi dhe identiteti fetar shpesh përdorej për të ndarë shoqëritë, duke e bërë të vështirë krijimin e një uniteti social dhe politik. Këto janë faza që shqiptarët i kanë tejkaluar.
Një aspekt tjetër që duhet të theksohet është ndikimi që kishin legatat e huaja gjatë periudhës së krijimit të shtetit shqiptar. Siç mund të shihet nga dokumentet e periudhës, përfshirë një raport të një legate të huaj në Durrës dërguar ministrisë së saj të jashtme në 1921, atje flitej për përpjekjet për të ulur ndikimin e deputetëve myslimanë, të cilët, sipas legatave, kishin një ndikim të madh në politikën e shtetit të ri shqiptar. Kjo ishte një periudhë e vështirë për Shqipërinë, e cila kalonte nëpër sfida të mëdha politike dhe shoqërore, ku ndërhyrjet e huaja shpesh e thelluan krizën dhe penguan proceset e konsolidimit të shtetit të pavarur shqiptar.
Misionari i Kishës së Jezu Krishtit (Mormonë), duke u shprehur për “traditën e të parëve tuaj”, duket se nuk e njeh traditën e shqiptarëve edhe në ceshtjet fetare. Kjo traditë është e konsoliduar nga Rilindja Kombëtare ku klerikët e të tri besimeve të shqiptarëve kanë dhënë kontributin e tyre. Tradita shqiptare na mëson se pluralizmi fetar i shqiptarëve është një nga traditat më të mira në botë dhe pjesë përbërëse e kulturës së tyre, madje duhej të ishte shembull dhe model për njerëzimin. .
Në përfundim, misionari amerikan duket se ishte duke përdorur një gjuhë të ngarkuar me ideologji fetare dhe politike, që kërkon të ndikojë në formësimin e opinionit publik, në përaçarjen dhe thellimin e ndarjeve ndërfetare në Kosovë dhe Shqipëri për të realizuar objektiva politikë.
8. Gani Mehmeti deklaroi që: “Duhet të nisim ofensivë në Maqedoninë e Veriut. Dhe se shqiptarët myslimanë janë mercenarë të paguar.” Për çfarë ofensive e kanë fjalën delegatët e Lëvizjes së Deçanit në Maqedoni?
Përgjigje: Për të kuptuar thelbin e kësaj fjalie, është e nevojshme të kthehemi pas, në periudhën e pas Luftës së Parë Ballkanike dhe më vonë, për të kuptuar se çfarë lloj politikash dhe lëvizjesh ishin të përfshira në rajon dhe në Maqedoni, dhe si ajo lidhet me qëndrimet dhe propagandën që përdoren edhe sot e kësaj dite.
Një aspekt i rëndësishëm që lidhet me këtë është fakti se, që nga periudha e Luftës së Parë Ballkanike, ka pasur një rrymë politike që bashkëpunoi me ushtritë pushtuese, dhe që shpesh përdorte shpjegime të tilla për të justifikuar pozitat dhe veprimet e tyre. Këto justifikime mbështeteshin në propagandat e shteteve ballkanike dhe qarqeve klerikale në Perëndim që propagandonin se kinse shqiptarët myslimanë ishin “turq”.
Në atë periudhë, shqiptarët myslimanë pësuan masakëra të mëdha, veçanërisht pas Luftës së Parë Ballkanike, kur dhjetëra mijëra shqiptarë, kryesisht myslimanë, u vranë si pasojë e luftrave dhe masakrave të organizuara nga ushtritë pushtuese. Pavarësisht brutalitetit të këtyre masakrave, Evropa, dhe sidomos fuqitë e mëdha të kohës, shpesh bëri sikur nuk i vuri re këto tragjedi, duke i injoruar ose minimizuar ato në raportet e tyre diplomatike. Përveç kësaj, termi “mercenarë të paguar” përdoret për të krijuar ndasi mes shqiptarëve myslimanë dhe të tjerëve.
Përfundimisht, është e rëndësishme të theksojmë se kjo lloj propagande ka qenë e diskredituar kohë më parë dhe është pjesë e një narrative të vjetër, që kërkon të ndajë shqiptarët në grupe fetare dhe të krijojë tensione mes tyre. Pavarësisht se ka pasur momente të vështira në histori, ne duhet të fokusohemi në mësimet që mund të nxjerrim nga historia dhe të shmangim ripërsëritjen e një propagande që vetëm sa shkakton më shumë dhimbje dhe ndarje.
9. A nuk rrezikon kjo nismë të krijojë përçarje të reja ndër shqiptarë, në vend që t’i bashkojë ata?
Përgjigje: Duke qenë një vazhdim i tezave të vjetra të periudhave të kaluara, kjo lëvizje nuk ka për qëllim asgjë tjetër përveçse të arrijë të njëjtat rezultate që janë tentuar më parë: përçarjen e shqiptarëve, dëbimin e tyre nga atdheu dhe copëtimin e tokave të tyre. Në vend që të sjellë bashkim, kjo nismë duket se nxit ndarje të reja dhe krijon mospajtime brenda komunitetit shqiptar.
Një bashkim i vërtetë dhe i qëndrueshëm i shqiptarëve nuk mund të realizohet mbi baza fetare, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një pakicë fetare që nuk arrin as 10% të popullsisë shqiptare. Historia ka treguar se bashkimi i shqiptarëve duhet të arrihet rreth idealeve kombëtare, jo rreth doktrinave fetare, sepse idealizmi kombëtar përfaqëson një platformë të përbashkët që është në interesin e të gjithë shqiptarëve, ndërsa besimi fetar është një çështje personale, që nuk ka lidhje me qëllimet e përbashkëta të kombit. Historia e Shqipërisë dhe jo vetëm, e ka dëshmuar këtë: çdo lëvizje që ka tentuar të bazojë unitetin mbi fe, ka përfunduar duke krijuar ndarje dhe konflikte të brendshme.
10. Pse duhet feja islame të shihet si rrezik për kombin, kur mijëra shqiptarë myslimanë kanë dhënë jetën për atdheun?
Përgjigje: Feja Islame, për shqiptarët, nuk ka qenë dhe nuk është një rrezik për kombin, por ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbrojtëse e tij. Faktet historike janë të qarta dhe të pakundërshtueshme në këtë drejtim, dhe ato janë pranuar jo vetëm nga studiuesit shqiptarë, por edhe nga autorë të njohur ndërkombëtarë që kanë studiuar thellë çështjet shqiptare.
Një shembull i rëndësishëm është Sotir Koles, i cili në një letër dërguar Terenc Tocit për Shqipërinë e Poshtme, shkruante se atje ku myslimanët ishin shumicë, gjuha shqipe lulëzonte, ndërsa në zonat ku ata nuk ishin të pranishëm, shqiptarët ishin asimiluar, dhe gjuha shqipe nuk flitej më. Ky fakt historik është një dëshmi e qartë se Islami ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, duke mbrojtur gjuhën dhe kulturën e tij.
Po kështu, Edith Durham, një njohëse e mirë e Shqipërisë që nuk ishte e njohur për simpati ndaj myslimanëve, theksonte se shqiptarët kishin fituar shumë nga Islami. Ajo e konsideronte Islamin si një faktor që ka ndihmuar shqiptarët të mbijetojnë dhe të ruajnë unitetin e tyre, veçanërisht në periudha të vështira historike.
Një tjetër argument i fuqishëm është fjalimi i priftit katolik, Prof. Gaspër Mërkuri, i mbajtur në Napoli në vitin 1905. Ai ezauronte dhe kundërshtonte tërë pretendimet e qarqeve antishqiptare që propagandonin konvertimin e myslimanëve. Gaspër Mërkuri theksonte se shqiptarët myslimanë janë pjesë e identitetit shqiptar dhe nuk duhet të shihet feja si një pengesë për kombësinë, por si një faktor që ka kontribuar në forcimin dhe mbijetesën e tij.
Në këtë kuadër, është e qartë se feja Islame nuk ka qenë kurrë një faktor ndarës, por një forcë bashkuese dhe mbrojtëse për shqiptarët. Ka mundësuar që shqiptarët të ruajnë identitetin e tyre kombëtar dhe të mos bëhen viktima të asimilimit të jashtëm, siç ka ndodhur me shumë popuj të tjerë. Po ashtu, ka luajtur një rol të madh në betejat për liri dhe pavarësi, ku mijëra shqiptarë myslimanë kanë dhënë jetën për të mbrojtur atdhenë.
Çdo përpjekje për të ndarë shqiptarët mbi bazën e fesë është një tentativë për të minuar unitetin e kombit shqiptar. Shqiptarët janë gjithmonë më të fortë kur janë të bashkuar në një qëllim të përbashkët, dhe ky qëllim mund të arrihet vetëm kur përqafojmë dhe respektojmë diversitetin tonë fetar dhe kulturor.
11. Pse Qeveria e Kosovës nuk merr masa kundër kësaj Lëvizjeje që nxit urrejtje kombëtare dhe fetare në vend?
Përgjigje: Qeveria e Kosovës, Shqipërisë apo klasa politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut vuajnë nga kompleksiti i inferioritet ndaj Perëndimit dhe shpesh favorizojnë qarqe antimyslimene pasi mendojnë se kështu do të fitonin mbështetjen e tyre. Eshtë percëptim i gabuar pasi tokat shqiptare i ka shpëtuar prania dhe popullimi i tyre nga shqiptarët dhe i rrezikon boshatisja e atdheut.
12. Gazeta Impakt ka botuar një dokument sekret kroat, i cili pretendon që Lëvizja e Deçanit është pjesë e një agjenture ndërkombëtare që kërkon të krijojë shtetin bektashia, një shtet ortodoks në Manastirin e Deçanit dhe një shtet katolik në Kosovë. Si e interpretoni këtë dokument?
Përgjigje: Mendoj se konkluzioni i tyre është i saktë dhe duhet marrë seriozisht për të qartësuar shqiptarët për rrezikun që i vjen kombit shqiptar nga këto lëvizje antishqiptare.
Intervistoi: Gazeta Impakt


















