Xhafer Sadiku për Gazeta Impakt: Ndalimi i Imam Hoseinit në Shqipëri, shkelje e të drejtave të njeriut dhe veprim politik

Juristi Xhafer Sadiku, në një intervistë për Gazeta Impakt, ka komentuar rastin e ndalimit të hyrjes në Shqipëri të Imam Imran Hoseinit, duke e cilësuar si një vendim arbitrar, pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut.

Sipas tij, rasti tregon për ndërhyrje politike në institucionet e sigurisë dhe një sjellje diskriminuese ndaj figurave të besimit islam. Sadiku paralajmëron se ky veprim krijon precedent të rrezikshëm për kufizimin e lirisë së mendimit dhe përbën sinjal alarmi për demokracinë në vend.

Intervista e plotë:

1. Si e komentoni moslejimin e hyrjes në Shqipëri të Imam Imran Hoseinit? Imam Hoseini ka hyrë edhe dy herë të tjera në Shqipëri ku ka qëndruar për disa ditë. Pse ky ndryshim nga institucionet e shtetit shqiptar?

Fakti që Imam Hoseini ka hyrë në Shqipëri dy herë pa probleme dhe në një moment të tretë i është refuzuar hyrja, duhej të kishte një shpjegim të qartë nga autoritetet. Ne mund të hamendësojmë për shkaqet, por mendoj se dy janë ato që mund të kenë ndikuar: ose ka ndryshuar politika e brendshme e sigurisë, ose ka pasur reagim nga faktorë ndërkombëtarë.

Sido që të jetë, kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në asnjë nen të Kushtetutës nuk sanksionohet kufizimi i të drejtave pa ligj. Atëherë, në cilin ligj është mbështetur qeveria për të kufizuar lirinë e tjetrit për të shprehur idetë dhe pikëpamjet e tij, qoftë edhe për çështje fetare?!

Në nenin 27 të Kushtetutës përcaktohen rastet kur kufizohet liria e personit, por në asnjë pikë të këtij neni nuk parashikohet rasti i Imamit në fjalë.

Refuzimi i hyrjes së tij mund të ngrejë shqetësime në lidhje me shkeljen e të drejtës për liri lëvizjeje dhe shprehjeje. Shqipëria, si një shtet demokratik, duhet të balancojë nevojën për siguri kombëtare me të drejtën e individëve për të udhëtuar dhe për të shprehur mendimet e tyre. Nëse nuk ka pasur asnjë akuzë të drejtpërdrejtë ndaj tij për aktivitete të paligjshme, ky vendim mund të shihet si një cenim i të drejtave të tij, duke rrezikuar të krijojë precedentë për kufizimin e lirisë së individëve pa prova të forta.

Nuk është hera e parë që në Shqipëri hasim një përplasje midis të drejtave të individit dhe masave të sigurisë, dhe kjo krijon precedentë që kufizojnë të drejtat e njeriut. Shprehja e pikëpamjeve dhe mendimeve të lira është themeli i lirisë, ndërsa kufizimi i tyre është rruga drejt diktaturës. Diktaturat nuk janë vendosur për një ditë; për t’i justifikuar veprimet e tyre, ato gjithmonë janë arsyetuar në emër të “sigurisë” dhe “interesave të shtetit”, por historia na mëson se ato kanë qenë interesa të pushtetit.

Rasti i Imamit është i fundit, por jo i pari. Më herët ka pasur hetime nga Antiterrori ndaj disa intelektualëve të njohur shqiptarë të besimit islam, madje ka edhe të burgosur prej vitesh, pa pasur asnjë akt terrori në Shqipëri.

2. Çfarë ligjesh ka shkelur Imami në Shqipëri që nuk e lejuan të hynte në vend dhe të mbante lirisht ligjërata si dy herët e tjera? Imam Hoseini ka mbajtur ligjërata në shumë vende të botës dhe në Europë, ku ka udhëtuar pa asnjë problem. Pse këtu jo?

Nga konsultimi me Kushtetutën, Kodin Penal dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, rezulton se Imam Hoseini nuk ka shkelur asnjë ligj që të legjitimohej ndalimi ose dëbimi i tij nga Shqipëria. Dëbimi i tij nuk ka bazë ligjore, por është vullnet politik i qeverisë.

Pse ndodh kjo në Shqipëri dhe jo në shtete të tjera, është një pyetje që mund të shihet nga këndvështrime të ndryshme. Sipas mendimit tim, në Shqipëri nuk janë të paktë ata që mendojnë se për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian duhet të sillesh në mënyrë të diferencuar me fenë islame dhe klerin mysliman. Pikërisht në këtë sjellje ka rënë edhe qeveria, e cila, duke vepruar kështu, shkel të drejtat e njeriut.

Janë pikërisht këto të drejta që mund të përdoren nga shtetet e Bashkimit Evropian kundër Shqipërisë, duke e penguar në rrugën e integrimit. Ky veprim i qeverisë, në vend që ta ndihmojë, i sjell dëm vendit.

3. Është mësuar se deportimi i Imamit është bërë për shkak se ai konsiderohet si person i padëshiruar për vendin tonë dhe rrezik për sigurinë kombëtare. Si i shihni ju këto arsye që iu dhanë publikut shqiptar? Kush mendoni se ka nxitur autoritetet shqiptare për marrjen e një vendimi të tillë?

Çdo individ që viziton Shqipërinë, përfshirë Imamët dhe figura të tjera, duhet të përfitojë nga e drejta e lirisë së shprehjes dhe lëvizjes, për sa kohë që aktivitetet e tyre nuk cenojnë rendin dhe sigurinë kombëtare. Nuk mund të konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare dikush që thjesht merr pjesë në aktivitete kulturore, fetare apo akademike, pa nxitur urrejtje apo dhunë.

Imami në fjalë dhe çdo i huaj tjetër që viziton Shqipërinë nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare, për sa kohë që në takimet e tij me njerëzit përdor vetëm fjalën. Në asnjë nen të Kushtetutës së Shqipërisë apo në legjislacionin penal nuk ndalohet shprehja e mendimeve të lira në debate publike, qofshin ato për çështje laike apo fetare.

Çdo akuzë ndaj një individi, qoftë Imam, intelektual apo përfaqësues tjetër, duhet të mbështetet në prova konkrete, e jo në spekulime apo interpretime të paqarta. Imami ose ata që e kanë ftuar nuk kanë bërë thirrje antikushtetuese për përmbysjen e rendit politik apo shoqëror.

Duke mos qenë veprime të kundërligjshme, nuk është Imami ai që ka shkelur ligjet e shtetit shqiptar, por është qeveria ajo që abuzon me ligjin dhe me të drejtat e njeriut – në këtë rast, të Imamit.

Sjellja e qeverisë është një këmbanë alarmi për qytetarët shqiptarë që nuk mbështesin qeverinë, dhe veçanërisht për intelektualët dhe klerikët myslimanë që janë kritikë ndaj saj.

Sa i përket pyetjes se kush mund të ketë nxitur këtë vendim, nuk mund të jepet një përgjigje e saktë. Por, nisur nga qëndrimi i qeverisë shqiptare në OKB për gjenocidin dhe masakrat ndaj popullit palestinez, është e lehtë të mendohet se kush ndikon në vendimet e saj.

Sido që të jetë, transparenca është thelbësore për të ruajtur besimin e qytetarëve në institucione. Ky është një këndvështrim i përgjithshëm, dhe do të kërkohej më shumë informacion e analizë për të kuptuar më thellë arsyet e këtij vendimi.

4. Imam Hoseini u detyrua të kthehej në vendin nga ishte nisur drejt Shqipërisë, por u mbajt për disa orë në aeroport pa asnjë shpjegim mbi arsyet. Si e shihni ju trajtimin e tij, qoftë edhe si qytetar? A e rrezikonte seriozisht Imam Hoseini sigurinë kombëtare të Shqipërisë?

Sjellja e qeverisë ndaj Imamit është antiligjore dhe trajtimi i tij johuman.

Së pari, siç e theksuam më sipër, ai nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka kryer asnjë veprim që të ngjallte dyshime se përbënte rrezik për sigurinë kombëtare.

Së dyti, fakti që ai ka qenë më parë në Shqipëri dhe nuk ka shkaktuar asnjë problem, e rrëzon pretendimin e qeverisë.

Nga një pikëpamje objektive, dhe pa pasur informacion të detajuar mbi aktivitetet e tij, nuk ka asnjë provë që tregon se Imami ka rrezikuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Siguria kombëtare zakonisht lidhet me rrezikun e aktiviteteve që përfshijnë terrorizmin, dhunën ose përpjekjet për përmbysjen e rendit kushtetues. Imami Hoseini nuk është akuzuar për asnjë nga këto, prandaj nuk ka arsye të mendohet se ai ka qenë kërcënim.

Sigurisht, çdo vend ka të drejtën të mbrojë rendin dhe stabilitetin e tij, por kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjet dhe me respekt për të drejtat e njeriut. Shpallja e një personi “të padëshiruar” duhet të bazohet në prova të plota dhe argumente ligjore të qëndrueshme.

Në një situatë të tillë, është thelbësore që të gjithë aktorët, si shtetërorë ashtu edhe qytetarë, të respektojnë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të ruajnë ekuilibrin midis sigurisë kombëtare dhe lirisë së shprehjes.

Përndryshe, kjo mund të jetë një çështje që lidhet me shqetësime më të thella politike, e jo me sigurinë kombëtare në kuptimin e saj klasik./gazetaimpakt

 

Intervistoi: Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne