Kompleksi i “Xhamisë së Luftës” në Igman të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) inicues i së cilës është Fondi Përkujtimor për disa vite është aktuale ndërsa për realizimin e saj, interesim kanë filluar të tregojnë disa investitorë të huaj.
Përveç xhamisë, tashmë është ndërtuar teqeja, dhoma e mysafirëve dhe vendi për abdes.
Imami i xhamisë Harun Hoxhiç rikujtoi se ndërtimi i “Xhamisë së Luftës” në Igman filloi në nëntor të vitit 1993, dhe se ky vend i adhurimit u hap në shkurt të vitit 1994. Themeli i objektit bazohet në shtylla druri me çati katërkëndëshe dhe minare prej druri. Në ndërtimin e saj ishin përfshirë ushtarët besimtarë nga njësiti i Korpusit të Parë të Armatës së BeH-së. Xhamia është ndërtuar në periudhën e dimrit.
“Kjo xhami nuk regjistron një histori si të Gazi Husrev-Begut, ose nuk ka dimensione të mëdha, nuk janë investuar në të 19 milionë dollarë si në xhaminë e Fahdit dhe xhamive të tjera të mëdha në Bosnjë e Hercegovinë, por themelet e saj në të vërtetë janë gjaku i dëshmorëve tanë, duart dhe këmbët e luftëtarëve tanë, lutjet e nënave që dërguan bijtë e tyre për të luftuar, lutjet e jetimëve të cilëve u është bërë padrejtësi. Në fakt kjo është xhamia me të cilën ne i treguam të gjithë botës se nuk do të largohemi nga BeH-ja, por se do të qëndrojmë këtu, edhe pse janë shkatërruar 614 xhami me minare dhe 300 mesxhide, mektebe dhe objekte të tjera të Bashkësisë Islame”, tha Hoxhiç për Anadolu Agency.
– Xhamia është e hapur gjatë gjithë vitit
Ai shtoi se kjo është një nga katër xhamitë e ndërtuara gjatë luftës së fundit në Bosnjë e Hercegovinë, e cila mbeti funksionale edhe në ditët e sotme, kurse imami i parë i saj ishte Omer ef. Krupalija.
Hoxhiç tha se xhamia përpos fëmijëve nga të gjitha pjesët e BeH-së, vizitohet edhe nga turistët vendas, si dhe të huaj, kryesisht nga bota islame. Ai shtoi se xhamia mbushet përplotë çdo të premte kur falet namazi i xhumasë, qoftë gjatë dimrit apo në periudhën e verës.
“Ka një ditë të rëndësishme të vendosur nga Rijaseti, e premtja e parë e muajit gusht që u është përkushtuar të gjithë dëshmorëve të Bosnjës e Hercegovinës me manifestimin ‘Mbrojtja e Igmanit dhe BeH-së’. Bëhet lutje për dëshmorët këtu dhe falet namazi i xhumasë të cilën zakonisht e udhëheq Reis-ul Ulemau i Bashkësisë Islame të BeH-së, kurse lutje bëjnë dijetarët tanë në të gjithë vendin”, tha Hoxhiç, i cili është imam i “Xhamisë së Luftës” nga viti 2012.
Ai rikujtoi se pikërisht këtë vit përkujdesjen ndaj xhamisë e ka marrë Fondi Përkujtimor dhe që atëherë rregullisht falet namazi i xhumasë.
Drejtori i Fondit Përkujtimor, Suad Zijadiç tha se ishte planifikuar ndërtimi i disa objekteve pranë “Xhamisë së Luftës” në Igman.
– Interes për këtë kompleks tashmë kanë treguar vendet arabe dhe Turqia
Zijadiç përkujtoi se gjatë luftës, kur rrënoheshin xhamitë dhe objektet fetare të Bashkësisë Islame, u ndërtuan katër xhami, njëra nga të cilat është edhe “Xhamia e Luftës” në Igman.
“Xhamitë u ndërtuan kryesisht për nevojat e besimtarëve, luftëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës. E vetmja që ka mbetur funksionale edhe sot e kësaj dite është kjo xhami. Në vendin ku ne kemi ndërtuar një xhami, do të tregojë të gjithë ato xhami që u rrënuan nga agresori si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi në periudhën 1992-1995”, thotë Zijadiç.
– Baza për “historinë e muzeut” në librin prej tri vëllimesh
Baza për “Historinë e muzeut” është një libër me tre vëllime “Imazhet e krimit”, të bërë në bashkëpunim me Qendrën për Arkitekturë Islame, i cili ende pret botim. Vëllimi i parë flet për objektet e rrënuara në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, i dyti në Republikën Sërpska, dhe i treti në zonën e distriktit Bërçko. Libri tashmë është përkthyer në disa gjuhë (arabe, turke, angleze …), por ende janë duke kërkuar donatorë për shkak se ky është një projekt paksa i shtrenjtë.
Zijadiç shtoi se ata planifikojnë që pas fillimit të punimeve të hapin kompleksin gjatë tërë vitit.