Yildirim – Orban: Evropës i duhet Turqia

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi në Ankara se vendi i tij ka qëllim të sinqertë lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia tashmë gjysmë shekulli tenton të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Ata që i filluan më vonë, përfunduan negociatat, ndërsa tonat vazhdojnë. Qëndrimi jonë është i qartë, por BE-ja duhet edhe njëherë të mendojë, veçmas pas daljes së Britanisë së Madhe. Turqia ka qëllim të sinqertë lidhur me anëtarësimin në BE”, tha Yildirim pas takimit me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në Ankara.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, është shprehur se negociatat të cilat Bashkimi Evropian i ka filluar me Turqinë duhej të vazhdonin me respekt të ndërsjellë.

“Nuk mund të bëhet fjalë vetëm për negociata dhe takime. Evropës i duhet Turqia. Nëse kanë filluar negociatat atëherë ato duhet të vazhdojnë me respekt të ndërsjellë. Turqia së shpejti do të jetë fuqia më e madhe në zonën që e quajmë Evropë, ndërsa njëherësh ky është Unioni ku Turqia dëshiron të bëhet vend anëtar. Turqia momentalisht ka rreth 80 milionë banorë dhe së shpejti do të ketë 100 milionë, është me ekonominë më të fuqishme dhe posedon një nga armatat më të fuqishme. Popullata e Turqisë është në rritje, numri i saj rritet ndërsa në shumicën e vendeve evropiane është e kundërta. Evropës i duhet Turqia”, tha Orban.

Ai tha se Turqia është aleat me rëndësi kyçe për Evropën. “Hungaria shpreh falënderim dhe të gjitha lëvdatat lidhur me përpjekjet e Turqisë kur është fjala për migracionin ndërkombëtar. Turqia nuk mbron vetëm Hungarinë, por mbarë Evropën dhe të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë”, shtoi Orban.

Kryeministri hungarez gjatë vizitës në Ankara bisedoi edhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne