YTB: ata që sulmojnë Turqinë sulmojnë dhe Shqipërinë, sulmojnë edhe të gjithë Botën Islame

Drejtoria e Komuniteteve Turke dhe Mike Jashtë Vendit (YTB) ka organizuar të dielën në Tiranë një takim me shqiptarët që kanë studiuar në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranës, të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore shqiptare, si dhe dhjetëra studentë dhe të tjerë që kanë kryer studimet e larta në Turqi.

Zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksoi se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë janë të hershme dhe i takojnë një miqësie të hershme.

“Mijëra persona vijnë në Turqi dhe kryejnë arsimin atje. Turqia tashmë është kthyer në një markë përsa i përket arsimit. Këto studentë bëhen edhe ura lidhëse në vendet ku shkojnë. Ndërsa ata bëhen shkas për rritjen e marrëdhënieve dhe nxitjen e tyre. Ne e duam Shqipërinë dhe shqiptarët, ju duam vetëm si miq. Unë uroj vazhdimësinë e kësaj miqësie dhe këtyre takimeve”, theksoi Baş.

Ndërkohë një fjalë përshëndetëse mbajti edhe nëndrejtori i YTB-së, Sayit Yusuf, i cili theksoi se shqiptarët që kanë studiuar në Turqi, në Shqipëri janë të pozicionuar në poste të rëndësishme shtetërore dhe jo vetëm.

“Unë nuk dua të merrem me shifra, por dëshiroj t’iu them se jemi krenar për këtë projekt pasi shohim frytet e tij, duke thënë se sa mirë kemi bërë që kemi nisur një projekt të kësaj natyre. Shohim që në Shqipëri kemi maturantë të cilët janë në vende shumë të rëndësishme. Unë mendoj se kjo gjë ka në vetvete garancinë e të ardhmes së vendit ku ata jetojnë si dhe ajo që është më e rëndësishmja, të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ne duam mirëqenien e Shqipërisë dhe Turqisë, pasi ne marrëdhëniet nuk i kemi nisur sot, as dje, por në shekullin e 15 duke ngritur një shtet të përbashkët, atë Osman”, u shpreh Yusuf.

Ai ka shtuar me tej se “Besoj që marrëdhëniet tona me Shqipërinë, por jo vetëm, do të jenë më të mira. E ardhmja e këtyre vendeve do të jetë më e mirë. Ju duhet të punoni për të ardhmen e Shqipërisë, për të bërë këtë duhet të dini që do të jemi gjithmonë pas jush dhe me ju. Unë e di që ata që sulmojnë Turqinë sulmojnë dhe Shqipërinë, sulmojnë edhe të gjithë botën Islame.”

Gjithashtu në aktivitet mbajtën fjalime edhe drejtues të shoqatave dhe institucioneve shqiptare, të cilët kanë kryer studimet në Turqi, si kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, drejtori i Shoqatës İstanbul me qendër në Shkodër, Ridvan Seferaj, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu, etj./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne