Rajoni

Zaev: Vendimi i Ivanovit për shqipen burracakëri

Vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos dekretuar ligjin për gjuhët është jo vetëm shkelje flagrante e Kushtetutës, por edhe burracakëri, deklaroi sot kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

”Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk do të ndryshojë asgjë në Maqedoni dhe as do ta prishë ardhmërinë e saj të përbashkët. Kërkoj të lihet ”të jetojë” ligji, të respektohen institucionet, ndërsa Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias të prononcohen për të”, theksoi ai.

“Ta lëmë të zbatohet ligjin për përdorimin e gjuhëve. Mua më vjen keq që presidenti i shtetit vendosi tekstualisht të mos e respektojë Kushtetutën dhe deklaroi se, për herë të dytë, nuk do ta dekretojë ligjin. Kjo nuk është mirë, kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës së Maqedonisë dhe gjithsesi institucionet nuk kanë të drejtë të lejojnë që kjo të ndodhë”, shtoi Zaev.

”Por, njëkohësisht kjo për mua nënkupton burracakëri. Nëse ligji do të zbatohet, kjo përfundimisht do ta realizonte obligimin e fundit ligjor nga Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në kuadër të Forumit për Sundimin e së Drejtës në Europës Juglindore.

Zaev theksoi se ky ligj nuk është votuar fshehtas dhe pas kuintave siç është bërë më herët, por për nëntë muaj ka patur debat të hapur.