Bota

Zarif: Sulmet e rreme (false flags) të Mosadit vetëm se e nxisin Iranin më tej që të forcojë lidhjet me botën

Ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif thotë se sulmet e rreme (false flags) të agjencisë izraelite të spiunazhit nuk do ti dëmtojnë lidhjet e Teheranit me botën, duke iu referuar rolit ndërhyrës të Mosadit në marrëdhëniet diplomatike mes Iranit dhe Danimarkës.

Në një mesazh në Twitter të mërkurën nga Pakistani, Zarif tha: “Implementimi pervers dhe kokëfortë i sulmeve të rreme (false flags) vetëm se forcon vendosmërinë tonë për t’u angazhuar në mënyrë më konstruktive me botën”.

Diplomati më i lartë iranian i cili ishte në Islamabad pas bisedimeve të tij trepalëshe në Stamboll me përfaqësues nga Azerbaxhani dhe Turqia, i vlerësoi më tej marrëdhëniet e forta të Iranit me fqinjët e tij.

“Marrëdhëniet e ngushta me fqinjët janë prioriteti jonë,” tha Zarif në Twitter, ku gjithashtu publikoi edhe disa fotografi të takimeve të tij në Turqi dhe Pakistan.

Mesazhi vjen në mesin e një ftohje diplomatike midis Teheranit dhe Kopenhagenit lidhur me pretendimet e kësaj të fundit se Irani ishte përpjekur të kryejë një komplot vrasjeje në tokën daneze, një pretendim që Teherani e ka refuzuar ashpër.

Policia suedeze e sigurisë tha gjithashtu se një shtetas norvegjez me origjinë iraniane ishte arrestuar më 21 tetor në lidhje me komplotin e dyshuar dhe u ekstradua në Danimarkë.

Danimarka tërhoqi ambasadorin e saj në Teheran dhe tha se po konsultohej me vendet e tjera evropiane se si të reagonte. Teherani gjithashtu thirri ambasadorin danez në Teheran për të shprehur protestën e tij.

Mediat izraelite më vonë zbuluan se Mosadi i kishte ofruar Danimarkës informacione sekrete lidhur me komplotin e pretenduar.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u tregua gjithashtu i shpejtë për të përgëzuar qeverinë daneze për arrestimin.

Teherani i ka hedhur poshtë pretendimet e Danimarkës duke i cilësuar si të nxituara dhe të politizuara. Ndërkohë zëdhënësi i ministrisë së jashtme Bahram Qassemi tha të mërkurën se “duar të padukshme” ishin vënë në punë për të dëmtuar lidhjet e Iranit me Evropën në kohën kur të dy palët po bashkëpunonin ngushtë për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 pas tërheqjes së SHBA-së.

Qassemi gjithashtu tha se raportet e tilla janë vazhdimi i komploteve të nxitura nga armiqtë e njohur që janë kundër forcimit të marrëdhënieve Iran-Evropë në momentet e ndjeshme aktuale.

Gjatë një pretendimi të ngjashëm në qershor, agjensia izraelite e spiunazhit tha se kishte ndihmuar ne pengimin e një sulmi të dyshuar iranian me bombë kundër një takimi të organizatës terroriste Mujahedin Khalq (MEK) në Paris. Një diplomat iranian me seli në Austri u arrestua në Gjermani me akuza të rreme për lidhje me sulmin e pretenduar.

‘Izraeli dhe SHBA-ja bëhen bashkë për të prishur marrëveshjen e Iranit’

Duke u zgjeruar më tej në Twitter, Zarif listoi të enjten një sërë masash të njëkohshme të marra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit të cilat dëshmojnë se administrata amerikane dhe regjimi izraelit po veprojnë së bashku për të shkatërruar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).

Në një tjetër mesazh në Twitter, ministri i jashtëm iranian vuri në pikëpyetje mundësinë e një koincidence mes masave kundër Iranit të marra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, duke vënë në dukje se masat e tilla synonin “të shkaterronin JCPOA-n”.

Bisedimet e Zarifit në Pakistan

Në Islamabad Zarif u ul me kryeministrin e ri pakistanez Imran Khan, Ministrin e Jashtëm Shah Mehmood Qureshi dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Qamar Javed Bajwa.

Ai zhvilloi bisedime me zyrtarët pakistanezë për fatin e ushtarakëve iranianë të rrëmbyer nga terroristët me bazë në Pakistan më herët në tetor pranë kufirit të përbashkët të dy vendeve.

Terroristët e të ashtuquajturit grupi Jaish ul-Adl rrëmbyen 12 ushtarakë iranianë në provincën juglindore të Sistanit dhe Baluchestanit dhe i dërguan ata në Pakistanin fqinj.

Në takimin e tij me Imran Khanin, të dy zyrtarët diskutuan mënyrat për të thelluar lidhjet midis dy vendeve fqinje, veçanërisht në fushën e energjisë dhe çështjet rajonale./press/Gazeta Impakt

OPINIONE