Shqiperia

Zbardhet vendimi, Gjykata e Apelit Administrativ: Fullani u shkarkua në kundërshtim me ligjin

Zbardhet i plotë vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ që dëmshpërblente ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, me 56 pagesa mujore.
Vendimi prej 42 faqesh thotë se Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk është organi competent, që duhet të nisë procedurën e shkarkimit të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Sipas vendimit të treshes së gjyqtarëve Kastriot Selita, Altina Nasufi dhe Bernina Kondi institucioni përgjegjës për shkarkimin e Fullanit është Kuvendi i Shqipërisë.
Gjykata thotë se Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka marrë një vendim shkarkimi kundër guvernatorit Fullani, në një kohë kur nuk ishte vërtetuar përgjegjësia penale e këtij personi. Më tej në vendimin e gjykatës thuhet se Ardian Fullani u arrestua në muajin shtator 2014 dhe më pas i është caktuar dhe masa e sigurisë arrest me burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Mirëpo gjykata e administrative e Apelit argumenton se në rastin konkret ligji nuk ka parashikuar si shkak të shkarkimit nga detyra të guvernatorit apo anëtarit të Këshillit Mbikqyrës, fillimin e një procedimi penal.
Nisur nga kjo situatë gjykata argumenton në vendimin e saj se “…në kushtet kur nuk rezulton i provuar veprimi apo mosveprimi në rastin konkret, i kryer nga paditësi gjatë ushtrimit të detyrës, që ka sjellë shkelje të rënda të etikës e për rrjedhojë edhe cënimin e thellë të interesave të Bankës së Shqipërisë, vlerësimi i bërë nëpërmjet vendimit nr 64 të datës 18.09.2014 të Kuvendit të Shqipërisë është në kundërshtim me përcaktimet e ligjit…” Kjo pasi me vendimin e tetorit 2015 gjykata e Tiranes e ka shpallur të pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës guvernatorin Fullani.
Ky vendim i jep të drejtë Fullanit të marrë pagën si guvernator i Bankës së Shqipërisë, deri në muajin nëntor 2018. Deri në këtë periudhë Banka e Shqipëri do paguajë me paga mujore dy guvernatorë ish-drejtuesin Fullani dhe guvernatorin aktual Gentian Sejko. Në total Fullani do të marrë 56 paga mujore. Në çdo muaj në llogarinë e Fullanit do të hyjnë 6.304.308 lekë të vjetra.

Lapsi

OPINIONE

INTERVISTA