‘Zbërthehet’ dosja/ Zhduket kontrata origjinale e sterilizimit, si Beqaj i hapi rrugën koncesionit për mikun e tij Rrapaj

Në vendimin prej 348 faqesh të firmosur nga gjyqtari Erjon Bami që pranoi kërkesën e SPAK për dërgimin e në arrest të Ilir Rrapajt dhe ish-zëvendësministrin e MSH, Klodian Rjepaj, një pjesë të arsyetimit të vendimit e zë dhe qendra e sterilizimit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për News24 të gjithë skemën e ndjekur nga Beqaj, dhe zëvendësi i tij, dhe bashkëpunimin e tyre me biznesmenin Rrapaj.

“Në QSUT në vitit 2010-2011 është inauguruar një qendër sterilizimi, ndërkohë në vitin 2014 ministri Beqaj kishte marrë një shkresë nga drejtoresha e QSUT, Manastirliu për ta vënë në punë këtë qendër sterilizim, pasi kapaciteti i kësaj qendre mbulonte 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Por pavarësisht se kjo qendër i plotësonte më së miri nevojat për ndërhyrje kirurgjikale, ministri i Shëndetësisë së kohës, Beqaj, që është duke u hetuar, s’e mori në konsideratë për ta vënë në punë këtë qendër sterilizimi, por i hapi dritës jeshile lidhjes së kontratës, partneritet privat dhe publik me një nga miqtë e tij, Rrapaj dhe një shtetas italian, Umbro Staccini.

Duhet theksuar se për këtë qendër sterilizimi ka pasur dhe një auditim nga KLSH që flet për një dëm të pariparueshëm që i është shkaktuar buxhetit, ndaj ishte kërkuar hetimi i zyrtarëve dhe ministrin Beqaj. Me pak investim apo me përgatitjen e stafit mund të përdorej qendra moderne që ishte ngritur brenda QSUT-së, por Beqaj. Vendosi që të mbyllte sytë dhe të favorizonte kompaninë e Rapajt, për investimin me 100 milionë euro”, tha Lala.

Sipas hetimit të kryer nga SPAK dhe miratuar nga GJKKO, rezulton se kompania koncensionare kishte fryrë koston në 56.4% në raport me çmimet e institucioneve shtetërore.

“Nëse do të ishte vënë në punë qendra e sterilizimit, kostoja do të ishte më e ulët dhe nuk do të kishte dëm në buxhetin e shtetit. Nisur nga këto argumente, është orientuar që të hetohet dhe ministri Beqaj. SPAK deri më tani nuk ka kërkuar masë sigurie për Beqajn”, tha Lala.

Sipas gjyqtarit Erjon Bani ka vend dhe dyshime të forta në dosje se Beqaj është i përfshirë në akte kriminale dhe në vepra të ndryshme penale në lidhje me paracaktimin e kompanisë fituese. Po ashtu po hetohet dhe roli i ish-ministrit Shkëlqim Canit. Ndaj do të presim se cili do të jetë përfundimi për hetimet për Beqajn dhe Canin.

Zhduket kontrata origjinale e sterilizimit

Kontrata origjinale e koncesionit të sterilizimit është zhdukur dhe nuk gjendet as në arkivat e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas Prokurorisë së Posaçme e Antikorrupsionit.

Pritet që ky skandal të zgjerojë edhe më tej hetimet për aferën me koncesionin e sterilizimit. Kujtojmë se deri më tani 8 zyrtarë dhe biznesmenë janë akuzuar zyrtarisht nga SPAK për veprat penale korrupsion, falsifikim dhe mashtrim.

Ministria e Shëndetësisë nuk gjen dot kontratën origjinale të sterilizimit.

SPAK më herët kishte marrë vendimin për sekuestrimin e praktikës së plotë dokumentare origjinale të procedurës së koncesionit të sterilizimit por janë gjendur përpara një situate të papritur.

“Në zbatim të këtij vendimi, oficerët e policisë gjyqësore kanë sekuestruar dosjen e koncesionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu duhet theksuar se me gjithë kërkimet në institucion dhe arkivën e ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarët e këtij institucioni nuk gjetën dhe nuk venë në dispozicion kontratën origjinale të koncesionit dhe as anekset përkatëse. Dokumentacioni i sekuestruar është origjinal i kopjes së njehsuar të dërguar nga ministria e Shëndetësisë për sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit me shkresën numër 910/ 1 datë 19 shkurt 2020”, thuhet në dosje.

Ky koncesion është gjetur me shkelje për veprat penale korrupsion, falsifikim dhe mashtrim, ku deri më sot dëmi ekonomik përllogaritet në 76 milionë euro. Masat e arresteve për 8 të akuzuarit janë dhënë që më 23 qershor por zbatimi i tyre është zvarritur deri më sot duke hedhur edhe më tepër mjegull rreth kësaj afere.

Kujtojmë se pas hekurave për këtë aferë është ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe është dhënë masa ‘arrest shtëpie’ dhe ‘detyrim paraqitje’ për 6 zyrtarë të MSH-së./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne