Shqiperia

Zbulohen detaje të reja/ Artan Hoxha: Arma nuk ishte e shoferit, por e shoqëruesit të ministrit

Gazetari Artan Hoxha, të hënën, ka rrëfyer disa të dhëna në lidhje me vetëvrasjen e Shkëlzen Qordjas, shoferit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj në garazhet e Gardës së Republikës.

Hoxha tha në studion e emisionit “Opinion”, se kamerat e sigurisë në Gardën e Republikës, prej një muaji, nuk funksionojnë për shkak të shpërnguljes së këtij institucioni në një vend tjetër.

Ndërkaq, për armën që dyshohet se është vetëvrarë 31-vjeçari Qordja, automatiku MP5 nuk është një armë që mban shoferi, por shoqëruesi i ministrit.

Gazetari Hoxha theksoi se vrasja ka ndodhur disa orë para se të gjendet kufoma, ndërsa është zbuluar nga i vëllai, i cili është shofer i një tjetër autoriteti.

Ai tregoi se makina e ministrit është kthyer në Gardë pas përfundimit të një aktiviteti në Pallatin e Brigadave për llogari të Ambasadës Amerikane.

“Makina është me xhama të errët, ndërsa kur ka hyrë në Gardë nuk është kontrolluar. Makina ka hyrë në garazh dhe nga ai moment nuk ka dalë më”,- tha Hoxha.

Sipas tij, një dyshim tjetër është se si e gjeti Garda makinën, ndërsa shtoi se viktima është gjetur nga i vëllai  dhe ka qenë ky i fundit që ka lajmëruar autoritetet.