Zbulohet skandali! Fshehu kallëzimin për ndikim të paligjshëm, gjyqtarja Enerjeta Shehaj kandidon për anëtare e Gjykatës së Lartë

Emri i Enerjeta Shehajt (Deraj) renditet në listën e 12 gjyqtarëve që kandidojnë për një vend në gjykatën e Lartë në profilin Administrativ. Por ndërsa gjyqtarja synon të ngjitet në institucionin më të lartë të drejtësisë në vend, News24 mëson se ajo ka qenë e kallëzuar në prokurori, për veprën “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Megjithatë, gjyqtarja ia doli t’i mbyllte hesapet me drejtësinë dhe sot po synon një karrige në gjykatën Supreme.

Referuar dokumentave, ndaj Shehajt paraqiti kallëzim avokati Dedë Guri. Mbrojtësi ligjor pretendonte se ishte ndaluar padrejtësisht nga prokurori Erjon Shehaj, që është bashkëshort i gjyqtares administrative. Për këtë shkak, ai kishte kallëzuar prokurorin, por cështja ishte pushuar nga institucioni i akuzës së Kurbinit. Në këto kushte- shpjegon Guri në kallëzim – vendosi t’i drejtohej gjykatës së Kurbinit, prej nga kërkonte hetim për prokurorin. Por, ndërsa priste drejtësi, ai thotë se e gjeti gjyqtaren Shehaj në të njëjtën kafe me gjyqtaren e cështjes së tij.

“Në datën 18.12.2016 rreth orës 09.00, në ambjentet e një bar lokali në afërsi të ish Stadiumit “Qemal Stafa”, shtetësja Enerjeta Shehaj (Deraj) që është dhe bashkëshortja e Erjon Shehajt, shtetasit ndaj të cilit kam bërë kallëzim penal, ishte ulur së bashku në të njëjtën tavolinë dhe po konsumonin pije e duhan , vetëm në shoqërinë e njëra-tjetrës, me gjyqtaren që po gjykon çëshjen time”.

Në dokumentin e firmosur nga avokati Guri thuhet se Enerjeta Shehaj (Deraj) me këtë veprim dhe me veprime të tjera që duhet t’i hetojë organi i prokurorisë, ka konsumuar elementet e veprës penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi takimi e biseda me gjyqtaren e cështjes vetëm pak ditë para seancës së radhës në të cilën do të shpallet vendimi , ku palë është bashkëshorti i saj nuk mund të përbëjë një rastësi, por është bërë për të ushtruar ndikim tek gjyqtarja.

“Nëse gjyqtarja e çështjes do të kishte patur ndonjë njohje me shtetasen Enerjeta Shehaj (Deraj) do ta kishte bërë të njohur këtë fakt ose do të kishte dhënë dorëheqjen nga gjykimi i çështjes. Po kështu nëse ky takim , nuk do të ishte bërë me qëllimin për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj gjyqtares së çështjes nuk do të kishte arsye pse këto dy shtetase kur konstatuan praninë time në ambjentet e lokalit , kanë ndënjur dhe pak minuta të ulura në tavolinën ku ishin dhe pastaj janë larguar nga dyer të ndryshme të lokalit”.

Pretendimet e tij u rrëzuan nga prokuroria e Durrësit, e cila vendosi mosfillimin e procedimit. Avokati Guri e ankimoi vendimin dhe gjykata vendosi ta kthejë cështjen për rihetim. Por përballja me drejtësinë e Enerjeta Shehajt u mbyll kur Apeli vendosi të firmosë në favor të saj. Aktualisht cështja ndodhet në gjykatën e Lartë, pasi avokati Guri vendosi të paraqesë rekurs./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne