Zelanda e Re – Delegacioni turk kërkon qëndrim të përbashkët kundër terrorizmit

Nënpresidenti i Turqisë, Fuat Oktay, i cili shkoi në Zelandën e Re pas sulmit terrorist në dy xhami, u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të vendit, Winston Peters.

Në takimin e zhvilluar në dyer të mbyllura i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu).

Gjatë takimit, delegacioni turk përcolli pikëllimin e qytetarëve të Turqisë dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

Pala turke është informuar me detaje rreth hetimit dhe gjendjes së tre shtetasve turq të plagosur.

Turqia po ashtu i ka shprehur Zelandës së Re gatishmërinë për të ofruar çdo lloj mbështetjeje me përvojën e saj, duke u nisur nga mundësia që sulmi të ketë qenë akt i organizuar, më tepër sesa një incident individual.

Në takim është shprehur shqetësimi për rritjen e akteve të së djathtës ekstreme dhe nxitjes së racizmit dhe armiqësisë kundër Islamit dhe se këto qasje ekstreme inkurajojnë personat e prirur për të kryer vepra terroriste.

Gjithashtu, gjatë takimit është theksuar se sulmi është haptazi një akt terrorist dhe se terroristët që sot sulmojnë myslimanët, në të ardhmen mund të orientohen në drejtim të njerëzve me përkatësi të tjera fetare, ndërsa është potencuar nevoja për të shfaqur qëndrim të përbashkët kundër sulmeve terroriste.

Ndryshe, 50 persona kanë humbur jetën pasi një terrorist i armatosur hapi zjarr mbi besimtarët në dy xhami në qytetin Christchurch të premten gjatë kohës së namazit të xhumasë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne