Shqiperia

Zëri Amerikës: Në goditjen e grupeve kriminale u përfshinë edhe amerikanët

Në Shqipëri, policia tha se po vazhdon operacionet kundër grupeve kriminale dhe shkelësve të ligjit. Së fundi janë arrestuar 300 persona, një pjesë prej të cilëve ishin në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë vijojnë hetimet mbi arrestimin e 27 personave të dyshuar si pjesëtarë të 4 grupeve kriminale, që prodhojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike.

Policia shqiptare bëri sot të ditur se ka arrestuar në 30 ditët e fundit mbi 300 persona në vazhdim të Operacionit “Ndëshkimi i të Fortëve”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, tha se 14 nga të arrestuarit ishin në kërkim ndërkombëtar, 154 të tjerë në kërkim brenda vendit, ndërsa gjysma tjetër e të arrestuarve, rreth 160 persona, u identifikuan si individë që shkelin rendin dhe ligjin, ndërsa iu kapën edhe mbi 40 lloje armësh zjarri.

Ky operacion i ri njëmujor i policisë ka ecur paralel me operacionin njëvjecar “Forca e Ligjit”, ndërsa vetëm një ditë më parë u krye një tjetër operacion i koduar si “Vol-Vo 4” goditi me 27 arrestime 4 grupe kriminale nga veriu në jug të vendit, që prodhonin dhe transportonin lëndë narkotike.

Prokuroria e krimeve të rënda ka kërkuar 44 arrestime dhe masa arresti me 4 akuza për pjesëtarë të këtyre 4 grupeve kriminale me qendër në Shijak dhe me shtrirje në Has, Shkodër, Lezhë, Fier dhe Sarandë. Akuzat për këto arrestime janë “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të cilët trafikonin droga nga Shqipëria drejt Italisë dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian.

“Operacioni i orëve të fundit ‘Vol-Vo 4” goditi anëtarët e 4 grupeve kriminale dhe pati një shtrirje në 12 qytete, pa asnjë dekonspirim, megjithë përmasat jo të zakonshme të një operacioni policor, me 1500 efektivë në terren. Për shumë grupe të tjera të skeduara tashmë në hetimet intensive prej shumë muajsh, janë në rrugë të mbarë” – tha Ardi Veliu, drejtori i përgjithshëm i policisë.

Ekspertë të antikrimit pohuan se organizata e strukturuar qartë dhe me shtrirje në territor drejtohej nga pjesëtarë të familjes Avdyli në Shijak, kishte laboratorin e përpunimit të drogave të forta në një fshat të Hasit si dhe degët e veta në disa qytete bregdetare.

Rruga e drogës në Ballkan, sipas tyre, nis nga Turqia, Bullgari, Serbi, Kosovë, Has, Durrës dhe qytete të tjera bregdetare të Shqipërisë për t’u transportuar drejt Italisë dhe më tej drejt Europës qendrore e veriore, në disa vende si Gjermani, Hollandë, Angli etj.

Burime të besueshme bënë me dije se përkrah policisë shqiptare në këtë operacion dhe hetime dyvjeçare kanë qëndruar edhe ekspertë të agjencive të antidrogës amerikanë, gjermanë dhe shtete të tjera të prekura nga kjo veprimtari kriminale.

Ata provuan së bashku 13 episode me lëndët narkotike dhe sende të tjera antiligjore të pjesëtarëve të këtyre grupeve kriminale, që nga Lezha, Durrësi, Shkodra, Burreli, Saranda, Lushnja, Kukësi e deri në Itali.

Pika kulmore e operacionit, krahas arrestimeve në qendrën e tyre në Shijak, ishte zbulimi dhe goditja e laboratorit të përpunimit të drogave të forta në Has, ku u gjetën 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës. Materialet vinin nga Turqia përmes Kosovës dhe, pas përpunimit në Has, zbritnin në qytetet bregdetare për t’u nisur drejt Italisë.

Por opozita shprehu mosbesimin e saj mbi këto operacione. Përfaqësues të saj pohuan se qeveria dhe policia është e lidhur me drejtues të grupeve kriminale dhe nuk i arreston ata edhe kur ua tregojnë policitë e shteteve partnere.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se “policia është bërë vegël e propagandës së Edi Ramës, sepse në listën me të ashtuquajtur 300 të fortë, nuk ka asnjë emër krimineli, që drejton realisht bandat në vend”.

Ai shtoi se “Forca e Ligjit” nuk ekziston, sa kohë që asnjë bos i krimit nuk është arrestuar dhe asnjë pasuri e bosëve të krimit nuk është sekuestruar.

“Të fortët e vërtetë janë drejtuesit e organizatave kriminale, që policia e Fatmir Xhafës dhe Ardi Veliut, jo vetëm nuk i arreston, por i njofton të shkojnë në drejtim të paditur edhe kur operacionet e partnerëve ndërkombëtare i evidentojnë si bosë të krimit të organizuar në vend. Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu, kanë detyrimin të informojnë qytetarët: Sa nga bosët e krimit të organizuar janë arrestuar? Sa është numri i familjeve mafioze që janë shkatërruar? Sa janë Laboratorët e Drogës që janë zbuluar nga Policia Shqiptare, pa kërkesën e partnerëve? Të konsiderosh suksese arrestimin e të moshuarve, rojeve apo shoferëve, është, më e pakta, shfokusim ndaj luftës së vërtetë me krimin” – tha zoti Alibeaj.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Europian para se të mund të hapen negociatat me Shqipërinë për anëtarësim të plotë.

OPINIONE