Klodian Braho do të jetë kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme për tre vitet e ardhshme, duke pasuar në këtë detyrë Altin Dumanin.
Braho do të marrë pikërisht detyrën nga Dumani në 19 dhjetor për të nisur më pas zyrtarisht ushtrimin e funksionit si drejtues i Prokurorisë së Posaçme.
Klodian Braho ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho mban mbi supe edhe drejtimin e shumë çështjeve të “nxehta” që lidhen me politikën. Ai ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati.
Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D, duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Po ashtu, një tjetër dosje e hetuar nga Braho është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj.
Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.
CV e Brahos:
Klodian Braho u lind në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004 kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.
Ka pasur këto detyra:
14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)./tpz


















