Zgjedhje e thjeshtë, të ngrihemi kundër hipokrizisë amerikane për luftën e ftohtë ose të përballeni me dekada konfliktesh të padrejta

nga Ken Livingstone.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për dyzet e pesë vjet bota u mbyll në një luftë armiqësore të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Bashkimit Sovjetik.

Ne tani e dimë se pas publikimit virtual të pothuajse të gjitha dokumenteve të qeverisë sovjetike, Stalini nuk kishte pasur ndërmend të niste një konflikt me Perëndimin. Në fakt, në takimin me presidentin amerikan Franklin Roosevelt në konferencën e Jaltës, ai i kishte kërkuar një hua prej 6 miliardë dollarësh për t’i mundësuar atij që të rindërtonte ekonominë sovjetike e cila ishte shkatërruar nga pushtimi nazist.

Ideja se Bashkimi Sovjetik mund të përbënte një kërcënim për SHBA-në ishte e pakuptimtë. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, rreth 50 për qind e ekonomisë botërore ishte në SHBA. Bashkimi Sovjetik do të arrinte më në fund në vitin 1950 deri në dhjetë për qind.

Roosevelt kishte planifikuar një marrëdhënie pune me Stalinin, por vdekja e tij tragjike solli në pushtet zëvendës presidentin Harry Truman i cili u bë komandant i përgjithshëm.

Truman ishte paranojak në lidhje me popullaritetin ndërkombëtar të Stalinit, trupat e të cilit kishin vënë poshtë forcën ushtarake të Hitlerit (me një kosto të tmerrshme për popullin rus) dhe kishte frikë se në vende si Franca dhe Italia mund të zgjidheshin qeveri komuniste.

U deshën tridhjetë vjet që Bashkimi Sovjetik të grumbullonte një arsenal bërthamor të barabartë me atë të SHBA-ve dhe pasojat e Luftës së Ftohtë bënë që kombet anembanë botës të shpenzonin shuma të mëdha të pasurive së tyre në shpenzime ushtarake të panevojshme. Por publiku i gjerë nuk dinte asgjë për realitetin e situatës, ndërsa sot ne më në fund e dimë të vërtetën pasi historianët i kanë shfletuar me kujdes të gjitha dokumentet e deklasifikuara të Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.

Madhësia e kompleksit industrial ushtarak të Amerikës ka dominuar politikat e çdo presidenti amerikan që nga viti 1945. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, SHBA-ja ka lëvizur drejt një luftë të re të ftohtë që shenjestron çdo vend në botë që vendos interesat e popullit të tij para atyre të korporatave amerikane.

Vende si Venezuela, Irani apo Iraku nën Sadam Huseinin, propaganda e qeverisë amerikane i ka përshkruar të gjitha si kërcënime, dhe duke pasur parasysh edhe madhësitë e ekonomive të tyre në krahasim me atë të SHBA-së, kjo është vërtet qesharake.

Çështjet janë bërë edhe më dramatike që nga zgjedhja e Presidentit Trump, administrata e të cilit tani po i kritikon ashpër vendet evropiane për mos rreshtimin e tyre me sanksionet amerikane kundër këtyre qeverive. Javën e kaluar u pa zëvendës presidenti amerikan Mike Pence që denonconte aleatët e tij evropianë për përpjekjen për të parandaluar sanksionet që dëmtonin ekonomitë e tyre.

Bashkimi Evropian është përpjekur që të mbrojë tregtinë me Iranin, por u denoncua nga Pence gjatë një konference të organizuar nga SHBA në kryeqytetin polak, si “një përpjekje për të thyer sanksionet amerikane kundër regjimit revolucionar vrasës të Iranit … është një hap i keq-këshilluar që vetëm se forcon Iranin, dobëson BE-në dhe krijon më shumë distancë mes Evropës dhe SHBA-së”.

Pence shkoi që tu kërkonte “popujve të dashuruar pas lirisë” që të ngriheshin kundër “të keqes” iraniane dhe bëri pretendimin e çuditshëm se Irani po komplotonte për një “holokaust të ri”.

Megjithëse në këtë konferencë morën pjesë më shumë se gjashtëdhjetë vende, Gjermania dhe Franca, të cilat mbështetën marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, nuk pranuan të dërgonin diplomatët e tyre të lartë.

Ndërsa pjesa më e madhe e mbulimit të konferencës u lidh me politikën amerikane ndaj Iranit, pati gjithashtu edhe një kohë të konsiderueshme që u mor me çështjen e palestinezëve dhe Izraelit. Edhe këtë herë vendet evropiane kanë qenë të pakënaqur me Trumpin që pakësoi ndihmat për palestinezët.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, e quajti këtë konferencë “një pikë kthese historike” teksa u ul për të ngrënë me diplomatët e lartë nga shtetet e Gjirit si Arabia Saudite. Ne sot jemi në një pozicion fantastik pasi që shumë vende arabe po vijnë së bashku me Izraelin për të kundërshtuar qeverinë e Iranit.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif e quajti tubimin një “vdekje gjatë lindjes” dhe thjesht një përpjekje amerikane për të ndjekur obsesionin e saj të çuditshëm kundër Iranit.

Pence vazhdoi të denoncojë vendet evropiane që kishin dështuar në mbështetjen ndaj sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për eksportet iraniane të naftës, duke thënë se “është trishtuese që disa nga partnerët tanë kryesorë evropianë nuk kanë qenë pothuajse fare bashkëpunues. Në fakt, ata kanë bërë përpjekje për të krijuar mekanizma për të thyer sanksionet”. Më pas ai bëri thirrje për vendet evropiane që të tërheqeshin nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Para se Trump të vinte në pushtet, Obama i kishte reduktuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit për shkak të mbështetjes së tij për marrëveshjen bërthamore, megjithatë sanksionet u ri-imponuan menjëherë nga Trump, i cili gjithashtu u tërhoq nga marrëveshja bërthamore. Diplomati më i lartë i Uashingtonit, Mike Pompeo, tha se “nuk mund të arrini stabilitet në Lindjen e Mesme pa u përballur me Iranin. Nuk është vetëm mundësia … ka edhe influenca malinjë në Liban, Jemen, Siri dhe Irak. Të tri grupet e tij: Houthët, Hamasi dhe Hezbollahi, janë kërcënimet reale.”

Unë nuk kam asnjë dyshim se në disa dekada, kur dokumentet sekrete të qeverisë amerikane më në fund të kenë dalë, bota do të kuptojë se asnjë nga të këqinjtë e rinj të Amerikës nuk kanë përbërë ndonjë kërcënim për paqen botërore dhe vendet e BE-se paskan pasur plotësisht të drejtë që janë distancuar nga politikat e Trumpit. Jo vetëm që ato dëmtojnë tregtinë ndërkombëtare dhe ekonominë e Evropës, por kanë edhe ndikime shkatërruese dhe vdekjeprurëse tek njerëzit që jetojnë në vendet e shenjestruara nga SHBA.

Irani gjendet nën shenjestrën e SHBA-së që nga revolucioni i vitit 1979 që përmbysi regjimin e korruptuar të vjetër të Shahut dhe e vuri përsëri kontrollin e naftës në dorën e Teheranit në vend të korporatave amerikane, megjithatë qeveria iraniane ka ende një mbështetje të gjerë në popullin e saj.

Një situatë shumë e ngjashme ekziston me agresionin amerikan ndaj Venezuelës. Ashtu sikurse Irani shtetëzoi naftën e tij edhe Venezuela bëri të njëjtën gjë. Një faktor kyç në zgjedhjen e Hugo Çavezit në vitin 1998 ka qenë rënia e çmimeve të naftës gjatë viteve 1980 dhe 1990, gjë që nxiti zemërimin e publikut dhe solli Chavezin në pushtet.

Ndërsa Chavezi akoma vazhdon të demonizohet nga qeveria amerikane, ne asnjëherë nuk po shohim nëpër mediat perëndimore faktin që nën Chavezin, Venezuela në vitin 2005 e lau borxhin që kishte ndaj FMN-së.

Rënia e fundit e çmimeve të naftës ka shkaktuar për fat të keq probleme të mëdha për ekonominë e Venezuelës nën presidentin aktual Maduro. Unë shkova për një vizitë në Venezuelë në vitin 2008 dhe në diskutimet e mia me Chavezin i kërkova atij që të diversifikonte ekonominë e Venezuelës dhe ta reduktonte varësinë e saj nga nafta, por dështimi për ta bërë këtë e ka lënë Venezuelën të prekshme dhe tani administrata Trump po përpiqet të shohë Maduron të rrezuar prej Juan Guaidos i cili çuditërisht njoftoi se ishte presidenti i ri.

Për fat të mirë, ushtria e Venezuelës e ka refuzuar ofertën e Guaidos për pushtet dhe vazhdon të mbështesë Presidentin Maduro, i cili u rizgjodh vitin e kaluar në zgjedhje të hapura dhe të drejta.

Këshilltari i Trumpit për Sigurisë Kombëtare John Bolton mbajti një fjalim më 1 nëntor 2018 ku njoftoi sanksionet e reja kundër qeverisë së Venezuelës. Ai paralajmëroi se në Amerikën Latine kishte një “troikë të tiranisë”: Kubë, Venezuelë dhe Nikaragua. Fjalimi i tij nënkuptonte se Trump do të mbështeste një grusht shteti kundër Maduros.

Më 25 janar, Departamenti Amerikan i Shtetit emëroi Elliott Abrams si të dërguarin e posaçëm të Uashingtonit në Venezuelë. Abrams ishte përfshirë në skandalin Iran-Contra të viteve 80 kur Presidenti Reagan në mënyrë sekrete i shiste armë Iranit dhe paratë e fituara i përdorte për të financuar përpjekjet për të përmbysur qeverinë e Nikaraguas.

Qeveritë anembanë botës tani përballen me një zgjedhje të thjeshtë: të qëndrojnë mbas SHBA-së në një tjetër luftë të ftohtë hipokrite të drejtuar kundër qeverive që janë vetëm disa thërrmija te vogla krahasuar me madhësinë e Bashkimit Sovjetik të dikurshëm ose të refuzojnë zbatimin e sanksioneve të Trumpit dhe të inkurajojnë rritjen e tregtisë dhe marrëdhëniet me vendet që janë nën shënjestër nga Trump. Ne kemi nevojë për udhëheqës të guximshëm që ti bëjnë ballë administratës Trump dhe të ekspozojnë gënjeshtrat ose ndryshe do të kalojnë edhe një herë dekada të tëra duke humbur shuma të mëdha parash në një konflikt i cili është plotësisht i pajustifikuar./rt/Gazeta Impakt

Ken Livingstone është një politikan anglez i cila ka shërbyer si kryebashkiak i Londrës ndërmjet viteve 2000 dhe 2008. Ai ka qenë gjithashtu edhe deputet dhe ish-anëtar i Partisë Laburiste.

burimi: rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne