Rajoni

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, hapen qendrat e votimit

Sot në ora 7 të mëngjesit janë hapur vendvotimet në mbarë Maqedoninë e Veriut, me çka filloi rrethi i parë i votimit për zgjedhje të presidentit të këtij shteti, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendvotimet do të qëndrojnë të hapura deri në ora 19:00.

Në zgjedhjet presidenciale votohet në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, si dhe në 32 vendvotime jashtë vendit.

Të drejtë vote kanë 1.808.131 qytetarë, prej të cilëve sot mund të votojnë 1.726.696 qytetarë, ndërsa pjesa tjetër (të burgosurit, të zhvendosurit dhe personat e plogshtë) që janë në listë të veçantë zgjedhore, të drejtën e votës kishin mundësi ta shfrytëzonin gjatë ditës së djeshme.

Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut janë Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni qeveritar (LSDM, BDI, Alternativa dhe 28 parti tjera), Gordana Siljanovska-Davkova e mbështetur nga partia opozitare VMRO-DPMNE dhe koalicioni si dhe Blerim Reka i mbështetur nga partitë opozitare të bllokut shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Që të tre janë profesorë universitarë.

Njëkohësisht, përveç rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, qytetarët e Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës do të zgjedhin kryetar komune.

Sipas ligjit, kandidati për president mund të fitoj në rrethin e parë nëse siguron mbi 50 për qind të të gjithë votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Në të kundërtën do të mbahet rreth i dytë në të cilin do të garojnë dy kandidatët e parë të plasuar nga rrethi i parë. Që votimi të konsiderohet i vlefshëm, jehona e daljes në zgjedhje duhet të jetë minimum 40 për qind prej numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.

Sipas kushtetutës, kandidati presidencial duhet të ketë mbi 40 vjet dhe jetë shtetas së paku 10 prej 15 viteve të fundit. Një mandat i presidentit zgjat 5 vite.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar për dy javë, më 5 maj.

Nga pavarësia e shtetit, këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale.

OPINIONE