Shqiperia

Zgjedhjet,Burime:Rama pranon deri në 30 qershor, bie korrik

TIRANE- Prej dy ditës maxhoranca dhe opozita janë futur në një proces të ri negociatash, për të dalë nga ngërçi politik.

Edhe pse nga ana e Zëvendës Ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee u la një afat që palët të kthenin një përgjigje dje brenda orës 16: 00 duket se ky afat nuk u respektua.

Por burime nga të dyja kampet kanë bërë me dije se negociatat do të vijojnë edhe ditën e sotme për ato pika që nuk janë dakordësuar. Si nga maxhoranca edhe nga opozita nuk ka një qëndrim zyrtar për këto negociata dhe të dyja kampet janë hermetike sa i përket detajeve.

Megjithatë, burime pranë negociatave maxhorancë-opozitë bëjnë të ditur se shumica parlamentare ka propozuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet parlamentare.

Po sipas të njëjtave burime, kryeministri Rama duket se do të tërhiqet nga 18 qershori, duke pranuar një datë të ndërmjetme fundin e muajit qershor.

Mësohet gjithashtu që Rama të ketë deklaruar se çdo datë tjetër, përtej qershorit, është antikushtetuese.

Negociatat vijojnë
Mbrëmjen e djeshme nga ana e opozitës u njoftua se do të kishte një deklaratë për ecurinë e negociatave për ditën e djeshjme dhe mosaarritjen e konsensusit, por në fund kjo deklaratë u anulua për shkak të vijimit të negociatave edhe ditën e sotme. Sipas po të njëjtave burime mësohet se palët ndahen tek data e zgjedhjeve, ku veç datës 18 qershor janë hedhur edhe idetë për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 korrik, apo në muajin shtator. Gjithashtu një tjetër pikë ku ndahen palët është edhe zbatimi i vetingut. Sipas maxhorancës opozita duhet të plotësojë vendet bosh në komisionet e Vettingut, ndërsa opozita kërkon të votohet vetëm sipas ndryshimeve kushtetuese. Sa i përket elektronikës në zgjedhje, duket se palët kanë gjetur një marrëveshje.