Shqiperia

Zyrtari i lartë i PD: Data e zgjedhjeve shtyhet me 84 vota, pa u prekur Kushtetuta

Tashmë debati politik është orientuar vetëm tek shtyrja e datës së zgjedhjeve. Siç kemi raportuar mbrëmjen e djeshme negociatat mes PD-PS kanë ngecur pasi Rama nuk pranon të shtyjë zgjedhjet. Pra kërkon të mbahen më 18 Qershor. Nga ana tjetër PD ka bërë lëshime, duke pranuar votimin e Vetingun dhe ka hequr dorë nga qeveria teknike. E vetmja kërkesa që ka PD aktualisht është shtyrja e zgjedhjeve në Shtator me dy argumente: që të bëhet identifikimi biometrik dhe numerimi elektronik i votave. Duke dhënë arsyet se pse Rama nuk pranon shtyrjen e zgjedhjeve, analisti pranë të majtës, Lorenc Vangjeli tha mbrëmë në emisionin “Opinion” se Kryeministri nuk do që të shkelë Kushtetutën. “ Rama nuk lëviz nga data e zgjedhjeve që është 18 Qershori sepse nuk e lejon Kushtetuta. Më 25 Prill kur erdhi McAllister në Shqipëri kishte kohë dhe mund të arrihej marrëveshja, ndërsa tani është vonë. Ndërsa politikanët flasin, juristët qeshin. Sepse s’ka hapësirë ligjore”, u shpreh ai. Sakaq, juristi i njohur dhe një nga figurat kryesore në PD, Oerd Bylykbashi i përgjigjet Vangjelit dhe me këtë rast Ramës se nuk ka asnjë pengesë në Kushtetutë për të shtyrë zgjedhjet. Sipas tij, nevojitet vetëm ndryshimi i Kodit Zgjedhor me 84 vota në Parlament. Postimi i plotë në facebook i Bylykbashit Shpjegim i thjeshtuar per Kryeministrin dhe ndonje analist per daten e zgjedhjeve. Degjova mbreme nje analist qe fliste me “kompetence” se Kushtetuta nuk lejon ndryshimin e dates se zgjedhjeve dhe binte dakord me Kryeministrin qe e refuzonte ndryshimin e dates se zgjedhjeve. Me vinte per te qeshur sepse bashke me nje koleg i kemi shkruar keto dispozita te Kushtetutes ne 2008. Le ta mbyllim nje here e mire kete argument qesharak. Kushtetuta nuk cakton asnje date per zhvillimin e zgjedhjeve. Kushtetuta percakton rregullin qe llogarit vetem fundin e mandatit i cili eshte data 9 shtator 2017 (Kushtetuta neni 65, pika 1). Kushtetuta percakton se zgjedhjet zhvillohen ne periudhen zgjedhore qe i paraprin fundit te mandatit, pra qe i paraprin 9 shtatorit. Kushtetuta percakton se periudha zgjedhore percaktohet nga Kodi Zgjedhor. (Kushtetuta neni 65, pika 2). Pra e vetmja gje qe detyron Kushtetuta eshte qe data e zgjedhjeve te caktohet para fundit te mandatit. Pike! Periudhat zgjedhore ne Kodin Zgjedhor (pra ne ligj dhe jo ne Kushtetute) jane dy: e pranveres 15 mars – 30 qershor dhe e vjeshtes 15 shtator – 30 nentor. Presidenti mund te caktonte daten ne nje nga dy te dielat e fundit te periudhes zgjedhore qe i paraprin 9 shtatorit (Kodi Zgjedhor nenet 8 dhe 9), pra ose 18 ose 25 korrik 2017. Presidenti zgjodhi daten 18 qershor. Pra data eshte thjesht ligjore dhe jo kushtetuese. Nese Kodi do caktonte nje periudhe tjeter para 9 shtatorit, data do ishte nje tjeter dhe jo 18 qershori. Nese parlamenti vendos qe per keto zgjedhje apo gjithmone, periudha e zgjedhjeve te jete nje periudhe tjeter, mund ta ndryshoje Kodin tani me vetem 84 vota dhe pa ndryshuar Kushtetuten. Dhe parlamenti mund te caktoje çdo te diele deri me 3 shtator (sepse 3 shtatori eshte e diela e fundit para dates 9 shtator) si date te zgjedhjeve, vetem duke ndryshuar ligjin pa patur nevoje te ndryshoje Kushtetuten. A mund te zhvillohen zgjedhjet pas dates 9 shtator? Po! Mjafton nje dispozite tranzitore e thjeshte ne Kushtetute qe eshte shume me pak e shemtuar se ai aneksi i tmerrshem qe u miratua per reformen ne drejtesi qe nuk e ka asnje kushtetute e botes. Kur deshi Rama te shtynte zgjedhjet me sebepin e certifikatave, ne 2007 Kodi u ndryshua per te shtyre daten e zgjedhjeve. Zgjedhjet ishin dekretuar per daten 20 janar 2007, me date 13 janar u ndryshua ligji qe detyronte presidentin te dekretonte nje date te re jo me vone se 20 shkurt 2007. Presidenti i dekretoi per daten 18 shkurt 2007. Nese nuk e mbani mend, shihni kete foto. Ndersa Kryeministri dhe analisti te lexojne nenet me siper dhe Kodin Zgjedhor.

OPINIONE

INTERVISTA