Zgjidhje që mund të jenë lëshime për hir të Europës

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn është shprehur për agjencinë austriake, APA, se vendet e Ballkanit që kanë probleme kufitare, ose probleme të tjera me njëri-tjetrin, nuk do të pranohen në BE.

Ne sigurisht që nuk do të pranojmë ato vende që kanë çështje të hapura me fqinjët. Konfliktet kufitare si Sllovenia dhe Kroacia nuk mund të ekzistojnë më në Union. Sigurisht Serbia duhet të zgjidhë së pari çështjen me Kosovën dhe pastaj çështje të hapura mes Serbisë dhe Kroacisë, Malit të Zi dhe Kosovës, Shqipërisë dhe Greqisë citohet nga Hahn.

https://www.b92.net/eng/news/world.php?yyyy=2018&mm=01&dd=19&nav_id=103303

Ai referohet të ketë thënë se Serbia dhe Mali i Zi do të pranohen më 2025 duke e ngatërruar edhe në shumë çështjen dhe ngarkuar perceptimin. Kjo sepse nga një pikëpamje e tillë, Serbia ka problemet më të mëdha dhe më komplekse me fqinjët e megjithatë ajo ftohet e para. Për këtë arsye deklarimeve të tilla nuk u duhet zënë shumë besë, pasi aspekti gjeopolitik ka përherë rëndësi specifike.

Megjithatë duke e marrë fjalën e Hahn si ndikuese në axhendat e politikës së jashtme të vendeve aspirante dhe duke konsideruar se ai përmend edhe problemet e Shqipërisë me Greqisë, mund të nxirret një vlerësim paraprak për bisedimet e Korçës mes Ditmir Bushatit dhe Nikos Kotzias.

Lajmi i shpërndarë sot për një takim mes Edi Ramës dhe Alexis Taipras në prill, i paqartë për burimin dhe i pakonfirmuar shkon pikërisht në këtë frymë. Pra Shqipëria do t’i zgjidhë problemet me Greqinë. Ky lajm doli në një ditë me përgatitjen e vendpunimeve për varrezat greke në Dragot të Tepelenës, çka përforcon idenë se një zgjidhje e shpejtë është objektivisht e arritshme.

Sigurisht vëmendja e opinionit shqiptar është te marrëvshja e detit dhe ligji i luftës, për këtë dytin ka tashmë më pak dilema. Ndaj nxitimi drejt një takimi të prillit na thotë se në parim duhet të ketë një dakordësi për marrëveshjen e detit në mënyrë që grupet negociatore të vijonë punën. Të mbajmë parsysh se ata duhet të marrin plotfuqinë nga presidenti, pra Ilir Meta që në vijim të politikës së tij përkundrejt qeverisë mund të kërkojë më shumë informacion, pra të hapë një parantezë të debatit publik për marrëveshjen e detit. Është një situatë të cilën qeveria po synon ta menaxhojë me konfidencialitet por që mund ta humbasë këtë cilësi pse në krye të shtetit qëndron dikush që kërkon protagonizëm në politikën e jashtme.

Jemi në fushën e hipotezave, por do të duhet ta themi: qeveria shqiptare ka një detyrim shtesë ndaj qytetarëve për këtë marrëveshje, pasi ajo është përgjegjës për helmimin e opinionit publik pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë. Transparenca është kushti i vetëm për të kuptuar se çfarë po vendoset dhe si.

Mesazhi i Hahn na bën të kuptojmë ndërkohë se negociatat po zhvillohen nën presionin e kohës dhe kjo e bën edhe më taksative zbardhjen e bisedimeve. Dhe ai është për momentin një mesazh që nuk mund të neglizhohet.

Janë negociata që si të tilla, pra si të kushtëzuara nga BE do të kërkojmë kompromise jo të parëndësishme. Këtu është me vend të kujtohet deklarata e ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, disa ditë më parë, sipas të cilit në negociatat Greqi-Maqedoni, është kjo e fundit që do lëshojë, pse kjo e fundit e kërkon integrimin. Diversion apo jo, ky interpretim bën sens dhe ka logjikë, pasi Greqia, edhe përmes qeverisë aktuale, ka bërë të qartë se do të vërë veto ndaj Shqipërisë së Edi Ramës që njëherë prish kisha, e pastaj nxiton të rregullojë dhe zgjerojë varreza.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne