Bota

Zhduket diplomati koreanoverior, supozohet se ka kërkuar azil në Perëndim

Diplomati koreanoverior Xho Song Gil, i cili deri para pak kohësh ishte ambasador në Itali, u zhduk me bashkëshorten e tij, pasi e lëshoi Ambasadën në nëntor, deklaroi deputeti në Parlamentin koreanojugor, Kim Min-ki, duke iu referuar të dhënave të mara nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës.

Agjencia Koreanojugore e Inteligjencës sot, pas dyerve të hapura, i informoi deputetët në Seul se Xho së bashku me bashkëshorten e tij ishin fshehur në nëntor, duke mos precizuar se ku.

Nëse kjo konfirmohet, Xho do të përfshihet në listën e gjatë të diplomatëve të lartë të cilët kanë tentuar që të ikin nga Koreja Veriore.

Paraprakisht, gazeta “Xhong Ang Ilbo”, duke iu referuar burimeve anonime diplomatike, bëri të ditur se Xho (48) ka dorëzuar kërkesë për azil në një shtet perëndimor dhe se është në “vend të sigurt” me familjen e tij, nën mbështetjen e Qeverisë italiane.

Një burim i lartë i diplomacisë në Romë theksoi se Ministria italiane e Punëve të Jashtme nuk ka informacione për këto zëra, përderisa një burim tjetër diplomatik deklaroi se Ministria nuk ka informacione se a ka kërkuar Xho azil në Itali. Sipas tij, Koreja e Veriut në fund të vitit 2018 ka paralajmëruar se do të dërgojë ambasador të ri në Romë.

Koreja e Veriut ende nuk është prononcuar për statusin e diplomatit Xho.

Diplomati i fundit koreanoverior për të cilin dihet se ka ikur është Tae Jong Ho, ish zëvendës ambasador në Londër, i cili iku në Korenë Jugore në vitin 2016.

Sipas të dhënave të Qeverisë koreanojugore, rreth 30.000 koreanoveriorë kanë ikur në Korenë Jugore pasi ka përfunduar Lufta koreane. Shumë persona kanë deklaruar se dëshirojnë ta lëshojnë sistemin mizor politik koreanoverior dhe varfërinë.

Nga ana tjetër, Pheniani shpesh e akuzon Seulin se i paguan njerëzit që të ikin ose thotë se ata persona janë rrembyer.

OPINIONE