Zhduket në det biznesmeni vlonjat dhe ndihmësi i tij

Policia e Vlorës ka dhënë detaje për zhdukjen e biznesmenit Adriano Jaho, 52 vjeç dhe ndihmësit të tij, Ariseld Maze, 28 vjeç. Përmes një njoftimi policia thotë se ata kanë dalë në orën 10:30 nga Vlora në drejtim të Durrësit. Mjeti i ujit që do të provonin ka qenë i ankoruar në Durrës.

Që nga ajo ditë ata nuk janë kthyer më. Jaho dhe Maze kanë dalë më 3 korrik në mëngjes nga Porti i Vlorës për të provuar një skaf dhe nuk janë kthyer më që nga ajo ditë.

“Sipas kallëzimit të bërë nga familjarët e tyre, ata kanë deklaruar se këta dy shtetas janë larguar nga Vlora më datë 03.07.2017, rreth orës 10:30, në drejtim të qytetit të Durrësit me qëllim për të marrë një mjet lundrues detar tip Skaf, të cilin e kanë patur të ankoruar në Durres dhe që prej asaj dite nuk janë kthyer më në banesë (Vlorë)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë shpalljen në kërkim të tyre si persona të humbur dhe po punohet për gjetjen e tyre. Gjithashtu po verifikon regjistrat e portit të Durrësit, për të parë nëse mjeti është marrë nga ata.

Alarmin për zhdukjen e tyre e kanë dhën familjarët, të cilët s’kanë pasur asnjë kontakt që prej datës 3 korrik. Mësohet se mjeti që dolën të provonin ishte një motoskaf me gjatësi 8 metra e 20, me dy motore 350 kuaj fuqi dhe me dokumentacion të rregullt. Mjeti lundrues sapo ishte nxjerrë nga servisi. Jaho dhe Maze dolën në det për ta provuar.

Raportohet se kontakti i fundit i biznesmenit vlonjat ka qenë me një mikun e tij, të cilit i kërkoi ndihmë përmes telefonit, duke i thënë: ‘Hajde më sill karrel se mjeti po merr ujë’.

Policia dyshon se ata mund të jenë mbytur.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne