Zhllima: Rama–SPAK, një përplasje e inskenuar politike, jo konflikt institucional

Deklaratat dhe kundërdeklaratat mes kryeministrit Edi Rama dhe SPAK kanë rikthyer në vëmendje raportin mes pushtetit politik dhe institucioneve të drejtësisë. Debati i ngritur publikisht është shoqëruar me interpretime të ndryshme mbi pavarësinë e drejtësisë, rolin e SPAK dhe ndikimin real të reformës në drejtësi. Në këtë intervistë për Gazetën Impakt, avokati Gylsen Zhllima analizon këtë situatë duke argumentuar se përplasja është më tepër politike sesa institucionale, si dhe ndalet te pasojat që këto tensione mund të sjellin për shtetin ligjor dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Intervista e plotë:

1. Si e interpretoni përplasjen mes kryeministrit Rama dhe SPAK: konflikt institucional apo politik?

Përplasja Rama–SPAK është më shumë një skenar politik, një “film” me dy protagonistë: nga njëra anë Rama që vazhdon narrativën e viktimizimit, dhe nga ana tjetër SPAK që ushqen një PR të vazhdueshme për drejtësinë. Të dyja palët luajnë rolin e viktimës, por pa identifikuar realisht autorin e konfliktit.

2. A mendoni se deklaratat e Ramës ndaj SPAK cenojnë pavarësinë e drejtësisë?

SPAK nuk është drejtësia. SPAK ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson interesin e shtetit në gjykatë. Sipas ligjit, SPAK është palë në proces, jo mbi palët. Drejtësinë e jep gjykata dhe vetëm gjykata.

3. Cili është roli i SPAK në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri?

SPAK nuk ndërton shtetin ligjor. Shtetin ligjor dhe demokratik e ndërton Parlamenti, institucionet kushtetuese dhe qytetarët përmes votës. SPAK ka vetëm rolin të mbështesë funksionimin e ligjit sipas Kushtetutës, pa u ndikuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, të cilat – pavarësisht ekzistencës së SPAK – kanë vijuar të lulëzojnë.

4. Si i vlerësoni reagimet e opinionit publik ndaj kësaj përplasjeje?

Opinioni publik nuk reagon fort, sepse “flaka ende nuk i ka prekur drejtpërdrejt”. Për më tepër, SPAK është promovuar si një institucion “shpëtimtar”, çka ka krijuar konfuzion dhe mungesë koherence në perceptimin publik për veprimtarinë e tij reale.

5. A sheh rrezik që përplasja Rama–SPAK të ndikojë negativisht në reformën në drejtësi?

Kjo përplasje është kryesisht imagjinare. Zoti Dumani ka kontribuar drejtpërdrejt në krijimin e shumicës prej 83 mandatesh. Zgjedhjet e 11 majit e certifikuan këtë lojë, ku ndjekja penale u fokusua kryesisht te opozita. Skenari i Ramës është i qartë: rishikimi i reformës në drejtësi dhe veçanërisht i SPAK, duke e kaluar nga një institucion i vetëkontrolluar në një institucion të kontrolluar politikisht.

6. A po përdoret politika për të ushtruar presion mbi institucionet e drejtësisë?

Në çdo vend politika ka ndikim mbi drejtësinë, por në Shqipëri ndodh e kundërta: drejtësia bën politikë, ndërsa politika e përdor drejtësinë sipas frymëzimit të lidershipit.

7. Çfarë pasojash afatgjata parashikoni nëse këto përplasje vazhdojnë?

Nëse secila palë vazhdon betejën për interesat e veta, do të vijë një moment historik kur Rama do t’i kthejë në statistikë gjyqtarët dhe prokurorët që e ndihmuan të marrë “qyl” 83 mandate.

8. A mendoni se SPAK duhet të reagojë publikisht ndaj sulmeve politike, apo të qëndrojë i heshtur?

SPAK tashmë ka reaguar duke bërë politikë vetë. Rasti Balluku e tregoi qartë: nga pezullimi, te diskutimi publik dhe juridik paralel, e deri te kërkesa për heqjen e imunitetit. Me veprimet e veta, SPAK u bë vetë objekt debati politik.

9. Si lidhet kjo përplasje me procesin e integrimit europian të Shqipërisë?

Procesi i integrimit kërkon shumë kohë dhe kjo përplasje nuk ka ndikim real. Shqipëria ende funksionon me një mentalitet kushtetues ku prokuroria shihet mbi palët. Për BE-në, kjo përplasje do të kishte rëndësi vetëm nëse ekzistonte një vullnet real për anëtarësimin e Shqipërisë. Aktualisht, nga BE dëgjojmë vetëm deklarata standarde: “nevojitet më shumë punë” dhe “përgëzojmë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”./gazetaimpakt

 

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne