Zhvendosja e popullsisë/ Udhëheqësit arabë mblidhen për të gjetur alternativë ndaj planit Trump për Gazën

Udhëheqësit arabë mblidhen sot në Kajro për të diskutuar një alternativë ndaj planit të dënuar gjerësisht, të presidentt të SHBA-së Donald Trump, për të marrë kontrollin e Gazës së goditur nga lufta dhe për të zhvendosur popullsinë e saj palestineze. Samiti i Ligës Arabe për rindërtimin e territorit vjen një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i dha përsëri mbështetjen e tij planit të Trump, duke e quajtur atë “vizionar dhe inovativ”.

Palestinezët, së bashku me botën arabe dhe shumë nga partnerët e Izraelit dhe të Shteteve të Bashkuara, kanë dënuar propozimin e Trump, duke hedhur poshtë çdo përpjekje për të dëbuar banorët e Gazës. Vlerësimet e OKB-së kanë nxjerë një kosto për rindërtimit të Gazës në më shumë se 53 miliardë dollarë, pas një lufte shkatërruese të shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

Ministrat e Jashtëm arabë u takuan në kryeqytetin egjiptian të hënën për një seancë përgatitore me dyer të mbyllura, e përqendruar në një plan për të rindërtuar territorin pa zhvendosur njerëzit e tij, tha një burim në Ligën Arabe për AFP në kushte anonimiteti. Burimi tha se plani “do t’u paraqitet udhëheqësve arabë në samitin e së martës për miratim”.

Krerët e shteteve të disa vendeve arabe pritet të marrin pjesë, ndërsa disa vende dërguan ministra të jashtëm ose përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë. Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi dhe mbreti i Bahreinit Hamad bin Issa Al Khalifa pritet të mbajnë fjalët e hapjes, sipas një plani të përcaktuar nga Liga Arabe.

Trump shkaktoi zemërim global kur për herë të parë paraqiti idenë e tij që Shtetet e Bashkuara të “marrën” Rripin e Gazës dhe ta kthejnë atë në “Rivierën e Lindjes së Mesme”, ndërsa i detyroi banorët e saj palestinezë të zhvendosen në Egjipt dhe Jordani. Por, që atëherë, Trump ka zbutur qëndrimin e tij, duke thënë se ai “nuk po e detyronte” planin, për të cilin ekspertët kanë thënë se mund të shkelë ligjin ndërkombëtar./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne