Emine Erdoğan i bëri këto deklarata në një aktivitet të organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes, i cili synonte t’i nxirrte në pah dëshmitë e grave palestineze dhe përpjekjen e medias për të raportuar nga Gaza.
Zonja e Parë e Türkiyes, Emine Erdoğan, ka nderuar gazetarët palestinezë të vrarë në Gaza, duke akuzuar Izraelin se synon në mënyrë sistematike punonjësit e medias dhe duke e cilësuar kujtimin “aktin më të madh të rezistencës”.
“Jemi mbledhur sot për të kujtuar dhe për të folur për atë që kemi dëshmuar. Sepse të kujtuarit është rezistenca më e madhe”, tha Erdoğan në fjalimin e saj gjatë një ceremonie përkujtimore të organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes të martën në Ankara.
Aktiviteti mblodhi së bashku gazetarë, zyrtarë dhe aktivistë për të sjellë në vëmendje dëshmitë e grave palestineze dhe përpjekjet e medias për të raportuar nga enklava e rrethuar. Në të morën pjesë edhe kreu i Komunikimeve të Türkiyes, Burhanettin Duran, ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Ozdemir Goktas, Drejtori i Përgjithshëm i TRT-së, Mehmet Zahid Sobaci dhe Kryetari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Anadolu, Serdar Karagoz.
“Israeli ka vrarë gati 300 gazetarë në dy vitet e fundit. Tridhjetë e shtatë prej tyre kanë qenë gra”, tha ajo.
Erdoğan e hapi fjalimin duke nderuar njërën prej tyre, Selma Muheymer, duke e përshkruar atë si një reportere të guximshme dhe si një nënë që kishte jetuar të gjitha 31 vitet e jetës nën hijen e bombardimeve dhe bllokadës izraelite.
“Okupimi vazhdon”
Muheymer udhëtoi drejt Gazës në vitin 2023 për të parë familjen e saj për herë të parë pas tre vitesh dhe për t’u prezantuar atyre djalin e saj foshnjë të quajtur Ali. Pak pas mbërritjes, një sulm ajror izraelit rrafshoi shtëpinë e tyre, duke vrarë djalin njëvjeçar së bashku me prindërit dhe katër vëllezërit e motrat e saj.
“Në postimin e saj të fundit në rrjetet sociale, Selma shkroi: ‘Nëse zhdukim dhe nuk dëgjohet asgjë nga ne, lutja do të na mbajë të bashkuar’”, tha Erdoğan.
Duke iu drejtuar aktivitetit, Somaya M. A. Abunima nga TRT Arabi tha se ajo kishte udhëtuar në Gaza më 7 tetor 2023, duke i lënë dy fëmijët e saj në Istanbul, dhe kishte kaluar dy muaj duke dokumentuar shkatërrimin. Ajo përshkroi civilët që jetonin nën bombardime të pandërprera, urinë në përkeqësim dhe zhvendosjen masive, duke theksuar se “okupimi vazhdon”.
Duke dënuar atë që e quajti standarde të dyfishta në reagimin e komunitetit ndërkombëtar, Abunima tha: “Bota po bën çdo përpjekje sot për ta rikuperuar trupin e një kolonisti të vetëm të mbetur në Gaza, ndërsa mbetet e heshtur për mijëra fëmijë e familje ende të bllokuara nën rrënoja.”
Ajo shtoi se zërat palestinezë vazhdojnë të dëgjohen falë grave dhe gazetarëve që vijojnë të raportojnë nga terreni. “Për sa kohë që palestinezët vazhdojnë të flasin edhe nga dhomat më të vogla e vërteta nuk do të vdesë”, tha ajo.
Mediet perëndimore po e shtrembërojnë realitetin
Gazetari palestinez, aktivist dhe fitues i çmimit Oscar, Basel Adra, tha se shumë reporterë nuk janë në gjendje të marrin leje për të hyrë në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i penguar ata ta informojnë publikun për kushtet atje.
Ai akuzoi Izraelin për ndalime arbitrare dhe pa gjyq të palestinezëve. “Shumë prej atyre të ndaluarve janë gazetarë. ‘Krimi’ i tyre i vetëm është filmimi, ushtrimi i gazetarisë dhe thënia e së vërtetës”, tha ai.
Adra kritikoi gjithashtu mediet perëndimore për shtrembërimin e realitetit në terren.
“Siç kam thënë, lufta kundër së vërtetës ka qenë prej kohësh një politikë e forcave izraelite të okupimit. Fatkeqësisht, mediet kryesore në Perëndim i shërbejnë kësaj politike, duke manipuluar vazhdimisht realitetin”, tha ai.
Duke rrëfyer përvojat e tij, Adra tha se ai kishte filluar të dokumentonte ngjarjet që në moshë të re për shkak të zemërimit ndaj dhunës së përsëritur, arrestimeve dhe kontrolleve në shtëpi.
“Gjeta forcën të vazhdoj të filmoj, të vazhdoj ta them të vërtetën dhe të vazhdoj ta ndaj historinë time me botën”, shtoi ai./trtbalkan















