Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi do të përballet në gjykatë. Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Enklid Gjini mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq dosjen në ngarkim të tij. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave apo formularëve” parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Sipas njoftimit të prokurorisë “në datë 09 shtator 2016 mbi bazën e dokumentave të dorëzuara nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar Procedimi Penal nr.4810 nr.4810, për veprën e mësipërme penale”.
Rroshi ishte një nga zgjedhurit e parë që u “kap” nga ligji për dekriminalizimin. Atij iu hoq mandati nga KQZ-ja me kërkesë të Prokurorisë. Akuza thoshte se Roshi kishte fshehur një dënim për përdhunim në Itali në fillim të viteve ’90.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 29 dhjetor 2016 vendosi heqjen e mandatit për dy deputetet Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si dhe kryebashkiakun Elvis Rroshi, pasi edhe ata kishin fshehur të dhënat në formularin e dekriminalizimit.
Në formularin e dekriminalizimit që Roshi ka plotësuar, thotë se ka qenë arrestuar dhe proceduar edhe në Gjermani para vitit 2002. Ai shënon se e ka proceduar gjykata e Mynihut, por shkruan se arsyet nuk i kujtohen. Po ashtu, ai thotë se nuk i kujtohet as rezultati i këtij procedimi, nëse është dënuar apo jo.
Kjo periudhë përkon me atë që Elvis Roshi ka ndryshuar emrin. Babai i tij tha në një intervistë televizive se ai quhej Ervin.
Në vitin 2000 me emrin Ervin Roshi ai figuron i proceduar edhe në Kavajë për dy vepra penale. Në atë kohë prokuroria ka kërkuar dënimin me 2 muaj burg për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.