Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin në fushën e arsimit ka hyrë në fuqi pas publikimit të saj në Fletoren Zyrtare.
-Zyrtarizohet marrëveshja Shqipëri-Turqi për bashkëpunimin në fushën e arsimit
Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin në fushën e arsimit ka hyrë në fuqi pas publikimit të saj në Fletoren Zyrtare,
Në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë të datës 2 mars është publikuar vendimi i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë i datës 24 shkurt 2021 për miratimin e kësaj marrëveshjeje.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë konfirmoi zyrtarisht se marrëveshja në fjalë ka hyrë në fuqi pasi nuk ka nevojë për ratifikim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Qëllimi i marrëveshjes është të rrisë bashkëpunimin, midis institucioneve përkatëse të të dy palëve, në fushën e arsimit, mbi bazën e barazisë dhe respektit reciprok, në përputhje me legjislacionet kombëtare të palëve dhe legjislacionin ndërkombëtar.
Fusha e bashkëpunimit sipas marrëveshjes përfshin nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit dhe botimeve shkencore në fushat e arsimit, shkëmbimin e akademikëve, ekspertëve të arsimit, mësuesve, administratorëve të institucioneve arsimore dhe nxënësve të arsimit të mesëm dhe studentëve të arsimit të lartë, shkëmbimin e përvojave në fushën e arsimit, shkëmbimin e përvojave në fushën e teknologjive të reja të aplikuara në arsim dhe kryerjen e hulumtimeve dhe kërkimeve të përbashkëta në fushën e arsimit.
Gjithashtu përfshin edhe shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet, inkurajimin reciprok të pjesëmarrjes së studentëve në konkurset shkencore dhe kulturore të organizuara në të dy vendet dhe promovimin e bashkëpunimit për zhvillimin programeve të përbashkëta, marrëdhënieve binjakëzuese të shkollave dhe aktiviteteve të studentëve, midis institucioneve përkatëse arsimore të palëve.
Gjithashtu palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.
Sipas marrëveshjes, pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke. Gjithashtu pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ndërkohë, Turqia do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.
Gjithashtu dy vendet do të lehtësojnë procedurat e dhënies së vizave, lejeve të qëndrimit dhe të punës për mësuesit dhe akademikët e caktuar, si dhe anëtarët e familjeve të tyre brenda objektit të kësaj marrëveshjeje dhe do të japin reciprokisht bursa.
Marrëveshja e cila do të mbetet në fuqi për një periudhë 5-vjeçare dhe do të zgjatet pas miratimit nga palët, përmes rrugëve diplomatike, për një periudhë 3-vjeçare, është nënshkruar në Ankara, më 6 janar 2021, nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministri turk i Arsimit, Ziya Selçuk.
***
-Xhaçka mesazh ngushëllimi homologut turk për ushtarët e martirizuar
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka i përcolli ministrit të Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, ngushëllimet për ushtarët që u martirizuan në aksidentin me helikopter të ndodhur në Turqinë lindore.
Si pasojë e rrëzimit të një helikopteri ushtarak në provincën lindore Bitlis, të paktën 11 ushtarë turq, përfshirë një oficer të lartë, u martirizuan dhe dy të tjerë u plagosën.
***
-Vijon puna intensive për ndërtimin e Spitalit Rajonal Memorial në Fier, financim nga Turqia
Kryeministri Edi Rama publikoi të martën një foto live nga Spitali Rajonal Memorial, në Fier që po ndërtohet në një kohë rekord.
Punimet intensive me tre turne në këtë objekt të rëndësishëm të infrastrukturës shëndetësore, kanë bërë që Spitali Rajonal Memorial, Fier të marrë formë ditë pas dite.
Spitali i Fierit po ndërtohet në afërsi të autostradës, me një sipërfaqe prej 50 000 metrash katrorë, 13 000 metra katrorë prej të cilave strukturë spitalore dhe me një kosto prej 70 milionë euro.
Dita-ditës spitali po merr gjithnjë e më shumë formë dhe do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë dhe dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar.
Për ndërtimin e spitalit po punohet natë e ditë, me tre turne, e sipas premtimit të qeverisë turke, do të përfundojë brenda 3 muajsh nga fillimi i ndërtimit.
***
-Ministrja e Jashtme e Shqipërisë takim me diplomatët e ri
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka zhvilloi në fillim të kësaj jave një takim me diplomatët e ri, që bëhen sot pjesë e sistemit diplomatik shqiptar, 8 prej të cilëve janë gra e vajza.
“Është një moment shumë i bukur dhe besoj është një moment shumë i bukur edhe për të gjithë trupën e diplomatëve sepse sot na bashkohet një grup i ri diplomatësh, që për herë të parë futen në sistem”, tha Xhaçka.
“…Ajo që mua më gëzon është që sepse e di se çdo grup i ri diplomatësh integrohen në sistem, përfaqësojnë njëkohësisht një injeksion të ri idesh, vizionesh, energji nga i cili përfiton i gjithë sistemi. E di që të jesh i ri në një profesion, aq më tepër në një profesion apo sistem si ky që mbështet aq shumë tek tradita, tek protokolli, tek procedura nuk është kurrë e lehtë.
Në Shqipëri flitet shumë kur rritet përfaqësia e grave në politikë apo polici apo ushtri, në fusha dhe sektorë që tradicionalisht janë konsideruar si domen i burrave, e tillë ka qenë historikisht edhe diplomacia…”, tha Xhaçka.
Minstrja vuri në dukje se roli dhe pozicioni i grave shqiptare përveç që është në institucionet brenda Shqipërisë, por kontributi i tyre drejtuese është edhe në vende të botës deri në OKB.
“…Por ajo që unë kam kuptuar dhe në kohën e shkurtër që kam në këtë Ministri është që në fakt edhe më shumë se në politikë, polici apo ushtri në diplomaci ai tavani i famshëm i qelqtë është thyer prej kohësh. Jo vetëm që janë pjesa dërrmuese e punonjësve të kësaj Ministrie gra dhe vajza, por disa prej misioneve tona më të rëndësishme drejtohen prej grave, Roma, Athina, Brukseli, Uashingtoni, Misioni ynë në Kombet e Bashkuara drejtohen nga gra dhe drejtohen me shumë sukses…”.
Ndërkaq Xhaçka i roj suksese diplotamateve të reja, sidomos në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian
“…Unë dua t’ju uroj të gjithëve suksese jo vetëm diplomateve por edhe të dy diplomatëve që ndoshta në këtë moment po ndihen pak në minorancë. Ju po integroheni në shërbim në një moment historik për diplomacinë shqiptare. Ka kaq shumë ngjarje të rëndësishme kur sapo është mbyllur Presidenca e OSBE me shumë sukses kur jemi në prag të marrjes së vendit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur jemi në prag të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, janë të gjitha pa diskutim ngjarje madhore, por edhe sfida të jashtëzakonshme që unë kam shumë besim që me kontributin tuaj dhe të të rinjve të tjerë që do ti bashkohen sistemit pas jush do të përballohen me sukses nga diplomacia Shqiptare…”, theksoi Xhaçka.
***
-Di Maio: Faleminderit Shqipërisë për ndihmën gjatë pandemisë së koronavirusit
Unë kurrë nuk do të ndalem për t’i thënë faleminderit mikut tim Edi Rama për ndihmën gjatë pandemisë, shkruan në Facebook ministri i Jashtëm italian, Lugi Di Maio.
“Tridhjetë vjet më parë mijëra njerëz nga Shqipëria zbarkuan në Itali, në bregdetin e Pulias. Sot, 30 vite më vonë, ne jemi në Bari së bashku me guvernatorin e Pulias, Michele Emiliano dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të kujtuar ato momente”, shkruan ai në FB.
“Gjatë kësaj pandemie, italianët vuajtën shumë, vendi ynë ishte në nevojë dhe qeveria shqiptare u tregua e gatshme, duke dërguar mjekë dhe infermierë në urgjencë të plotë për të mbështetur bluzat tona të bardha që iu nënshtruan turneve masakruese në spitalet tona”, thekson Di Maio.
“Një solidaritet i paçmueshëm dhe për këtë arsye unë kurrë nuk do të ndalem duke i thënë faleminderit mikut tim Edi Rama. Ne nuk do ta harrojmë atë. Le të qëndrojmë të bashkuar. Mbetemi të bashkuar“, përfundon Di Maio, ndërkohë që shprehjen e fundit në postimin e tij në Facebook, ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, “mbetemi të bashkuar”, e shkruan në shqip.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama mori pjesë të dielën në Bari, Itali, në çeljen e një ekspozite të organizuar në përkujtim të eksodit të shqiptarëve në vitin 1991.
Në ekspozitë, kryeministri Rama shoqërohej edhe nga ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi di Maio.
Kreu i qeverisë e cilësoi hapjen e kësaj ekspozite një moment përkujtimi tre dekada pas nisjes së emigracionit shqiptar drejt Puljas dhe reflektimi mbi rolin e peshën e emigracionit në jetën e shqiptarëve.
Në fillim të marsit 1991 mijëra shqiptarë u larguan nga Shqipëria, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në kalatat e portit më të madh të Shqipërisë.
Vetëm në javën e parë të atij viti, në portin e Brindizit (Itali) janë ankoruar 24 mjete lundruese të madhësive të ndryshme, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish nga Shqipëria.
***
-Në Shqipëri përkujtohet Nata e Madhe e Israsë dhe Miraxhit
Mbarë bota islame kremtoi të mërkurën, Natën e Madhe të Israsë dhe të Miraxhit.
Edhe në Shqipëri u përkujtua Nata e Mirë, ku në xhamitë e ndryshme edhe pse në kushte të vështira pandemie u bënë dua-lutje, programe fetare, këndime ilahi dhe salavate.
Ndërsa, në metropolin verior, në Shkodër, Myftinia e kësaj zone zhvilloi në xhaminë e Parrucës, pas ikindisë aktivitetin me temë: “Në përkujtim të mrekullisë së Israsë dhe Miraxhit”.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari para të pranishmeve dhamesazhin e vendosjes së paqes, harmonisë dhe barazisë sociale në çdo vend të botës.
Myftiu kërkoi prej besimtarëve që të dëshmojnë mëshirën me njeri-tjetrin, të ruajnë dinjitetin dhe Islamin që Zoti ka krenuar këtë ummet deri në ditën e fundit…
Myftiu i Shkodrës, në fund të mesazhit të tij u lut për të gjithë ata besimtarë që kanë kaluar në jetën tjetër të amshuar, që Zoti t’i mëshirojë, sidomos në këto tre muaj të mirë të besimit, Rexhep, Shaban dhe zotëria i krejt muajve, muaji i bekuar i Ramazanit…
Më pas, imamët Lavdrim Hamja, Naim Drijaj dhe Durim Kasemi folën për rëndësinë dhe vlerën e madhe që mbart ngjarja dhe mrekullia e Israsë dhe Miraxhit.
***
-Katari ndihmon familjet në zonat e përmbytura të Shkodrës
Bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me “Qatar Charity Albania”, vazhdon mbështetjen për familjet më në nevojë në zonat e përmbytura. Pavarësisht largimit të ujit, problemet mbeten dhe është domosdoshmëri mbështetja.
“Qatar Charity Albania”, një partner i rëndësishëm dhe me kontribute të shtrira në kohë në Bashkinë e Shkodrës, u tregua e gatshme të mbështeste me pako ushqimore 450 familje, nga të cilat 270 në Njësinë Administrative Dajç.
“…Zonat e përmbytura dhe familjet më në nevojë, do të jenë vazhdimisht në fokus primar të mbështetjes nga Bashkia e Shkodrës deri në tejkalimin e plotë të vështirësive të krijuara…”, tha në një prononcim mediatik, kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi.
–Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-