A e adresoi Edi Rama në Bruksel, pasardhësin e tij?

Lea Ypi, një ‘dhimbje koke’ në sallonet politike të mazhorancës…

Një javë më parë, në Bruksel ndodhi një zhvillim politik që ka krijuar mjaft turbulenca në Tiranë.

Presidenti i Këshillit Europian, përkatësisht kreu i organit më të lartë vendimarrës së BE-së, Antonio Costa, u shpërndau të gjithë krerëve të shteteve anëtare, një kopje në anglisht të librit “Free” të Lea Ypit. Intelektuales shqiptare, e cila është një akademike e rëndësishme e Mbretërisë së Bashkuar, dhe profesoreshë me shumë peshë në Universitetin e rëndësishëm: London School of Economics.

Ish- kryeministri portugez, i cili mori drejtimin e BE-së së fundmi, e ka bërë të ditur shpërndarjen e librit edhe në rrjetin e tij social.

“Unë iu dhashë drejtuesve të Këshillit Europian librin “Free”, një libër nga Lea Ypi, si një kujtesë për lirinë, dhe rëndësinë se si historia jonë e përbashkët na ndihmon të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. E kam lexuar këtë libër nga fillimi në fund, pasi më është dhuruar nga Edi Rama gjatë vizitës sime në Shqipëri në vitin 2023″, shkruan Antonio Costa.

Sado që mund të duket si një “gjest kulturor” dhurimi i një libri në një sallon kaq të rëndësishëm, që në fakt është një institucion, përbën një akt politik.

Pasi promovimi i librit mund të bëhej edhe në forma informale apo në një event kulturor, por duket se nuk jemi në këtë nivel. <Po përse duhet në një event politik? Edhe Edi Rama, ka prej një viti që u dhuron shtetarëve dhe politikanëve të rëndësishëm evropian, kopjen e librit të Lea Ypit në gjuhën përkatëse. Ndërkohë që profesoresha e LSE, vjen shpesh në Shqipëri në evente të organizuara nga qeveria dhe entet e saj.

Kur u promovua libri, nga shumë personazhe që i përkasin shtresë së të përndjekurve të komunizmit por edhe të gjithë intelektualët opozitarë nuk i shkuan në event. Madje e panë me xhelozi këtë akt, si një zhvillim politik të Edi Ramës.

Ndërkaq, në korridoret e mazhorancës ka kohë që ka shkaktuar ‘dhimbje koke’ ky promovim, ankth që dallohet me lehtësi. Shto këtu edhe mbylljen e shtigjeve brenda establishmentit aktual për të krijuar një apo disa kandidatë të mundshëm në nivelin e duhur për të konkuruar brenda PS-së.

Megjithatë, ka edhe lëvizje që në aq sa munden kanë sfiduar jo hapur këtë vullnet të Ramës për të mos lejuar një pasardhës, apo për ta projektuar vetë, qoftë edhe duke plagosur rëndë forcën e tij politike.

Një sëmundje e vjetër e së majtës shqiptare, që kulmin e arriti në 1981, kur Enver Hoxha eleminoi Mehmet Shehun dhe lobin e tij të madh brenda PPSH, në mënyrë që t’i hapte rrugë familjarit të tij Ramiz Alia, të marrë fronin. Rama, nuk ka arritur dot ta bllokojë dot një proces, i cili në rrugë normale nuk komandohet plotësisht nga drejtimi i tij autokratik.

Për shembull Erion Veliaj apo Belinda Balluku, shihen sot nga socialistët si rivalë të mundshëm për të pasuar “fronin”. Përveç formimit të tyre politik dhe intelektual, ata kanë edhe një lob të rëndësishëm ndjekësish dhe mbështetësish.

Kushte këto të domosdoshme për t’i hyrë një beteje politike, e të mos presësh thjesht një impostim nga lart. Ajo që po bën sot Lulzim Basha, është një përpjekje e vonuar, pasi do të kishte pasur më shumë sukses nëse do të aktivizohej në kohën kur ishte kryetar ‘de jure’ i PD-së.

Megjithatë edhe një betejë post-actum me Sali Berishën po jep frute në procesin e formësimit të një opozite ndryshe.

Edi Rama e di që nisja sot e katapultimit të një pasardhësi do të sjellë një turbulencë të madhe në PS, e nuk e ekzagjerojmë, një skizmë edhe elektorale. Ndaj pret mandatin e katërt për ta bërë nëse fiton një mazhorancë të konsoliduar. Sinjalin e çon edhe në Perëndim, në mënyrë djallëzore për të lobuar tek ata, si për t’i thënë se “do iki, ja kam gjetur edhe pasuesin”.

Në të vërtetë kështu janë sjellë shumë autokratë, duke nisur nga Erdogani, por në fund nuk ikën. E gjithë loja e tyre ka qenë një mjegull për t’i qartësuar shikimin të tjerëve, sidomos partnerëve ndërkombëtarë./Pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne