Nga Abdulkhaleq Al-Rawi
Psikologjia e vetëvrasjes
Çfarë mendonte Yahya Sinwar para se të urdhëronte operacionin e 7 tetorit?
Që nga momentet e para kur pashë 7 tetorin, operacionin që ndryshoi rrjedhën e historisë, më lindi pyetja: çfarë po kalonte në mendjen e Yahya Sinwar? Çfarë mendon një njeri që e di se ky hap do të hapë dyert e ferrit mbi Gazën dhe popullin e saj? A humbi ai kontrollin? A u vetëvra? Apo Gaza u vetëvra në tërësi? A ishte ky një veprim thjesht ushtarak… apo diçka tjetër, më e thellë?
Me kalimin e kohës fillova të besoj se ajo që bëri Sinwar nuk ishte vetëvrasje në kuptimin emocional, por një vetëvrasje strategjike e llogaritur, e bazuar në një vetëdije të akumuluar dhe në bindjen e thellë se, në këtë realitet, Palestina nuk do të çlirohej përmes marrëveshjeve për të burgosurit, zyrave të OKB-së apo me lëmosha në forumet ndërkombëtare. Ai e dinte se vazhdimi i “menaxhimit të krizës” nënkuptonte pranimin e realitetit të okupimit dhe se ruajtja e “status quo-së” ishte thjesht një zgjatje e pafund e tragjedisë.
Në atë moment, Sinwar nuk ishte më “individ”. Ai ishte mishërimi psikologjik i një ndërgjegjeje kolektive që kishte jetuar 17 vjet nën bllokadë, duke marrë frymë poshtërim, duke ngrënë vdekje dhe duke u rritur me një ndjenjë ekzistenciale mbytjeje. Në psikologjinë shoqërore, Émile Durkheim shpjegon në librin e tij të famshëm “Vetëvrasja” se ekziston një lloj “vetëvrasjeje kolektive të vetëdijshme” që ndodh kur një grup arrin në ndjesinë e pavetëdijshme se mbijetesa pa dinjitet… është zhdukja e vërtetë. Ndërgjegjja kolektive zgjedh të flijojë trupin për të ruajtur “kuptimin”. Kjo ishte pikërisht ajo që përfaqësonte Sinwar në atë moment.
Vendimi i tij, pra, nuk pasqyronte një shkëputje nga realiteti, por sepse lidhja me realitetin vetë ishte bërë një sëmundje. Kombi i Gazës kishte arritur një moment kur ndërgjegjja e tij kolektive shpallte: “Nuk do të nënshtrohemi më, çfarëdo që të ndodhë.” Kjo është pikërisht ajo që Frantz Fanon përshkroi kur tha: “Një popull i kolonizuar, kur vret, nuk hakmerret vetëm ndaj kolonizatorit, por edhe shpëton veten.”
Kur Sinwar mori vendimin e tij, qëllimi i tij nuk ishte politik. Ai ishte pasqyra emocionale e dy milionë njerëzve nën rrethim, që kishin jetuar vite të tëra poshtërimi, shkatërrimi, pafuqie, vdekjen e fëmijëve, djegien e fermave dhe negociata poshtëruese. Kjo psikë kolektive nuk kërkonte më shpresë. Ajo kërkonte hakmarrje ndaj vetë asgjësisë, ndaj ndjenjës së përjashtimit, ndaj të qenit i padukshëm në hartën e botës. Prandaj, 7 tetori nuk ishte vetëm një kryengritje e armatosur, por një britmë ekzistence.
Ndërsa shumë e shohin ngjarjen nga këndvështrimi i pyetjes “A ishte ky një vendim racional?”, përgjigjja e vërtetë vjen nga filozofi gjerman Walter Benjamin, i cili shkroi: “Çdo kryengritje revolucionare nuk frymëzohet nga aspiratat për të ardhmen, por nga dëshpërimi i së tashmes.”
7 tetori ishte një moment dëshpërimi historik, kur nënshtrimi arriti kulmin dhe u shndërrua në shpatë.
Është e çuditshme që disa kritikë ende pyesin: “A nuk e dinte Sinwar që Izraeli do të përgjigjej?” — sikur të mos kuptonin, ose të mos donin të kuptonin, se Sinwar e dinte më mirë se ata. Por ai vendosi që ky moment të ishte një zbulim i madh, jo vetëm në nivel ushtarak, por edhe në atë moral global. Izraeli është një entitet i mbrojtur nga një makineri e fuqishme propagandistike, që gjithmonë paraqitet si viktima ideale. Ai donte ta detyronte atë të vriste derisa t’i binte maska.
Sinwar zgjodhi të përballej me Izraelin jo për të fituar ushtarakisht, por për ta shtyrë drejt shkatërrimit moral. Dhe kjo është ajo që po ndodh tani. Izraeli nuk e ka mposhtur Gazën; ai po mbytet në të. Imazhi i tij ka rënë. Nuk është më “oaza demokratike” në Lindjen e Mesme të egër; është bërë simbol i kolonializmit, spastrimit etnik dhe gjenocidit. Arsyeja nuk është vetëm numri i të vdekurve, por fakti që ata u vranë pasi u ngritën kundër frikës, burgosjes në masë dhe perspektivës së vdekjes.
Ndoshta ironia është se popujt e lirë të botës e kanë kuptuar këtë. Ata kanë kuptuar se ajo që po ndodh është një revolucion pa fjalim dhe një guxim pa maskë. Studentët në universitetet perëndimore, protestuesit, intelektualët në artikujt e tyre — të gjithë kanë filluar ta zhveshin entitetin sionist nga legjitimiteti i tij moral. Kjo nuk do të kishte ndodhur pa shpërthimin e 7 tetorit.
“Akti simbolik i dhunshëm”, siç e quan Pierre Bourdieu, është ajo që ristrukturon kuptimet para se të ristrukturojë gjeografinë.
Izraeli ka fituar betejën me armë, por po humbet luftën e legjitimitetit, dhe kjo është shumë më e rrezikshme. Disfata morale gjithmonë i paraprin disfatës politike. E njëjta gjë ndodhi me Amerikën në Vietnam, me Francën në Algjeri dhe me regjimin e aparteidit në Afrikën e Jugut. Të gjithë fituan me zjarr, por u rrëzuan kur u zbuluan moralisht. Merita i përket atyre që, siç tha Jean-Paul Sartre, “zgjodhën të thonë jo edhe kur e dinin se asgjë nuk do të ndryshojë nesër”.
Pra, a u vetëvra Sinwar? Jo. Ai thjesht qëlloi plumbin e parë në zemrën e një gënjeshtre 75-vjeçare — një plumb që ndoshta nuk e shkatërron trupin tani, por ka filluar të shkatërrojë shpirtin.
Dhe Gaza, a u vetëvra? Jo. Gaza sot është më e pranishme se kurrë. Është, në ndërgjegjen e njerëzimit, toka e dëshmitarëve, toka e britmave, toka e refuzimit./Marre Nga Facebook i Gezim Katuçi















